Zëri i fuqishëm dhe i bukur i një intelektuali beratas
Gazetari dhe publicisti i njohur Namir Lapardhaja, ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare në Gjermani, në orët e para të mëngjesit.
Lajmi është konfirmuar për gazetën “Tema” nga familjarët e gazetarit, i cili sot, ndryshe nga herët e tjera, nuk po përgjigjej më në telefon. Shkaku i vdekjes dyshohet të ketë qenë tromboza në zemër.
Lapardhaja ishte një qytetar i angazhuar në politikë dhe në media, shquhej për mendimet, opinionet dhe analizat e tij të thukta në media, por edhe për shkrimet e tij si publicist dhe kritik letrar.
Një djalë i kulturuar, i mençur që rridhte nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist.
Si pjesë e së djathtës, ai nuk ishte konformist si shumë kolegë të tij, por një zë i fuqishëm i ngërçit të së djathtës së sotme shqiptare dhe sidomos problemeve që përjeton opozita e sotme.
Lapardhaja është autor librash, esesh dhe një numri të madh artikujsh që do të mbeten trashëgimia e tij kulturore për shoqërinë dhe familjen e tij.
