Xhevdet Shallari: “Tregime dhe kujtime nga vendlindja dhe aktualiteti shqiptar”
Viktor Bakillari
Është burrë zakoni, është mësues, është poet që shkruan në frymën e rilindësve, është edhe rrëfenjës e tregimtar. Është njohës i rrallë i traditave të Tomorricës e të krejt Skraparit.
Xhevdet Shallari është një xhevahir Skrapari nga Greva e Tomorricës. Është mësues veteran që ka shkrirë jetën për arsimimin nxënësve të Grevës së tij të pazëvendësueshme (unë jam krenar që kam qenë nxënës i tij), të tomorricarëve e skraparasve.
Në 2023, mësues Xhevdeti, pas tre librave me poezi dhe një monografi të gjithanshme etnokulturore për Grevën e Tomorricës (bashkautor), nxori librin në fjalë.
Libri paraprihet nga një parathënie e shkruar nga Hasan M. Shahinaj.
Mandej nisin shkrimet e autorit të sistemuara në disa rubrika.
Fillimisht autori përshkruan disa figura të mëdha nga Skrapari, figura të cilat tejkalojnë suazën lokale duke pasur një njohje nga veriu në jug, si komandantin e Tendës së Qypit dhe njëherazi “Heroin e Popullit” Zylyftar Veleshnjen, burrin e madh të Skrapari,t Kahreman Yllin, doktorin nga Gjerbësi i Tomorricës, prof. Ajli Alushanin etj.
Një gjini krijimtarie e parapëlqyer për mësues Xhevdetin është sprova (eseja); rrëfimi, tregimi. Gjuha e tij është e lëvruar mirë, e pastër, e kulluar do të thoshim pa e tepruar; thjesht naimjane.
Tematika është e larmishme. Sythet e njësive brenda librit autori i ka vjelë me kujdes nga e djeshmja dhe nga e sotmja. Aktualiteti, plagët shoqërore (përplasjet politike-kuvendore, emigrimi, zbrazëtia e zonave, zvetnimi i vlerave) trajtohen në mënyrë lakolike nga autori.
Ai është një rrëfenjës mjeshtër i prozës së shkurtër.
Mësues Xhevdeti na sjell lloj-lloj ngjarjesh, rrëfenjash, ndodhi, histori nga jeta dhe përditshmëria. Shumë nga rrëfenjat dhe tregimet nuk janë fantazi, as trillime, por “kanë ndodhur, pa tregohen”.
Na lejoni të shkëpusim një pjesë nga tregimi, “Mehmet Meleq Dushari” (Dushari është fshat i fisëm kapedanësh që bën pjesë në Oparin e Korçës; mund të themi se është fshat kufitar me Grevën); nuk na ndan, por na bashkon Qafa e Gjalprit (Gjarprit).
***
Njëherë, Mehmeti e dërgoi djalin Maliq në Ermenj. Atje qe një zonjë e ve dhe Mehmeti donte t’ia bënte të kushëririt, ndaj nisi Maliqin. Maliqi vishte një kostum të zi dhe mbante këpucë me gozhdë. Ishte i pashëm. Fliste qartë, rrjedhshëm. Atë që thoshte e argumentonte dhe s’të linte mundësi kundërshtimi.
Vajti Maliqi te miku në Ermënj e thirrën zonjën. Në një mënyrë shumë të arsyetuar i bëri kërkesën zonjës për të kushëririn. Zonja kundërshtoi. Maliqi vazhdoi bisedën me zonjën për dy-tri orë duke përdorur mençurinë dhe oratorinë e tij. Zonja nuk tundej nga e saja. Kur Maliqi u bind se edhe tre vjet të vazhdonte biseda e kërkesa, ajo nuk donte për kushëririn, i tunduar jo vetëm nga bukuria, por edhe nga forca me të cilën ajo argumentonte kundërshtimin e saj, ai tha:
-Mirë për kushëririn nuk do, po për mua a je dakord?
Për çudinë e të gjithëve ajo nuk hezitoi, por menjëherë tha: Po!
Kur vajti në shtëpi, Mehmeti e pyeti:
-Hë, si shkoi puna?
-Nuk deshi, tha Maliqi, -kur e bëra për vete, më vajti goja prapa.
Mehmeti i foli: Po ti e ke gruan!
T’i bëj dy, – tha Maliqi.
Mehmeti kishte dy gra. Më vonë, Maliqi e mori, u bë edhe ai me dy gra …
***
Një ndër anët e këndshme të këtij libri është edhe humori i hollë, madje përbën pjesën dërrmuese të librit.
Ka shkumë grimca humoristike që të nxjerrin nga mërzia.
Libri mbyllet me disa kujtime për disa fshatra ku autori ka shërbyer si mësues, si për Treblën, Leskovën dhe Rovicën, fshatra me familje mikpritëse që dinë të nderojnë mikun dhe mësuesin.
Pena, plug, o Lala!