Xhoxhi Robo: Si na penguan ballistët e Stambollit për eshtrat e Abdylit (Pjesa e katërt dhe e fundit)

Xhoxhi Robo: Si na penguan ballistët e Stambollit për eshtrat e Abdylit (Pjesa e katërt dhe e fundit)

Pritje madhështore

 

 Në Stamboll vajtëm vonë natën dhe konsulli Rakip Hoxha më njoftoi që të nesërmen në orën 9:00 na priste Valiu i Stambollit. Dua të theksoj se eshtrat e Abdyl Frashërit që në shkurt 1978 me lejen e qeverise turke ishin nxjerrë nga varri, dhe arkivoli ndodhej në një dhomë në Konsullatë. Në orën 9 vajtëm tek Valiu. Na priti shumë ngrohtë, foli fjalë të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët duke e quajtur miqësi shekullore.

 

 

 

Valiu na vuri ne dispozicion shefin e protokollit për të vizituar kuriozitetet e Stambollit. Pas vizitës të Top-Kapesë, pallati i vjetër i sulltanëve, Dollma Baçesë, pallatin e ri të sulltanëve, ku vizituam edhe dhomën ku kishte vdekur Ataturku, Shën Sofinë dhe Xhaminë Blu të ndërtuar nga arkitekti shqiptar “Usta Sinani”, valiu na shtroi një drekë në një restorant shume luksoz në buze të detit.

 

 

Pengesë për eshtrat e Abdylit, ballistët e Stambollit

 

 

Qeveria shqiptare kishte vite të tëra që interesohej për këtë problem. Ishin shkëmbyer shumë letra dhe mesazhe diplomatike me  qeverinë turke, por pa rezultat.  Nuk kishte fajin qeveria turke, pasi ajo ishte vënë nën presion të disa krerëve të Ballit Kombëtar që kishin ikur pas Luftës në Turqi, dhe veçanërisht të Tahir Kolgjinit dhe Qazim Prodanit.

 

Ata pretendonin se Abbyl Frashëri iu përkiste ballistëve nën pretekstin se Mit’hat Frashëri, djali i tij, kishte qenë kryetar i Ballit Kombëtar dhe se ishte person “non grata”  për Partinë dhe qeverinë shqiptare. Kështu duhet të ishte edhe Abdyli, sipas tyre. Në vitin 1977 u shfrytëzua një konjukturë politike. Në Turqi fitoi partia që kishte si kryetar Eçevitin, që u bë edhe kryeministër, dhe që ndiqte një rrugë më të butë demokratike e përparimtare.

 

Në kontakte me Eçevitin (i cili kishte edhe prejardhje shqiptare) qeveria jonë mundi të siguronte lejen që të merrte eshtrat e Abdyl Frashërit dhe t’i kthente në atdhe.

 

 

Si u ruajt me armë varri i Abdylit nga shqiptarët e diasporës

 

 

Pas dreke, pasi bëmë vizitat nëpër Stamboll, shkuam në Hyskidor, pjesën aziatike të qytetit. Atje na pritën shumë shqiptarë, patriotë nga Shqipëria, Kosova dhe Çamëria dhe së bashku vizituam varrin e Abdylit. Ai ishte bosh, por ne hodhëm aty një tufë me lule. Bosh, pa eshtra, ishte edhe varri i Naimit në krahë, se ato ishin marrë që në vitin 1937. Varri i Abdylit ka qenë i veshur me mermer të bardhë dhe mbi të një pllakë e zezë ku ishin gdhendur fjalët e Naimit: “Hybdyl vatan, minel yman”, që do të thotë: “Ti jemi mirënjohës mëmëdheut”. Këto varre u shkatërruan në vite nga luftërat, por patriotët shqiptarë i ringritën ata dhe në kujtim të tyre shpesh vendosin tufa me lule.

 

 

Na kishte treguar konsulli ynë më parë, por e dëgjuam edhe nga goja e tyre se si e kishin ruajtur varrin e Abdylit. Siç dihet Abdyli u persekutua nga sulltani e vdiq i sëmurë dhe në varfëri. Edhe varrin e tij e bëri teqeja bektashiane në Hyskidor në varrezat e saj dhe varri i tij ishte i thjeshtë. Ata na thanë që qeveria e Eçevitit dha lejen, por deri sa erdhi urdhri dhe u bënë formalitetet kaluan disa ditë. Patriotet shqiptare vendosen që ta ruajnë varrin se mos eshtrat i merrnin ballistet.

 

 

Më i vendosur u tregua një patriot nga Tetova, tregtar i cili i armatosi të katër djemtë e tij dhe ju tha që të mos ktheheni në shtëpi po t’i ndodhi ndonjë gjë varrit të Abdylit (Për dijeni, ky patriot një djalë të tij na e lejoi që të na shoqëronte gjatë gjithë kohës. Ai na priti në kufi, na shoqëroi në Stamboll, na dha dhe një dreke dhe na përcolli në kufi. Vetë bashkë me babain, të ftuar nga ana jonë për gjestin që bënë, morën pjesë në festimin e 100 vjetorit në Tiranë).

 

 

Harrojeni Samiun, ai është identiteti ynë shkencor!…  

 

 

Në ceremoninë e përcjelljes së eshtrave të Naim Frashërit kishin ardhur edhe autoritetet turke, me në krye zëvendës valiun e parë të Stambollit. Me të u bë një bisede interesante. Ai pyeti nëse Abdyli ishte vëllai i Samiut. Kur ne i thamë “po”, ai vazhdoi nëse janë të një nëne dhe babe. I thamë se jo vetëm janë të një nëne e një babe, por që kanë lindur në Shqipëri, në Frashër të Përmetit dhe ky (i treguam Duro Kapon) është valiu i Përmetit dhe para se ta çojmë në Tirane do e çojmë në Frashër. Atje është ngritur dhe një muzeum i posaçëm për vëllezërit Frashëri, pastaj do t’i çojmë në Tiranë, ku janë edhe eshtrat e Naimit. Ju – i thamë – bëni mirë të na jepni dhe eshtrat e Samiut…

 

 

Ai buzëqeshi dhe tha: “Shemshedin Samiu për ne është shkenca, kultura, arsimi dhe sa të jetë brezi i tanishëm, nuk guxon njeri të marrë vendime të tilla. Brezi që do vijë, brezi i ri kozmopolit që po largohet nga traditat, mund të marrë ndonjë hap në të ardhmen”…

 

 

Pritja në Shqipëri

 

 

Në Kapshticë na priste një turme e madhe njerëzish. Kishin ardhur dhe autoritetet lokale të Korçës e Bilishtit, disa ministra e deputetë, kryetari i Akademisë së Shkencave, ai i Lidhjes së Shkrimtareve dhe mjaft autoritete shkencore të artit e kulturës. Po kështu miting i madh u bë edhe në Korçë dhe që nga Kapshtica e deri në Përmet fshatarë gjatë rrugës na përshëndesnin.

 

 

Në Permet kishte dalë i gjithë populli dhe që tek ura e deri tek Komiteti Ekzekutiv arkivoli u mbajt në krahë dhe kalonte midis popullit që duartrokiste dhe grupeve e valltarëve e këngëtareve. Në mbrëmje u dha dhe një koncert ku midis të tjerëve grupi i Laver Bariut kishte improvizuar një këngë për ardhjen e eshtrave të Abdylit që u këndua nga Suloja, anëtar i këtij grupi.

 

 

Të nesërmen ra dëborë e madhe, por me ndihmën e një traktori të SMT edhe të mjeteve të ushtrisë, u hap rruga dhe e çuam arkivolin në Frashër dhe e vendosem në muzeum. Një ditë përpara ditës së 100-vjetorit e sollëm në Tiranë arkivolin me eshtrat e Abdylit.