Xhelal bej Koprëncka, i vetmi firmtar i Skraparit në aktin e Pavarësisë së Shqipërisë

Xhelal bej Koprëncka, i vetmi firmtar i Skraparit në aktin e Pavarësisë së Shqipërisë

Zylyftar HOXHA

 

Ashtu e sollën rrethanat historike, që Xhelal Koprencak të ishte i vetmi firmëtar, përfaqësues i Skraparit në Kuvendin e Vlorës. Nuk ishte situatë normale, ishin ditë të vështira për zgjedhje e për përfaqësi, ndaj një pjesë e delegatëve në Kuvendin e Vlorës u thirr me ngut personalisht nga Ismail Qemali. Një ndër ta ishte edhe  Xhelal Koprëncka, mik i Ismail Qemalit.

I pari që ka hedhur disi dritë mbi këtë figurë  dhe që ka sjellë shumë të dhëna arkivore e dokumente të pakundërshtueshme ka qenë i ndjeri Izet Dyrmishi, por këto janë në një libër kujtimesh me një tirazh të vogël, që ka kaluar pa u vënë re. Më pas kanë shkruar edhe të tjerë, por pa prurë ndonjë gjë të të re.

 

 

Bejlerët e Koprënckës, Mançet

 

 

Nga gojëdhënat, e më pas nga dokumentet historike, saktësohet se kjo familje nga mesi i shekullit të 19-të, deri në vitet ’30 të shekullit të 20-të, ka pasur në zotërim mijëra hektarë tokë buke, livadhe, kullota, kryesisht verore dhe pyje. Këto toka kanë qenë në Gostënckë, Leshnje, Vlushë, Kapinovë, Krastë (Bërsakë), Potom, Çorovodë, kullotat verore të Ostrovicës, Shtyllës, Sherës, Qafës së Martës, Gorrulit, Bulgarecit të Korçës si dhe tokat e fshatit Cërrunjë të Gramshit Brezi i Xhelalit, ku edhe do të ndalemi në këtë shkrim, mban për mbiemër Koprëncka dhe përfaqësohet nga Xhelali dhe tre vëllezërit e tjerë, Hasani, Zalua dhe Abdyli (Dulja) si dhe nga katër motra.

 

Pas shkëlqimit të kësaj dere të madhe, të njohur dhe të respektuar edhe jashtë krahinës së Skraparit, vjen rënia dhe shpërndarja. Pas djegies së sarajeve nga greku i parë në Koprënckë, në ‘14-ën, ata ndërtuan një shtëpi të përkohshme në Gostënckë, ku kishin dajallarët, pastaj shkuan në Çorovodë dhe Korçë, në pronat e dikurshme.

 

 

Atdhetarë dhe arsimdashës

 

 

Duke ndjekur rrugën e rilindësve më të shquar, pjesëtarët e kësaj familjeje në vitet 1900-1909 iu kushtuan veprës mëmëdhetare, çeljes së shkollave shqipe. Më 1908 çelen tri shkolla shqipe nga Hasan Dalip Koprëncka, në Koprënckë me 53 nxënës, në Gostënckë me 57 nxënës, 34 të ditës dhe 23 të natës dhe, në Çorovodë, me 43 nxënës. Këto shkolla mbahen financiarisht nga vetë Hasani.

 

Një vit pas Kongresit të Manastirit mbahet Kongresi i Elbasanit, nga data 2 deri më 8 shtator të vitit 1909, ku merr pjesë edhe Dulja (Abdyli). Siç mësohet nga dokumentet arkivore, ata kanë kontribuar me të holla për çeljen e Normales së Elbasanit. Më 6 maj 1909, në Çorovodë u formua klubi “Pellazg”, me kryetar Abdylin, që u quajt edhe klubi i “Dramës”.

 

Me iniciativën e dy vëllezërve, në fillim të vitit 1910, u bënë përpjekje për mbajtjen e një mitingu në Koprënckë, por meqenëse në këtë miting ishin ftuar vetëm myslimanë të sektit bektashi, mitingu u anulua dhe u la një datë tjetër, ku u ftuan edhe të krishterë nga zona e Frashërit, Përmetit dhe Kolonjës. Kështu që mitingu tjetër u zhvillua më 25 maj të vitit 1910.

 

Në këtë miting, që u drejtua nga Hasani dhe Abdyli morën pjesë 3000 vetë dhe  u fol për gjuhën dhe shkollat shqipe. E gjithë veprimtaria e vëllezërve Koprëncka, që përshkruam shkurt më lartë, është pasqyruar nga shtypi i kohës, veçanërisht nga gazeta “Liria e Selanikut”

 

 

Po kush ishte Xhelali?

 

 

Ai ka lindur në Koprënckë në vitin 1876. Mësimet e para fillore i mori në Korçë. Më pas vazhdoi studimet në Robert-Kolezh të Stambollit. Studimet e larta i kreu po në Stamboll, në shkollë ushtarake, ku edhe u dallua për rezultate të mira dhe cilësi të veçanta të karakterit të tij.

 

Pas përfundimit të studimeve, shërben në repartet ushtarake të Selanikut. Në vitin 1911 emërohet komandant i qarkut të Janinës. Edhe pse oficer i lartë, ai përfshihet në lëvizjen kombëtare të Rilindjes. Koordinon që nga Selaniku dhe Janina punët për përhapjen e gjuhës shqipe me vëllezërit e tij, Dulen e Hasanin. Në këtë kohë ai mban lidhje të ngushta me botuesit e “Kalendarit Kombëtar” dhe gazetës “Liria e Selanikut” si dhe merrte rregullisht gazetën e Jani Vretos, “Rrufeja”.

 

 

Në krah të Ismail Qemalit

 

 

Xhelal Koprëncka firmos Pavarësinë. Ngjarja që mblodhi dhe vuri në lëvizje të gjithë ajkën e patriotëve shqiptarë, ishte Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ata erdhën aty nga ishin e nga s’ishin.

 

Në këto ditë të shënuara dhe të shumëpritura nga i gjithë populli shqiptar, krahas shumë figurave të njohura, gjejmë në Vlorë edhe Xhelal Koprënckën. Ai përfaqësonte krahinën e Skraparit, dhe në emër të saj, ka firmosur dokumentin përfundimtar dhe historik të Shpalljes së Pavarësisë.

 

Në procesverbalin e Kuvendit për ngritjen e flamurit ai mban numrin rendor 13, ku shkruhet: “Nga Berati mori pjesë Xhelal bej Koprëncka…” Në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës  Xhelalin e gjejmë në dokumentet e kohës në Vlorë, nga 28 nëntori i 1912-ës deri më 27 dhjetor të  1912-ës, me detyrë specifike nga Qeveria e Vlorës organizimin e  ushtrisë përkrah ministrit të Mbrojtjes, Mehmet pash Dërhallës, organizimin e xhandarmërisë në Lushnjë si dhe organizimin e frontit të luftës kundër pushtuesve të huaj për çlirimin e territoreve që mbaheshin të pushtuara edhe pas formimit të shtetit shqiptar, kryesisht në jug, nga shovinistët grekë.

 

Gjatë këtyre ditëve ai përgjigjej për kufirin jug-lindor të asaj zone që përfshinte Qeveria e Vlorës në atë kohë, ai mban lidhje me zonat me Mahmut Ali Pashën në Delvinë, Selam Koprënckën në Skrapar, Hazis Vrionin në Berat etj.

 

 

Në frontin e luftës

 

 

Detyrën e ngarkuar nga Qeveria e Vlorës për ndalimin andartëve grek në territoret e Korçës, Kolonjës dhe Skraparit  në vitet 1913-14 Xhelali e kreu më së miri. Ai bashkoi çetat e Skraparit dhe zuri shtigjet më të rëndësishme. Krahas detyrave ushtarake, Xhelali në këtë kohë caktohet edhe me detyrën e prefektit të Skraparit. Ai gëzonte respekt të veçantë dhe shihej me besim nga Ismail Qemali.

 

 

Kjo gjë vërtetohet me letërkëmbimin dhe korrespondencën e tyre të pasur. Në një telegram të qershorit të vitit 1913, Xhelali e gëzon plakun e Vlorës kur informon se 1500 vullnetarë bashkë me ushtarët e vendit “janë tue kontrollue grykat e qafat e Skraparit”.

 

Rezistenca zgjati mbi pesë muaj, megjithatë ajo ngeli në kuadrin lokal dhe greket arritën kohë pas kohe deri në Berat. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore zhvillimet politike në Shqipëri morën rrjedha të tjera. Në këtë periudhë ka tërhequr vëmendjen e forcave patriotike veprimtaria antikombëtare e Esat pash Toptanit. Ai në këtë kohë shtriu pushtetin e tij deri në Skrapar. Xhelali organizon në shtëpinë e tij një mbledhje me të gjithë krerët e Sraparit, ku vendoset organizimi i një kryengritjeje antiesadiste.

 

Kryengritja filloi më 27 dhjetor 1915 dhe forcat esadiste u shtynë deri matanë lumit Devoll. Xhelal Koprëncka ka marrë pjesë edhe në Kuvendin e Durrësit, ku më 25 dhjetor të vitit 1918, kryeministër u zgjodh Turhan Pasha. Ky i fundit u ngarkua edhe me detyrën e kryetarit të delegacionit që do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris. Por, krahas Turhan Pashës, pa mandat përfaqësimi shkoi edhe Esat pashë Toptani, i cili, duke shfrytëzuar dobësitë, mori atribute të vetëpërfaqësimit. Kjo e revoltoi shumë Xhelalin, ndaj në fillim të janarit të vitit 1919, nga Berati ai i dërgon një protestë telegrafike Konferencës së Paqes në Paris për të mos e pranuar Esatin si përfaqësues të Shqipërisë, pasi ai nuk gëzon atribute përfaqësimi.

 

Pas 10 ditësh, ai organizon një miting në Çorovodë ku marrin pjesë mbi 2000 vetë për të kundërshtuar përfaqësimin e Esat pash Toptanit. Pas mitingut, 100 burra nga paria e Skraparit, midis tyre Rakip, Rustem e Ali Gostëncka, Sinan e Taulla Leshnja, Riza Vëlusha, Riza Gradeci, Mehmet Radëshi, Mahmut Zaloshnja, Hasan Gërmënji, Baba Meleq Staravecka etj., firmosin një peticion dhe e dërgojnë me postë në Paris. (AQSH, dosja nr. 28, fleta 13, 14, viti 1919). 

 

 

Vrasja, që mbeti enigmë

 

 

Nga mesi i vitit 1919 Xhelali vihet në krye të forcave të Skraparit dhe niset për në Korçë ku francezët kishin lënë Korçën dhe rrezikohe të vinte greku. Para se të shkojnë në Korçë, bëhet një takim edhe me forcat e tjera në Gjergjevicë. Duke u kthyer prej andej, në vendin e quajtur Dëllinjë, në lindje të Qafës së Martës, më 21 tetor 1919, Xhelali vritet në pritë nga Syrja Guri, nga Leshnja e Skraparit.

 

Vrasja ishte e pamotivuar në ato rrethana. Thuhet se ajo u krye për hakmarrje sepse djali i Xhelalit, Samiu, kishte vrarë dajon e Syrjait, Abdurrahman Gjonin. Në këto rrethana u krijua një pështjellim i madh, forcat u përçanë. Përkrahësit e Xhelalit shkuan në Leshnje  për t’u hakmarrë. Mirëpo ndërhynë forcat e moderuara patriotike si Shefit Krasta, Avni e Muço Kapinova, Ali Koprëncka, kushëri i Xhelalit dhe mbasi e arrestuan Syrjanë bënë pajtimin.

Xhelali u varros në Gostënckë pranë shtëpisë së dajallarëve, pas një vrasjeje tepër të dyshimtë se, qenë vërtet motivet e mësipërme apo ndonjë plan tjetër nga kundërshtarët e tij. Misteri i vdekjes së tij ende nuk është zbardhur.