Ymer Minxhozi: Sentenca filozofike dhe aforizma humori mbi aktualitetin shqiptar
Ymer Minxhozi është një emër i njohur i gazetarisë dhe publicistikës shqiptare. Është autor i mbi 20 librave me ese, satirë, shënime udhëtimesh dhe kujtime.
Pasi ka mbaruar studimet në Moskë për gazetari në vitet ’50, ai ka qenë korrespondent i shtypit shqiptar në Kinë dhe vendet e Azisë Juglindore, e më pas ka drejtuar gjatë jetës së tij për shumë vite revistën “Shqipëria e Re”.
Minxhozi ka qenë prezent dhe aktiv me shkrimet e tij edhe pas viteve’90, kohë gjatë të cilës ka botuar vëllimet: “Avokati i djallit – fjalë fluturake”, “Borë e zezë”, “Shansi i humbur”, “Era e mykut”, “Ditari i tre kontinenteve” etj.
Zgjodhëm për “Orakujt e Tomorrit” nga një libër i Ymer Mindinxhozit disa sentenca filozofike me nuanca humori të krijuara prej tij, që pasqyrojnë situatën aktuale te ne.
Le të jenë këto thënie brilante, si një homazh kujtimi për publicistin e njohur, i cili është ndarë nga jeta para tre vjetësh
***
– U vranë me njëri-tjetrin për pronë, por toka për të cilën ishin grindur nuk ishte as për dy varre.
– Rend do të thotë të mos bësh atë që do, e, megjithatë, rendin e duam.
– Unë kurrë s’do merrja rryshfet, në qoftë se s’do të kishte njerëz të ma jepnin.
– Ujkun e qethnin që të vinte mend, ai thoshte: – shpejt se më ikin dhentë!
– U dashuruan marrëzisht dhe u martuan. Sapo u iku marrëzia, – u ndanë.
– U futa në listën e të persekutuarve politikë, sepse më graduan me vonesë.
– U bënte shoqëri shkrimtarëve të shquar, duke menduar se talenti është grip.
– Të vërtetën në fillim e fshehin, pastaj i vihen ta kërkojnë.
– Shkencëtar është ai njeri që i përshkruan sendet e njohura nga të gjithë, me fjalë të panjohura nga askush.
– Shqipëria do të bëhet si Zvicra, atëhere kur zviceranët do të pranojnë që ekonominë e tyre ta drejtojnë shqiptarët.
– Shiu qe aq i fortë sa të gjithë derrat u lanë dhe të gjithë njerëzit u bënë me baltë.
– Sikur të lindte dielli në mes të natës, ne do të shihnim shumë gjëra që s’do dëshironim t’i shihnim.
– “Skllavëri e përjetshme”: Kur isha fëmijë prindërit më detyronin të ha. Tani që u rrita më detyron gjyqi të ushqej prindërit.
– Sa më i lartë posti zyrtar, aq më i shumtë në numur është far e fisi.
– Stjuardesës së re i pëlqen puna në aeroplan, sepse atje janë burrat të lidhur.
– Sytë nuk janë vetëm për të parë. Ato janë edhe për t’i mbyllur.
– Si drama ashtu edhe tragjedia, para se të dalin në skenë, luhen në prapaskenë.
– Secili njeri është një botë më vete. Prandaj dhe s’ka një botë për të gjithë.
– Roja i vinte vërdallë magazinës për të parë se mos afrohej ndonjë vjedhës. Kur s’kishte të tillë, vidhte vetë.
– Rreziku i të qënit e bukur është se mund të mjaftohesh me aq dhe të mbetesh budallaqe.
– Para se të trokisni në derën time, ju lutem fshijini këpucët të porta e fqinjit përkarshi.
– Pa arritur të ambjentohemi me këtë botë, vjen koha për të shkuar në tjetrën.
– Pemët vdesin më këmbë, në qoftë se nuk i presim.
– Paradoks: Vetëm duke lundruar kundër rrymës, mund të arrihet tek burimi.
– Pushimet familjare janë vazhdim i luftës midis bashkëshortëve, në një territorr asnjëanës.
– P-ja midis gërmave (për çudi) doli e para, si rëndësi: Para, Pronë, Pushtet, të tjerat numroini vetë!
– Në qoftë se dëshironi t’i shisni mollët e krimbura, i shpallni ato të ndaluara.
– Nusja e shpreh gëzimin e martesës duke u veshur me fustanin e bardhë, ndërsa dhëndëri me kostumin e zi.
– Në qoftë se dëshiron të biesh në sy, fshiu.
– Karvani le të lehi, qentë shkojnë përpara.
– Kush fillon të vjedhë me vonesë, përpiqet të kompesojë edhe kohën e humbur.
– Kalimi nga një parti në tjetrën bëhet sipas ligjit të La Vuazerit: “Asgjë s’humbet, asgjë s’krijohet, çdo gjë transformohet”
– Kur gjuha nuk ka turp, turpërohen ata që e dëgjojnë.
– Në koshin e plehërave të historisë, gjithmonë ka vende vakante.