Zgjerohet harta arkeologjike e Skraparit: Zbulohet në fshatin Polenë një kapitel i shekullit VI
Më 28 korrik të vitit 2016 Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare njoftoi se gjatë punimeve për zgjerimin e rrugëve hyrëse që TAP që po realizohen në Çorovodë, në Polenë të Skraparit, seksioni Zogas-Potom, u zbulua një kapitel paleokristian. Burime nga TAP bënë të ditur në atë kohë se punimet u ndërprenë menjëherë pas evidentimit të gjetjes në kantier, ndërsa ekspertët u kujdesën për ekzaminimin dhe ruajtjen e këtij objekti.
Objekti arkeologjik, një kapitel i shekullit VI, doli në dritë në vendin e quajtur Kishëz gjatë punimeve të projektit TAP. Tek përshkrimi i gjetjes, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare shënoi se: “Gjetja u përcaktua si një kapitel i një kolone të një monumenti (strukturë me natyrë fetare), ndoshta kishë të shekullit të 6-të të e.s.
Kapiteli është 0.40 m i lartë dhe diametri i bazës rrethore të tij është 0.24 m. Baza rrethore e kapitelit ka të ruajtur në qendrën e saj një gropëzim që shërbente për lidhjen e tij me trupin e kolonës (me metal të derdhur). Trupi i kapitelit vjen duke u holluar lehtësisht në mes dhe zgjerohet në pjesën e sipërme të tij, duke marrë formë katërkëndëshe. Lënda e parë e përdorur për kapitelin është gur gëlqeror cilësor dhe trupi i tij është zbukuruar me vija të thelluara, që krijojnë tetë figura florale të përsëritura dhe që lidhen në mënyrë harmonike me njëra-tjetrën.