Yzedin Hima: Berati, këtë verë, “Kullë Babiloni”, ku fliteshin të gjitha gjuhët e botës

Yzedin Hima: Berati, këtë verë, “Kullë Babiloni”, ku fliteshin të gjitha gjuhët e botës

 

Yzedin Hima

Kjo verë për qytetin e Beratit ka qënë e hatashme.

 

Lumenj turistësh nëpër rrugicat e gurta të Kalasë, Mangalemit, Goricës e më gjerë. I gjithë qyteti u shndërrua në një hotel gjigand. Fare mirë, në portat hyrëse të qytetit mund të vendoseshin reklama gjigande: “Hotel Berati”. Krahas monumenteve të trashëgimisë kulturore, ushqimit, mikëpritjes, lipset edhe një reklamë gjigande: “Ejani të provoni një gjumë berati!”

 

Është i njohur në gjithë vendin fenomeni “gjumë berati”.
Miqtë tanë që vijnë nga Tirana, Korça, Shkodra apo Prizreni, jo pa habi, tregojnë se sapo hyjnë në qytetin tonë, ndjejnë një prehje të ëmbël të shqisave, gjymtyrëve, të të gjithë trupit dhe mezi presin të kridhen në gjumin e ëmbël te shtrati. Të nesërmen, krahas guzhinës së traditës, mikëpritjes, flasin për gjumë berati, një lloj zhytje në re në një qiell pavetëdije.
Çdo shtëpi në kopshtin apo oborrin e shtëpisë, në rrugicën matanë portés, në lëndina hapi një restorant apo kafene. Beratasit shquhen për butësi dhe respekt në trajtimin e të huajve. Dikush, pak më në jugperëndim të Beratit i quajti banorët e këtij qyteti të urtë, të tërhequr, që nuk hidhen. Natyrisht përgjigjia e beratasit qe interesante: “Na u ka dashur 2400 qyterërim që të mësojmë të mos hidhemi…”
Dhe disa probleme:
Kjo dyndje që e ktheu qytetin e Beratit në Kullën e Babilonit, ku fliteshin gjuhët e botës, nxori në pah edhe disa probleme: si niveli i shërbimit, punonjës të patrainuar në shërbime, sforcim në trajtimin e mbeturinave në një qytet që befas u dhjetëfishua, raste të babëzisë nën moton ‘ Erdhi zogu në dorë, t’i shkulim të gjitha pendët” etj.etj.
Çmimet në qytetin e Beratit këtë verë kanë qënë në kufijtë e pamundësisë për punonjësit me rrogë shteti apo ata me mëditje te privati. Nëse mjaft qytetarë përfituan nga turizmi, shumë të tjerë, që nuk kanë mundësi të ofrojnë gjë për turistët u shkundën mirë gjatë këtyre muajve. Duhej të konkuronin fuqinë blerëse të turistëve, të cilët qenë shpërndarë në shtëpitë e qytetit dhe gatuanin vetë.
Berati krahas trashëgimisë kulturore, ka mundësi dhe rezerva të mëdha për t’ua bërë edhe më të këndshëm Beratin turistëve nga e gjithë bota. Institucionet, banorët duhet të mendojnë që tani për vitin e ardhshëm turistik, që urojmë të jetë i begatë si ky që po ikën.