Xhemal Rogu, karriera e suksesshme dhe cilësitë e larta trimërore të një oficeri
Demir Korita
Xhemal Tefik Rogu (Dingu) i takonte atij brezi ushtarakësh të pasçlirimit të vëndit që vunë gjithë aftësitë e tyre intelektuale dhe ushtarake në funksion të fuqizimit dhe mbrojtjes së atdheut.
Ai radhitet ndër ushtarakët më të mirë të artilerisë bregdetare dhe bijve më të shquar të Skraparit detyrë të cilën i kreu me sukses deri në daljen në pension.
U lind, më 15 dhjetor të vitit 1935, në fshatin Rog të Skraparit. I biri i patriotit Tofik Rogu, mik i Ismail Qemalit në periudhën 1905-1913, ku Tefiku në detyrën e komisarit në lagjen e Ysqydarit në Stamboll iu siguronte mbrojtje patriotëve shqiptar në prag të lëvizjes për liri e pavarësi kombëtare.
Qysh në rininë e tij, Xhemali u rrit dhe u edukua në një truall patriotik, siç ishte Skrapari e Rogu i tij i dashur. U mbrujt nga kujtimet e këngët që u këndohej trimave të Skraparit, si ato të Lace Backës, Riza Cerovës, Ali Myftarit (Farmaqi), etj. I rritur e i edukuar në prehrin e të atit, Tofikut, Xhemali u ushqye me ndjenja të thella patriotike të të parëve të tij, si Hysen e Xhemal Rogu, të cilët luftuan kundër pushtetit ushtarak dhe administratës turke në zonën e Çepanit, të Frashërit e Dangëllisë, dhe koshadhet turke me tradhti i kapën (viti 1898) dhe iu prenë kokën.
Në këto kushte, i ati i tij, Tefiku, ishte i vogël, i cili u rrit në Stamboll, nën kujdesin e dajove të tij. Atje, u arsimua dhe në vitin 1905 përfundoi shkollën ushtarake, ku u gradua oficer. Punoi në detyren e komisarit në rajonin e Ysqydarit, në Stamboll.
Tefik Rogu
Bie na kontakt me shumë patriot e rilindas shqiptar, e veçanërisht me Ismail Qemalin. Nën petkun e oficerit, Tefiku, iu siguronte, që këta atdhetarë të zhvillonin normalisht takimet e përcaktonin strategjinë për çështjen e mëvetësisë së atdheut.
Në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 29 nëntor 1912, Tefiku ndodhej në Vlorë, në mbrojtje të udhëheqjes, dhe vetë të Ismail Qemalit, ku midis tyre ishin dhe ushtarak të tjerë skrapallinj, si Mustafa Spathara, Xhelal Koprencka (firmëtar), Maliq Vlusha, Skrapari, etj.
Për kontributin e dhënë, Ismail Qemali e emëroi në detyrën e komandantit të xhandarmërisë për Vlorën, dhe me pas, po në këtë detyrë shkon në Durrës. Prej atje, ai mbante korrespodencë me Ismail Qemalin, nga ku e njofton për prapaskenat që organizonte Esat Pashë Toptani në kurriz të Qeverisë së Vlorës.
Me rënien e Qeverisë së Vlorës, më 22 janar 1914, Tefiku shkon përsëri në Turqi, ku atje vazhdon veprimtarinë patriotike. Nuk rri gjatë atje dhe kthehet përsëri.
Mbas Kongresit të Lushnjes, më 21 deri 31 janar 1920, e më pas, Tefiku punoi si jurist në Këlcyrë, Berat e Skrapar. Lufta antifashiste e zuri të moshuar, por si ushtarak, ai dha ndihmesën e tij, duke vënë shtëpinë, si bazë të LANÇ-it dhe tre fëmijët, Hyseni, Bukurija dhe Liria, që u rreshtuan në njësitë partizane.
Pra, në këtë vatër patriotike, u rrit dhe u edukua Xhemal Dingu dhe për më tepër, ai u dashurua me rrobën ushtarake, të cilën ia edukoi i ati, Tefiku. Me dëshirën për të vazhduar rrugën e të atit, Xhemali vazhdoi shkollat ushtarake. Pas përfundimit te shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” (1955), vazhdon Shkollën e Bashkuar të Oficerave, specialiteti Artileri (1957). Xhemali përvetësoi dhe u aftësua shumë shpejt si artilier, ku në qitjet e bëra, arriti të plotësojë objektivin.
Në vitin 1956, Xhemali përfitoi të drejtë studimi në shkollën e Lartë të Artilerisë Bregdetare në Riga të Lituanisë (ish Republika Sovjetike. Përfundon studimet ushtarake, në korrik 1959, ku mori gradën e togerit. Ishte vetem 23 vjeç. Në shtator të atij viti, emrohet komandant i baterisë 110m/m në Durrës, në vëndin e quajtur “Kodra e Trimave”, mbi Currila
Dy vjet më pas, e emrojnë instruktor të teorisë në Shkollën e Artilerisë Bregdetare në Durrës. Në vitin 1963, e emërojne komandant të Grupit të Artilerisë 122m/m në Durrës, një detyrë mjaft e rëndësishme, pasi kishte si detyrë, rajonin e mbrojtjes bregdetare.
Si ushtarak, me perspektivë dhe me aftësi teorike e praktike, drejtues e komandues i zoti, në vitin 1966 – 1968 përfundon Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, në Tiranë, specialiteti i Artilerisë dhe emërohtet në detyren e Komandantit të Regjimentit 15-të të Artilerisë Bregdetare, me vëndkomandë, Qafa e Koshovicës, në Korpusin e parë të Fierit. Xhemali, u shqua edhe kur Ministria e Mbrojtjes apo Korpusi kryen stërvitje të mëdha komando-shtabi me trupa, ato komplekse, i cili si ushtarak e shtabist dallohej për marjen në kohë të vendimeve luftarake, ku ishte vlerësuar shkëlqyeshëm nga ekipet e Ministrisë së Mbrojtjes.
Si kuadër e artilier i zoti, Xhemali dëgjohej me nderim e respekt nga shokët e komandës e shtabit të Korpusit e të Ministrisë së Mbrojtjes. Ishte puna dhe autoriteti i tij, shëmbulli vetiak para oficerit dhe ushtarit, dashuria e respekti për ta, duke qëndruar pranë tyre në çdo kohë, mot të keq e të mirë, pranë halleve të ushtarëve e oficerëve.
Në shpirt ishte “rrebel” dhe i “pabindur” përpara elementeve kritikë, servilë, hileqarë e karrieristë. Ishte kundër shabllonizmit dhe skematizmit.
Gjatë karrierës së tij ushtarake, Xhemali punoi e bashkëpunoi me ushtarakë e artilierë të zotë si, gjeneral Todi Naço, Xhaferr Matuka, Rustem Peçi, Hasan Seferi, Dervish Mejdani, Mehdi Islami, Petrit Veizi, Hysen Kambo, Reis Beqo, Islam Lame, Arif Kuka, etj. Idhujt e tij ishin strategët e mëdhenj ushtarak botëror si Klauzeviçi, Kutuzov, Zhuvkov si dhe ata shqiptar, Mehmet Shehu, Petrit Dume, Todi Naço, etj.
Në vitin 1990, pasi mbushi moshën 55 vjeç, doli në pension, por jo si të tjerët, që u mbyllën në “guackën” e tyre. Xhemali, ishte plot energji e dinamik, autoritar dhe i respektueshëm sa në qytetin e Fierit të gjithë e thirrisnin “komandant”. A thuajse nuk kishte emër! Kur shumë ish-kuadro civilë e ushtarakë strukeshin, Xhemali doli në ballë të luftës për sigurimin e jetës së qytetarëve fierakë në dhe pas trazirave të vitit 1997.
Xhemali mori pjesë në krijimin e shoqatave atdhetare si në ato kundër trazirave të pas ‘90-ë, në shoqatën e skraparllinjve, organizonte takime, e zhvillonte kumtesa për data e ngjarje historike, për figura e personalitete të krahinës. Për t’i bërë më shumë jehonë këtyre veprimtarive, së bashku me Zenel Hysin, Demir Koritën, Nuredin Qaton botuan gazetën “Skrapari” .
Vitet e fundit të jetës i mbylli në një apartament të dhënë me qira simbolike nga një ish-ushtar i tij, ku mbylli sytë përgjithmonë më, 29 janar të vitit 2015 në moshën 80-vjeçare. Megjithatë, Xhemali mbeti kryelartë, fisnik, i papërkulur, dinjitoz, siç janë fisnikë e kryelartë bijtë patriote e atdhetarë, të Skraparit.