Xhelal Koprëncka, delegat në Kongresin e Durrësit
Kongresi i Durrësit u mbajt 106 vjet më parë, në datat 25-27 dhjetor. Në këtë Kongres, ku morën pjesë mbi 50 delegatë, u vendos për krijimin e një qeverie të përkohshme me 14 anëtarë, me kryeministër, Turhan Pashë Përmetin.
Kongresi vendosi edhe që të formohej një Pleqësi (senat), si organ këshillues i qeverisë. Delegatët u shprehën për ruajtjen e pavarësisë e të integritetit territorial të shtetit shqiptar, për rishikimin e kufijve të 1913-ës dhe për paraqitjen e këtyre kërkesave në Konferencën e Paqes.
Kongresi hartoi një program politik të përgjithshëm. Ky program kishte në themel mbrojtjen e të drejtave në Konferencën e Paqes nga qeveria e Durrësit, kërkimin e kufijve etnikë të Shqipërisë, mbajtja e qetësisë brenda vendit.
Nga dokumentet arkovore del se në Kongresin e Durrësit mori pjesë edhe Xhelal Koprëncka. Ai ishte kundërshtar i fortë Esad Pash Toptanit dhe kishte luftuar me forcat e tij kryengritëse kundër tij.
Siç dihet, Esat Pashë Toptani, pa tagrin përfaqësues të Qeverisë së Durrësit u paraqit në Konferencën e Paqes në Paris. Xhelal Koprëncka në këtë kohë zhvillon një miting të madh në Çorovodë, ku muarën pjesë mbi 2000 vetë për të kundërshtuar Esat Pashën si pjesmarrës i rremë dhe i paautorizuar në Konferencën e Paqe.
Nga ky miting, 100 veta nënshkruan një peticion, i cili iu dërgua telegrafisht Konferencës së Paqes në kryeqytetin francez.