
Vendimi i Këshillit Bashkiak të Skraparit për nderimin e figurës së firmëtarit të Pavarësisë, Xhelal Koprëncka, një vendim i drejtë dhe i munguar që nderon Skraparin
Zylyftar Hoxha
Para disa ditësh, Këshilli Bashkiak i Skraparit, mori vendimin për ngritjen e një shtatoreje në Çorovodë, në nderim të të figurës së përfaqësuesit të vetëm të Skraparit, Xhelal Koprënckës, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 1912.
Një vendim i drejtë dhe i munguar që nderon Skraparin.
Ende e ka njerëz, shoqata, organizata dhe individë që nuk kanë të njëjtin mendim dhe nuk mbajnë të njëtin qëndrim ndaj të vërtetës historike.
Është e drejta e tyre, por “argumentet” që sjellin, gjuha e egër dhe retorika e ashpër dhe e paprecedentë që përdorin për personazhin në fjalë, janë tipike si ato të Luftës së Klasave të viteve 1960 -1970.
Nuk merren parasysh dokumente historike, që fatmirësisht janë të shumta dhe janë sjellë me shumë korrektësi shkencore nga i ndjeri Izet Dyrmishi, i cili ka kaluar fije për fije dosjen e tij në Arkivin e Shtetit (Mund të ketë dukumente të tjera, por askush tjetër nuk është marrë me këtë gjë deri tani).
Për Xhelal Koprënckën merren për bazë rrëfime gojore folklorike, thashetheme dhe mllefe klasore të gati 150 vjetësh, kur kanë kaluar mbi pesë breza njerëzish dhe që janë deformuar nga brezi në brez, jo ato që thonë dokumentet.
Dhe më e keqja është se quhen tradhtarë (lepura dëllinjash) ata që po mundohen ta ndriçojnë këtë figurë, këtë personalitet të lartë historik, i një prej ngjarjeve më të mëdha të historisë së Shqipërië, siç ishte krijimi i shtetit të ri shqiptar.
Më poshtë pa folur që Xhelal Koprëncka ka hedhur firmën në aktin më madhor të shtetit shqipar;
pa folur për detyrat që atij iu caktuan nga Qeveria e Vlorës si komandant i Xhandarmërisë dhe zëvendës i Ministrit të Mbrojtjes, Mehmet Pashë Dërhalla;
pa folur për mbrojtjen me 3000 – 4000 burra skraparllinj të Shtetit të Ri Shqiptar, ku ai ishte komandant i këtyre forcave nga sulmet greke në frontin e Korçës dhe të Skraparit;
pa përmendur telegramet edhe korrespondencën e tij të shumtë dhe të herë pas hershme që ka patur personalisht me Ismail Qemalin;
pa përmendur vrasjen e tij të dyshimtë (për hasmëri,) por harrojmë që kjo vrasje ka ndodhur kur ai ishte në detyrë si komandant i forcave kryengritëse të Skraparit për të mbrojtur Korçën më 1919 nga sulmet greke, pas rënies së Republikës Autonome të krijuar nga francezët.
Nuk mund të injorohet varri i tij që të mos gjendet edhe sot, por nuk mund të injorohet edhe analiza e vrasjes së tij “për shkak të detyrës”, se në fund të fundit u vra në në frontin e luftës.
Këto dhe shumë të tjera kërkojnë një punë të studiuar nga historianët dhe njerëzit kompetentë për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e këtij patrioti të madh.
***
Më posht kemi shkëputur një pjesëz nga historia e tij, që nuk e zumë në gojë më lartë, që është:
Pjesëmarrja dhe kontributi i Xhelal Koprënckës në Qeverinë e Durrësit
Kongresi i Durrësit u mbajt 107 vjet më parë, në datat 25-27 dhjetor. Në këtë Kongres, ku morën pjesë mbi 50 delegatë, u vendos për krijimin e një qeverie të përkohshme me 14 anëtarë, me kryeministër, Turhan Pashë Përmetin.
Kongresi vendosi edhe që të formohej një Pleqësi (senat), si organ këshillues i qeverisë. Delegatët u shprehën për ruajtjen e pavarësisë e të integritetit territorial të shtetit shqiptar, për rishikimin e kufijve të 1913-ës dhe për paraqitjen e këtyre kërkesave në Konferencën e Paqes.
Kongresi hartoi një program politik të përgjithshëm. Ky program kishte në themel mbrojtjen e të drejtave në Konferencën e Paqes nga qeveria e Durrësit, kërkimin e kufijve etnikë të Shqipërisë, mbajtja e qetësisë brenda vendit.
Nga dokumentet arkovore del se në Kongresin e Durrësit mori pjesë edhe Xhelal Koprëncka. Ai ishte kundërshtar i fortë Esad Pash Toptanit dhe kishte luftuar me forcat e tij kryengritëse kundër tij.
Siç dihet, Esat Pashë Toptani, pa tagrin përfaqësues të Qeverisë së Durrësit u paraqit në Konferencën e Paqes në Paris. Xhelal Koprëncka në këtë kohë zhvillon një miting të madh në Çorovodë, ku muarën pjesë mbi 2000 vetë për të kundërshtuar Esat Pashën si pjesëmarrës i rremë dhe i paautorizuar në Konferencën e Paqes.
Nga ky miting, 100 veta nënshkruan një peticion, i cili iu dërgua telegrafisht Konferencës së Paqes në kryeqytetin francez.