Zylyftar Hoxha: Çapat e para në botën mediatike

 Zylyftar Hoxha: Çapat e para në botën mediatike

 

 Marrë nga libri im i kujtimeve

 

Kam gjysmë shekulli që shkruaj dhe botoj (shkrimi i parë ka qenë në vitin 1966 në “Zëri i Rinisë” dhe i fundit, s’mund ta them, sepse vazhdoj të shkruaj), sepse kam lidhur jetën dhe kam ushqyer fëmijët me këtë profesion; sepse e kam dashur si një profesion jetësor që të lidh me njerëzit dhe që prodhon fryte dashurie; sepse ka qenë një zeje ndjenjeje dhe pasioni; sepse nuk e kam quajtur profesion, por mision punën e gazetarit, për të çuar te njerëzit realitetin dhe të vërtetën…

Zylyftar Hoxha

 

 

Me operatorin e TVSH për sportin, Astrit Omeri

 

Ishte viti 1975, viti i dytë që kisha filluar punë si redaktor i gazetës lokale “Jehona e Skraparit”, kur një ditë më thërret sekretari i Parë i Partisë së rrethit, Myzafer Sulejmani dhe Sulo Gradeci, shoqëruesi i parë i eskortës së Enver Hoxhës.

 

 

Sa hyra, fjalën e mori Sulo Gradeci: “Më kanë thënë që je djalë i mirë dhe që ia “thuaj lapsit”. E bisedova edhe me Myzaferin, unë do t’u jap ju një aparat xhirimi filmi që të pasqyroni punën e rrethit, por sidomos ngjarjet historike që kemi shumë dhe që ne të vjetrit i kemi merak. Ti do ta bësh këtë punë pa pagesë, krahas punës në gazetë për të cilën merr rrogën. Nga java tjetër do të vish në Tiranë të marrësh kamerën, por edhe të mësosh përdorimin e saj”.

 

 

Të them të drejtën, u gëzova shumë. Një mundësi e tillë ishte luks për Skraparin, por edhe një plus për mua që deri atëhere isha mbi ujë, i pa stabilizuar mirë dhe mes bërrylave.

 

 

Javën tjetër shkova në Tiranë, mora kamerën dhe bashkë me Sulon shkuam te Thanas Nano, drejtori i Përgjithshëm i atëhershëm i Radio-Televizionit.

 

 

Në zyrën e gazetës “Jehona e Skraparit”

 

Thanasi na priti me këmbët e para: “Nuk kemi nevojë, – tha – kemi telekronistin e Beratit që i japim rrogën dhe mbulon edhe Skraparin”. Pastaj, Skrapari 2 për qind zë në buxhet, 2 përqind do të zërë edhe në informacion. Tri-katër kronika në muaj duhen”.

 

Këmbënguljes së mëtejshme dhe “argumenteve”, Thanasi iu përgjigj ftohtë dhe prerë:  “Punë që nuk bëhet, o Sulo”!…

 

 

Dolëm nga zyra dhe Suloja i fyer, duke zbritur shkallët, tërë inat, se çfarë tha me vete. Pastaj u kthye nga unë: “Do të shkojmë në një vend tjetër ta mësosh, pa të tjerat i rregulloj unë më vonë” – tha.

 

 

Shkuam në labortorin filmik të Universitetit Shtetëror të Tiranës, ku takuam fotografin e vjetë, Dervish Gjiritin. Suloja ia shpjegoi si ishte puna dhe ai qe dakord, por nuk kishte as operatorët dhe as kamerat aty, pasi ishin me shërbim nëpër rrethe.

 

 

Më trego si ndizet dhe çfarë butonash të shtyp, i thashë se qenka si aparati fotografik”?

 

“Ke përdorur aparat fotografik, është njëlloj, më tha, vër diafragmën sipas dritës, fokuso pamjen, për shpejtësinë nuk ka nevojë sepse është standarte, 24 kuadro në sekondë”!…

 

Më tregoi manivelin e karikimt, ndërrimin e objektivave dhe nja dy butona të tjerë.

 

“Jam i qartë – i thashë – po a më jep nja dy boboçka filmi (ishin 3 minutëshe, sa për një lajmë)”.

 

 

Më dha dy të tilla dhe më tha një ta përdorja te Varrezat e Dëshmorëve, ndërsa tjetrën te Parku Zoologjik.

 

Fluturova. Mbasdite u ktheva në laborator. E gjeta aty usta Dervishin. “Laji një çik dhe të shikojmë çfarë kam katranosur”! – i thashë Dervishit, më shumë për t’u justifikuar nëse s’kisha bërë gjë.

 

 

Pasi i lau, i vuri në maviolë (ekran prove). Ndërsa shikonte filmin, hidhte sytë nga unë. Si mbaroi filmi, më tha: “Ti ke punuar, pse the që nuk di”? “S’kam zënë kurrë kamer të tillë me dorë” – i thashë. “Dritën, fokusin i ke të shkëlqyera, se të ka ndihmur aparati fotografik që ke përdorur, por po më çudit një gjë tjetër, që është “A”- ja e teknikës së kinemasë, që janë planet (sekuencat). Ti ke punuar me plane të mëdha, plane të mesme dhe me portretin, i ke mbajtur aq sekonda sa ç’duhen. Për mua, vazhdo punën, – tha” dhe mori në telefon Sulon, të cilit i tha ato që më tha edhe mua.

 

 

Të nesërmen bashkë me Sulon shkuam përsëri në televizion, këtë radhë te shefi i Redaksisë së Informacionit, Kozma Skarço, një gazetar i vjetër, por edhe njeri i mirë. Suloja i shpjegoi atij gjithçka, kamera ishte personale, në inventarin e gazetës “Jehona e Skraparit”, thjesht do të krijohej lidhja me televizionin për të marrë boboçkat e filmit si dhe axhenda dhe programacioni e kronikave. Unë do të punoja si telekronist vullnetar, pa asnjë detyrim financiar nga televizioni.

 

 

Kozmai ra dakord me kushtet, më dha tri boboçka për tri kronika dhe më shpjegoi rrugën se si do të mbërinin kronikat në Tiranë, e cila ishte fare e thjeshtë dhe e përdornin të gjithë telekronistët e rretheve.

 

 

Afër Stacionit të Trenit, 300-400 në krahun e djathtë, kur vije në për në qendër, ishte godina e ATSH – së. Para hyrjes së saj kryesore kishin vënë një kuti të madhe, që shkruante “Për TVSH”, në atë kuti, hidhnim boboçkat e mbështjella mirë mos merrnin dritë, se ishin filma dhe brenda tyre, të shkruar me dorë kronikën televizive. Në orët e mbasditeve, vinin ata të televizionit dhe boshatisnin kutinë, për t’u mbushur të nesërmen.

 

 

Këtë gjë mund ta kryente çdo udhëtar, edhe ai që nuk kishte qenë ndonjëherë në Tiranë. Unë kështu i dërgova gjithmonë kronikat dhe nuk pata ndonjë problem.

 

 

Pasi u ndamë me Kozman, Suloja më përcolli deri të Stacioni i Trenit me makinë. Kur u ndamë më tha: “A e di se ajo kamer është e Enver Hoxhës, ndaj na ndero”!

“Si urdhëron, Komandant , – i thashë gjysmë ushtarakisht dhe gjysmë me shaka për afinitetin që kishim krijuar ato ditë.

 

 

Sa shkova në Skrapar, të nesërmen nuk u paraqita në gazetë, por zura vrapin në Ndërmarrjen Bujqëore. Bëhej krastja dhe punimet e vreshtave të rrushit. Pasi mbarova aty, shkova në Ndërmarrjen e Grumbullim – Përpunimit, në Fabrikën e rrushit, ku bëra kronikën tjetër. Ndërsa të tretën e bëra në po atë ditë në gjimnazin e Çorovodës. Në mbrëmje shkruajta tekstet dhe të nesërmen i dërgova në Tiranë.

 

 

Në darkë vonë të asaj dite që dërgova kronikat, më mori në telefon sekretari i Parë, Myzaferi. “Bravo, më tha e kishe bërë bukur atë kronikën e fermës”! Nuk di gjë i thashë, kur e bënë gati kaq shpejt, u në e pres për nesër”. Jo, jo e ke sot, prit edicionin tjetër ta shikosh”, më tha Myzaferi.

 

Të nesërmen u dha ajo e NGP –së, të pasnesërmen, ajo e shkollës së mesme, dhe unë mbeta “pa fishekë”, s’kisha boboçka.

 

 

 

Mora në telefon Kozmanë dhe i thashë për boboçka. Dërgo njeri dhe të jap unë sa të duash më tha. Pastaj shtoi: “Mirë që more, se do të merrja vetë në telefon.E kemi diskutaur edhe me disa shokë këtu, ke “dorë të mirë”, nuk i ke kronika të thata, por i ke në formën e mini- reportazheve, me frymë artistike. Kështu vazhdo”!

 

 

Dhe unë kështu vazhdova nga viti 1975, deri në vitin 1980, kur u largova nga ajo punë, në detyra të tjera.

 

Sado që Thanas Nano tha që Skraparit dy-tri kronika në muaj i takojnë, unë dërgoja edhe dy, edhe tri në ditë ndonjëherë.

 

 

Kur i thashë Kozmait punën e Thanasit, i cili atëhere ishte larguar nga televizioni, Kozmai, njeri me përvojë të gjatë në shtyp, tha:

“E po Thanasi nuk e dinte që gazeta dhe televizioni janë si ajo lopa që sa t’i heshësh ha dhe nuk ka kohë as të përtypet”.

 

 

 

 

Zylyftar Hoxha dhe koha e “pionierëve” të Televizionit

 

Virgjil Kule

“Ishte koha kur punohej me “Bolex”, i cili ishte një aparat xhirimi që punonte me kurdisje, objektivët rrotulloheshin si mulli, punohej me negativë, filmat vinin nga larg, laheshin në laborator, dhe ai që kishte punuar priste me ankth për të parë si ka dalë figura, si ka dalë gjithçka ku ai kishte derdhur pasionin e tij.

 

 

Ishte koha e pionierëve të televizionit dhe Zylyftari ishte nga këta pionierë, nga njerëzit e parë që u afruan me televizionin, por jo nga qendra, nga një rreth mjaft i largët siç ishte Skrapari atëherë.

 

 

Mbi të gjitha Zylyftari ishte telekronist vullnetar, një person që krahas aftësive si gazetar e publicist në rrethin e tij, kishte dëshirën e madhe për t’iu qasur kamerës, për të hyrë në një zhanër të ri, në një gjini të re gazetareske, siç ishte gjinia e kronistit televiziv.

 

 

Unë në atë kohë sa kisha filluar punë, isha redaktor në redaksinë e informacionit dhe herë pas here dëgjohej emri i Zylyftarit më shumë sesa fytyra e tij, sepse kronikat televizive dërgoheshin me autobusin e linjës. Shumë shpejt Skrapari megjithëse një rreth i vogël, në saj të punës këmbëngulëse të Zylyftarit filloi të zinte vend në kronikat televizive më shumë se ndonjë rreth më i madh ku kishim telekronist me pagesë e jo vullnetarë.

 

 

Kur njeriu e ka diçka me pasion, kur është i frymëzuar e dashuron profesionin e tij, aq më tepër atë të telekronistit televiziv atëherë edhe fryti i punës së tij është i tillë që spikat. Zylyftari ishte nga ata njerëz që spikati me punën e tij.

 

 

Unë ruaj kujtimet më të mira për këtë gazetar e publicist, gjë që e tregoi edhe më pas, kur u shkëput nga televizioni, por edhe kur vazhdoi edhe sot e kësaj dite me veprimtarinë e tij mjaft produktive si gazetar shumë i suksesshëm. Historia e Zylyftarit në fushën e gazetarisë është histori suksesi”.