Yzedin Hima: Qeni pa zot

Yzedin Hima: Qeni pa zot

Shpesh ajri bëhet pis nga të lehura të panatyrshme prej qeni…

Yzedin Hima

 

Ai leh mjaft bukur. Leh me porosi. Kur shikon nga i zoti, lehja e tij është një lutje e gjatë qeni, plot përulje. Kur shikon poshtë, lehja i kthehet në një ulërimë tmerruese, sa që kafshët e shtëpisë fshihen ku të mundin. Ndërsa kur mbetet pa zot, kur e flakin poshtë në honin e qenëve, kuisja e tij të këput shpirtin.

 

Qeni, kjo kafshë besnike, e ka të vështirë të ndërrojë të zotin. Ndryshe nga qeni, ky qen dykëmbësh nuk e ka për gjë të ndërrojë zot. Madje, nuk e ka për gjë t’i turret të zotit. Është qen që ha të zotin.

 

Në fillim iu afrua oborrit të një shtëpie të lyer me bojë të kuqe. Aty lehu e lehu, derisa i zoti i shtëpisë doli, i hodhi një kockë dhe i vuri qaforen e kuqe. I lëpihej për dreq zotit të ri. Nisi të hungërinte kërcënueshëm djathtas, në qendër dhe majtas.

 

Pasi u rehatua në shtëpinë e kuqe, nisi nga zullumet. Në vend t’i ruante  delet e të zot, bëri kompromis me egërsirat dhe delet e shtëpisë së kuqe nisën të pakësohen deri ditën kur i zoti i shtëpisë e zuri në flagrancë me qelbësit duke ngrënë shqerrat e tij. E përzuri si qen bir qeni. Pas flakjes, kuisjet e tij si qen pa zot ia këputën shpirtin gjithë qenieve rreth e rrotull.

 

Pastaj kjo gjallesë vuri re shtëpinë blu, ngritur mbi një kodër. U nis drejt saj dhe nisi të kuisë plot dhimbje qeni. Trishtimi prej qeni u përhap edhe në mjedisin rreth shtëpisë blu. Sidomos preku njërin nga banorët me shpirt prej qeni. Ai doli, i hodhi një copë mishi dykëmbëshit dhe i vuri hallkanë blu në qafë. Të gjithë banorët u tronditën sa shpejt e ndryshoi lehjen ky qen bastard. Tani e kapi shkëlqyeshëm regjistrin lehor të shtëpisë së re. E mbuluan me kocka dhe copa mishi, sa nuk i lanë kohë për lehje, duke ia zënë zgurën. E vetmja mirënjohje ndaj shtëpisë blu qe lëvizja e bishtit prej qeni, që lëvizte si turielë para zotit të ri.

 

Aq shumë territor i dha i zoti i shtëpisë blu, sa qeni u ndje zot i vërtetë dhe nisi të gjuante në të gjithë territorin e dhënë pa pyetur për ligje gjuetie. Dëmi që bëri në pyje matej me dëmin e të gjithë derrave gjatë mijëvjeçarit të dytë pas Krishtit. Kur banorët e tjerë nisin të pëshpërisin se ky qen bir qeni ia kishte kaluar të gjithë zogorisë së qenve, jo në ruajtjen e shtëpisë blu, por në dëmtimin e pronave të saj, qeni vërsulej e lehte me tërbim drejt shtëpinë mavi, duke i mbytur zërat ankues të banorëve të shtëpisë blu për të. I zoti i shtëpisë blu pëshpëriste: “apapapapapappapa… qen më besnik se ky nuk më kanë parë sytë e nuk më vjen më.” Këtë e kishte kuptuar edhe qeni dykëmbësh.

 

Po nuk e la zakonin e vjetër. Nisi të ndërsehej nga banori me shpirt prej qeni kundër banorëve të shtëpisë blu, që ai i shihte si rivalë në ndarjen e punëve shtëpiake. Qeni, sapo merrte shenjën i turrej presë me lehje dhe kafshime pa pikë frike e ndrojtjeje. Gjithmonë e mbante një sy hapur nga zoti i madh i shtëpisë blu. Kur shikonte që ai ishte në humor, nisi të kafshonte djathtas dhe majtas banorët e shpëpisë blu. Madje aq zemër dhe forcë mori, sa që i dëboi nga shtëpia blu mjaft banorë fisnikë, që nuk i plotësonin tekat e tij prej qeni, ndonëse asnjëherë nuk reshti t’i tundte bishtin e tij qenor zotit të shtëpisë.

 

Kur po bëhej ndarja e re e zonave të lehjes, qenit i ra për pjesë një zonë jo fort e sigurt. Atë mund ta merrte shtëpia e kuqe, ose shtëpia rozë. Pak shanse kishte ta mbante shtëpia blu. Qeni bastard u ndje i zhvlerësuar, i poshtëruar, i fyer. Mu në mes të pazarit të qenëve, ende pa u ndarë zonat, u largua nga shtëpa blu dhe iu afrua shtëpisë mavi. Nisi t’i lehte shtëpisë blu, ndërsa bishtin ia tundte shtëpisë mavi. Lehte e lehte, pastaj kuiste, pastaj hungërinte. Të mos e njihje se çfarë qeni bastard ishte, kuisja e tij ta këpuste shpirtin. Kishte mbetur qen pa zot.

 

E dëgjoi i zoooooti i shtëpisë mavi edhe lehjen, edhe kuisjen e bastardit dhe hodhi një sy nga oborri. Nuk kishte nevojë të ngrihej sepse, falë shtatit të tij, e vuri re qenin e mjerë tek i tundte bishtin shtëpisë mavi dhe i lehte tërë egërsi shtëpisë blu, ku ishte majmur aq shumë, ku kishte lehur pa fund, ku kishte kafshuar për llogari të tij dhe te njeriut me shpirt qeni.

 

I zoti i shtëpisë mavi i fishkëlleu lehtë: fiiifiu. Bastardi  u rrënqeth nga kënaqësia dhe qe gati t’i vendoste të dy këmbët e para deri aty poshte, ku mund t’i arrinte, por i zoti i shtëpisë mavi e pa me neveri dhe e mbajti larg me shkopin e gdhëndur e të lyer ngjyra- ngjyra. Pastaj urdhëroi t’i jepej një kockë pa asnjë fije mish, vetëm për lëpirje. Të gjithë banorët e shtëpisë mavi u tronditën kur panë se si bishti i qenit bastard u shndërrua në elikë dhe qeni me kockën në gojë u u ngrit nga toka dhe nisi të fluturonte nga kënaqësia. I zoti i shtëpisë mavi e largonte, sapo ai kalonte kufjtë prej qeni dhe i avitej zotit të ri.

 

Për mëshirë, apo për meritë, kjo nuk është ende e qartë, i zoti i shtëpisë mavi e caktoi të ruante vathën e kafshëve të egra, të cilat qenë kapur dhe ruheshin aty. I pakënaqur nga statusi prej qeni ku qe caktuar, qeni bastard futi bishtin nder shalë dhe nuk u ndie më. Të gjithë kishin harruar edhe lehjet, edhe kuisjet, edhe hungërimat e tij, deri sa i erdhi sërish dita prej qeni. Befas, për fatin e tij dhe për mëkatin e dikujt, u gjend në qendër të qenërisë.

 

Nisi t’i lehte në mënyrë të tmerrshme zotit të shtëpisë mavi, ku qe strehuar dhe ushqyer për muaj e vite, por bishtin nisi t’ia tundte të zotit të shtëpisë së kuqe dhe më të rrallë edhe të zotit riosh të shtëpisë blu. Pasi i leh me tërbim shtëpisë mavi, kthehet dhe kuis nga shtëpa e kuqe dhe pakëz nga shtëpia blu. Kuis e kuis me ta këputë shpirtin. Sërish është qen pa zot, qen bastard në pritje të zotit të ri.