
Zylyftar Hoxha: Një penë e artë patriotike e vendlindjes së tij, Skraparit
Hajri Nuhu
Nuk numërohen vitet e jetës, por jeta në këto vite*). Nuk di pse kjo thënie më erdhi kur nisa të ideoja bashkë me miqtë e mi një veprimtari për jetën dhe veprën e gazetarit të njohur, Zylyftar Hoxha. Është një stacion i jetës së një njeriu që i ka dhënë kuptim asaj si rrallëkush.
Ka disa arsye që e bëjnë Zylyftarin një personazh jo të zakonshëm. Është një emër që shkrihet e bëhet njësh me historinë e një treve, me Skraparin dhe jo vetëm. Ka rreth 50 vjet që si një udhërrëfyes i besës të merr për dore dhe pa u lodhur të çon atje tek rrënjët, në fshatin e tij të lindjes, në trevën tomorriane të Skraparit.
Me të shëtit bukurive të Osumit, ngjitesh lartësive të Tomorrit, qëndron grykave të ashpra, kundron e çlodhesh krojeve e burimeve…Hapësira e veprimtarisë së këtij njeriu të punëve të mira nuk është thjesht e vetëm gjeografike. Ajo, së pari është njerëzore se ka dritë, ka jetë, ka ngjyra.
Nxënës dhe mësues gjithë jetën
Ishte vetëm 11 vjeç kur shkoi konviktor në Çorovodë. La fshatin. Deri atëherë atdheu për të kishin qenë, siç thotë një poet, përkëdheljet e nënës, krahët e fuqishëm të babait, metrat katrore të dhomës, rrugica e shtëpisë…Përpara tij nisi të bëhej më e madhe bota.
Dhe botën nisën ta bënin për të më të bukur dhe më interesante librat. Zylyftari ka 50 e kusur vite që lexon, lexon shumë. Ai kujton fillimet. Kujton ata që e mbajtën afër siç ishte bashkëfshatari i tij, Bajram Myrtollari. Nuk harron shokët që e futën botën e leximit, në këtë hapësirë, që, për moshën, i dukej magjike. Sefedin Çela, një personalitet më vonë i gazetarisë dhe i televizionit ishte model i parë për Zylyftarin fëmijë e adoleshent. Përpinte veprat e Tolstoit, Shollohovin, Balzakun, Gëten, Remarkun e kolosë të tjerë.
Në shkollën e mesme pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” në Berat, shkëlqeu në mësime. “Nisi të dallojë, të spikasë për poezi, hartime të bukura – kujton ish-nxënësi i asaj shkolle, studiuesi Jovan Jano.
Gazetari i njerëzve
Në vitin 1973 për të nis një jetë ndryshe. Nisi një profesion te ri, atë të gazetarit. Një profesion që në vitet që do të pasonin do ta ngjitnin Zylyftarin në fron, do t’i jepnin shkëlqimin e një profesionisti të zot, do t’i jepnin këtij intelektuali gjithë hapësirën për të shpalosur botën e tij shpirtërore, të butë e të brishtë në përgjithësi, talentin, vlerat e tij njerëzore e atdhetare. Se Zylo shkruan me një dorë atdhetare, ai shkruan me zemër. Shkruan bukur se shkruan për njerëzit.
Nisi me “Jehonën e Skraparit” dhe gazetat e kohës. Shkruan dhe bën edhe telekronistin e televizionit të vetëm shqiptar të kohës.
Gazetari dhe publicisti i mirënjohur Bashkim Koçi e vlerëson maksimalisht Zylyftarin. “Ngriti një oxhak në median e shkruar. Ka shkëlqyer. I ra cep më cep Shqipërisë, ka dhe një libër voluminoz për udhëtimet e tij, me punë të çmuara, me punë të mira, të ndjera. Një njeri punëtor si ai, i pastër, pa vese e qibër u bë miku i të gjithëve. I bën të gjitha, gazetarin, telekronistin, fotografin, montazhierin. I kompletuar”…
Është një ndër ikonat e reportazhit shqiptar. Merr edhe dy çmime kombëtare për reportazhin. Njërin në gazetën “Drita” në vitin 1978 dhe tjetrin në “Nëntori” të vitit1984. Personazhet e reportazheve tij janë pafund. Ata janë njerëz të thjeshtë e kapedanë betejash, janë barinj dhe intelektualë, të rinj e të vjetër, janë miq e shokë të tij, janë bashkë, të njohur e të panjohur. Ata janë copëza jete nëpër breza. Ato janë vetë historia.
”Është i papërsëritshëm në reportazhin e shkruar – shprehet gazetari Urim Bajrami. Kam punuar në dy-tri gazeta në Tiranë me të. I aftë, i talentuar, korrekt. Njeri me vlera…”
“Në Tirana Observer” e thërrisnin “profesor” – shprehet gazetari Roland Qafoku. Jo thjesht për moshën e përvojën, por për atë çfarë ofron Zylyftari. Të gjithë i kërkonin mendime. I lije një detyrë, “rrije i qetë” se Zylyftari do të bënte më të mirën…”
“Nuk rri kot asnjëherë. Ka ide, se i do njerëzit. Ka dashuri për ta, për Skraparin të cilit i ka ngritur një përmendore me çfarë ka shkruar për të – thotë gazetari Dhimitër Shtëmbari.
Ndër “pionierët e parë” të Televizionit Shqiptar
Zylyftari guxoi dhe iu fut edhe rrugës së kronikanit televiziv. Ai kujton vitet e para, punën e vështirësitë. I kudogjendur, me bllokun e shënimeve dhe aparatin e famshëm “Bolex”. Gazetar e telekronist. Të dy profesionet i realizon me një pasion të habitshëm. Veç kronikave televizive realizon në bashkëpunim me TVSH edhe dy dokumentarë dhe telereportazhe. Në këtë fushë të kronikës televizive Zylyftari u bë shpejt profesionist.
Ikona e Televizionit Shqiptar dhe ish-drejtori i këtij institucioni, Virgjil Kule shprehet: “E kujtoj me shumë respekt këtë gazetar. Që atëherë binte në sy për talentin, pasionin e këmbënguljen. Të mendosh që tërë atë punë e bënte pa “para”, pa pagesë. Ishte ndër pionierët e parë të televizionit. Shumë shpejt emri i tij dëgjohej dhe vlerësohej në rrethet tona krijuese të asaj kohe. Peshën e fjalës së tij dhe qartësinë e fuqinë e mendimit ia jepte dashuria për jetën, për njerëzit, për atë trevë” …
Vitet ‘90 e vunë në provë edhe me punë të tjera për mbijetesë, por gazetarisë nuk iu nda. Shkruan në gazetën “Orakulli i Tomorrit” dhe në shtypin qendror. Në Çorovodë ngriti edhe një lokal të modest dhe me shije prej artisti.Më pas u shpërngul në Tiranë dhe përsëri falë aftësive si gazetar ai gjen veten. Punoi në gazeta si “ABC”, “Tirana Observer”, “Expres”, “Telegraf” dhe së fundi në gazetën “Dita” me një rubrikë speciale memo-historike. Për 7 vjet drejton si kryeredaktor gazetën “Dielli i Tomorrit”.
Një penë e artë atdhetare
Kurorën Zylyftar Hoxhës ia dhanë librat. Ka botuar “Flakërimat e Iljaz Kapxhiut”. Qëmtoi dhe i mblodhi xhevahiret e humoristit të njohur që e kishte mik dhe shok. Zylos i pëlqen humori. Ai vjel si askush mençurinë popullore, dhe kjo ndihet në tërë publicistikën e tij. Edhe ai ka humor, rrëfen bukur. Që në fillimet e gazetës “Orakulli i Tomorrit” pati një rubrikë “Nastradinë e selamazë”. Më e bukura. Ka nxjerrë nga arkivi i i njerëzve të zgjuar të asaj zone që shkollë kishin jetën humorin brilant.
Por kryevepra e tij mbetet “Orakuj të harruar”. E vlerësuar si një rrëfenjë e gjallë, e sinqertë, e rrallë ku shkrihen e shkuara dhe e tashmja e një treve dhe jo vetëm. Është një vepër publicistike, letrare, historike. Nëse do të njohësh trevën tomorriane me gjithë madhështinë e saj, lexo këtë libër. Në faqet e tij një galeri interesante personazhesh si Arkitet Kasëmi e Eduard Lir, Dritëro Agolli e Antonio Gramshi, Petro Marko e Ali Podrimja,Valtraud Tunger dhe Hilmi Bejko e të tjerë pafund, lidhjet e tyre me hyjninë e Tomorrit e me njerëzit e tyre të mirë.
Siç thotë miku i tij i hershëm, poet i madh Xhevahir Spahiu “Zylyftari rron me zjarrminë e mardhjen e dherave ku ka lindur e ka kaluar jetë. E krenon shumëçka, e pezmojnë mundimet e hershme dhe shkretimet e vona. Zylyftari ka befasuar me këtë libër, vlerësuar si “biografia e Skraparit”.
Vlerësimet e gazetarëve e studiuesve si Ylli Polovina, Naim Zoto, Ilmi Qazimi, Jovan Jano, Dhimitër Shtëmbari etj. janë të merituara. Ndërsa poeti dhe kritiku Mihal Gjergji ka shkruar një libër të tërë të bukur eseistik, i shkruar mjeshtërisht, ku vlerësohet krijimtaria publicistike e Zylyftar Hoxhës.
*) Ky shkrim është teksti i dokumentarit me titull “Zylyftar Hoxha, ky “punëtor mëditës” i medias shqiptare, realizuar me ratin e 70 – vjetorit të lindjes së tij dhe çfaqur në teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës