Zylyftar Hoxha, reportazh: NË VENECIA, TE ÇUNAT…

Zylyftar Hoxha, reportazh: NË VENECIA, TE ÇUNAT…

Ftesën për të shkuar te ta, në Venecia, e kisha marrë prej mëse një viti, dhe rasti erdhi kur këto ditë shkova në Itali për disa punët e mia. Sa e morën vesh Emiliano Biraku dhe Velo Metani që isha atje, u “çanë° telefonat, sidomos kur unë ua lashë me dyshim vajtjen për shkak të disa angazhimeve të tjera.

 

 

Se kush janë këta djem, që kanë sfiduar turizmin italian, pikërisht në zemrën e tij, në Venecia, i kemi bërë të njohur edhe më parë nëpërmjet postimeve dhe reportazheve tona, veçanërisht të shkrimeve të publicistit dhe aktivistit të njohur, Hajri Nuhu, në “Orakujt e Tomorrit, por në këtë rast do të shtoj edhe unë disa fjalë, aq më tepër që shumë gjëra i preka dhe pashë me sytë e mi në vizitën tri – katër orëshe që pata mundësi të bëj te ta në Venecia.

 

 

Megjithëse nuk e takova dot, por më thanë se një prej “dallandysheve të para” shqiptare të biznesit kulinar dhe restoranteve në Venecia ishte daja i Emilianos dhe Ermalit, një mjeshtër si restaurator, për të cilët Venecia kishte dhe ka nevojë shumë.

Sot ai ka një rrjet restorantesh dhe është një biznesmen edhe i fushës së ndërtimeve.

 

 

Ai u dha dorën e parë. Krahë kishin edhe djemtë e një mikut dhe kolegut tim të kahershëm, Shkëlqim Musabelliu, Julian dhe Ledio Musabelliu, me origjinë nga Ujaniku, lindur e rritur në Çorovodë. Përmasat e biznesit të tyre me disa restorante janë me të vërtetë të çuditshme dhe mbresëlënës.

 

 

Janë pikërisht ata që hoqën “këmbën zvarrë”, kurajuan dhe ndihmuan edhe të tjerët, kushërinjtë e vetë, vëllezërit Emiliano dhe Ermal Biraku, por edhe shumë të tjerë shqiptarë, të cilët tashmë janë bërë prioritarë në këtë lloj biznesi në Milano.

 

 

Të gjithë me punë të ndershme, të gjithë të respektueshëm, të gjithë me emër të mirë. Secili veç e veç, por edhe të gjithë bashkë, si një mekanizëm i vetëm, si një kooperativë, kur është fjala për të ndihmuar dhe ndënjur afër njëri-tjetrit.

 

Nuk mendojmë se një ndër arsyet që ndodh kjo, është statura e zyrtare e Emiliano Birakut, si ekonomist bankar klasi në profesionin bazë, si president i Dhomës së Tregtisë të Venecias, si një personalitet politik dhe publik në të gjithë rajonin e Venetos, por, natyrisht, edhe një krah i fuqishëm dhe një dorë e ngrohtë kur e lyp nevoja për bashkatdhetarët e tij.

 

 

“Venecia, pavarësisht përmasve metropolitane, na është bërë si Çorovoda,- thotë ai. Kemi një komunitet shqiptar të mrekullueshëm, të integruar mrekullisht, takohemi shpesh me njëri-tjetrin sepse shkëmbehemi nëpër tragetet, skafet, gondolat nëpër kanalet dhe rrugicat karakteristike të Venecias. Ndaj thashë se jemi si në Çorovodë”.

 

 

Sa për integrimin, e pashë me sytë e mi, të paktën me ata pak shqiptarë që takova. Nuk janë më ata shqiptarët që i dalloje një kilometër larg që ishin shqiptarë. Kanë marrë sharm dhe tharm metropolitan, i dallon nga të huajt vetëm kur ata janë të detyruar të flasin shqip.

 

***

 

Ajo që të bën përshtypje është se i tërë komuniteti shqiptar i Venecias është i lidhur me vendin amë. Na e konfirmon jo pa një farë krenarie këtë Emiliano, i cili thotë se shqiptarët e Venecies edhe pse janë në vendin që e ka zili gjithë bota për pushime, nuk i bëjnë ato as aty as gjetkë në Itali, por në vendlindje, në Shqipëri dhe, veç pushimeve, ndjekin festat, sebepet, vakitë e shtëpive të prindërve dhe të afërmëve të tyre.

 

 

Ja psh, këto ditë janë Ditë e Tomorrit dhe një pjesë e mirë e tyre janë atje, në Malbaba, ashtu si dhe Malbabai është në restorantet e tyre në shumë forma dhe mënyra, me piktura, gravura, por, mbi të gjitha, me frymë e bekim.

 

Për këtë frymë të fortë religjoze flet edhe një rast i vetëm, të cilin për shkak të kodeve të filantropisë, bamirësisë, që dhurata nuk zihet kurrë në gojë sado e madhe apo e vogël të jetë ajo, producenti dhe sponsori i kompleksit skulpturor në bronx i Abas Aliut në Tomorr ruan ende anonimatin, megjithëse ka shpenzuar për të 35-40 mijë euro!

 

Medaljet varen në zemër, jo në xhaketë.

 

***

 

Lokacioni i pagabueshëm i celularit, nga ura në urë, nga rrugica në rrugicë, te disa prej të cilave duhet të ecje brinjazi se aq të ngushta ishin, na çoi te dera e restorantit “Ali D’Oro”, pronë e Vëllezërve Biraku, shumë pranë sheshit madhështor Shën Markut.

Nxora celularin dhe bëra një foto.

 

 

Është thënë edhe herë tjetër, por më duhet ta përsërisë, se Emiliano dhe Ermali e kanë shenjt, idhull dhe engjëll mbrojtës të atin që nuk jeton më dhe që iku nga kjo jetë në mënyrë të parakohëshme.

 

 

“Ali D’Oro”, e perifrazuar në shqip do të thotë pak a shumë “Krahët e artë të Aliut”. Por Aliu nuk është prezent vetëm këtu, në këtë restorant, ai, simbolikisht, në një mënyrë apo në një tjetër, të pret krahë hapur në të katër restorantet e tjerë të tyre.

 

“Ia kushtojmë atij çdo gjë, se ai na nxiti dhe inkurajoi të nisnim këtë punë, ai punoi shumë edhe fizikisht, bënte furnizimet, rrinte në këmbë gjithë ditën” – na thotë Emiliano, me sytë nga portreti i të atit, i cili duket se i “uron” mirëseardhjen me gotë në dorë çdo klienti te restoranti “Da Xhixhi”.

 

Më afeksionoi kjo foto. E kam njohur Aliunë, ndërsa  ndërsa të shoqen, Bardhën, ime shoqe, Lavdija i ka rritur të dy çunat në çerdhen e lagjes “Hasan Seitaj”.

 

 

Më redhi keq, kur më thanë se Bardha ishte në spital e sëmurë dhe të dy djemtë kishin merak ecurinë reabilituese të një operacioni të rëndë të saj.

 

 

Aliu ka qenë një njeri shumë i mirë, punëtor i madh, shakaxhi, shumë i respektuar dhe me shumë shokë, se dinte të bënte dhe mbante shoqëri.

 

***

 

Doja të takoja edhe Ermalin, të cilin e njoh vetëm virtualisht, por ai ishte në spital pranë së ëmës. Ermali ka mbaruar për arkitekturë në Venecia.

 

Angazhimet e shumta dhe të përditshme në biznes nuk e kanë ndarë nga profesioni i arkitektit, merret me arkitekturën e brendshme, me arredimet dhe interieret e dyqaneve dhe lokaleve. Dyfishon sipërfaqet e vogla dhe të ngushta, siç i ka Venecia, i bën funksionale dhe me kapacitet të madh vendesh.

 

E pash këtë zgjidhje interesante te të paktën tre restorantet e tyre që pata mundësi të shkelja. Sidomos te “Somamariva”, një nga restorantet më të njohur dhe më të preferuar nga personalitete të politikës dhe së artit botëror. Ai ndodhet pranë njërës prej urave më të bukura të Venecias.

 

 

Aty Emiliano na qirasi me ëmbëlsira, në vend të “llokumeve”, se para katër ditësh i kishte lindur vajzë.

 

***

 

Qëlloi piku i punës kur shkova të takoja Veledin Metanin, një personazh interesant, kushëri i vëllezërve Biraku. Nuk e njihja, por isha njohur me të nëpërmjet reportazhit që kishte bërë miku im, Hajri Nuhu për “Orakujt e Tomorrit” në mars të këtij viti kur kishte vajtur në Venecie. Ai është menaxher, kamerier, banakier, kuzhinier, pastrues dhe i të gjithave bashkë në “Da Xhixhi”.

 

Me Velon

 

Hajriu e ka portretizuar aq mirë dhe vërtetësisht këtë njeri, sa unë nuk kam ç’të them më tepër.

 

Dhe vërtet Veloja ishte një njeri interesant në shumë pikpamje: punëtor i madh; njeri me botë dhe me interesa të gjera; aventurier udhëtimesh që nuk kishte lënë vend të botës pa shkuar; artist – poet fin, patriot i flaktë, që nuk lë vit pa vajtur në fshatin e tij, në Barçin e Sipërm edhe pse atje nuk e pret njeri, se fshati është braktisur i gjithi; familjar që, edhe pse e ka një çap larg vajzën, studente në Universitetin e Padovës, i mbusheshin sytë me lot kur e zinte në gojë; besimtar i thekur, sa po të shihte ëndërr në darkë, në mengjes e kishe te Abas Aliu në majë të Tomorrit; i këndshëm, i qeshur dhe gjestikulativ në bisedë, me një humor të hollë që ia zbukuronte edhe më tej akcenti tomorricar i të folurit si i 30 e ca viteve më parë, akcent që sot e kanë harruar edhe vetë tomorricarët që banojnë atje.

 

Me një fjalë, me Velon doje një natë dimri dhe një ditë behari të llafoseshe, e jo aq kohë sa kisha unë dhe aq nge sa kishte ai në gjithë atë punë me lokalin plot e përplot. Megjithatë, me atë syrin e tij skifterik, të stërvitur, ia doli që edhe klientëve t’u shërbente, por edhe mua të më përgjigjej.

 

Ka qenë një nga intervistat më të çuditshme dhe më të veçanta që kam bërë gjatë karrierës time si gazetar.

 

Meqë jam zgjatur shumë në këtë shkrim, po jap thjesht për humor kënaqësi vetëm një fragment të kësaj interviste:

 

“Kam qenë emigranti i parë nga Skrapari që kam ikur në ’91-shin. Kur them i pari, vërtet i pari! Më pas ikën edhe të tjerë.

Shisja bukë në dyqanin e kooperativës. Ika pa i thënë njeriu. Kisha 100 mijë lekë të furrës, që në atë kohë nuk ishin pak, ia lashë vëllait. I shkreti më priste mua, i dukeshin se e hanin, por unë për shumë kohë humba lidhjet me familjen, dhe ata më dinin të vdekur, kur u lidha pas shumë kohësh me vëllanë, fjala e parë që më tha ishte “shyqyr që je gjallë” dhe e dyta, ç”të bëj me ato lekët”?!

“Piju lëngun, i thashë, ato tani janë bërë si lëpushkat e misrit!…

“Kemi qenë njerëz të çuditshëm, shumë të ndërgjegjshëm! – mbyll këtë pjesë të bisedës Veloja me atë humorin e tij brilant.

***

Fundi i vizitës në Venecia ishte sheshi San Marko, i mushur plot me turistë dhe pëllumba. Çuditërisht, siç na thanë, ato ditë kishte ndodhur një fenomen i rrallë nga këto kapriçiot e tanishme të motit, i rrallë, por jo i panjohur për Venecian: ishte rritur batica dhe sheshi i stërmadh ishte, pothuajse në pjesën më të madhe, i mbushur me ujë.

Shumë turistë kishin hequr këpucët dhe argëtoheshin me këmbët në ujë. E bëra edhe unë “këtë anonime”, siç thotë Jovan Bregu, atletet nën sqetull dhe tutje, o Muço!…

 

Në mbremje në faqen time të FB hodha disa foto që kisha dalë në shesh me shënimin:

“Në Venecia, me këmbët në ujë, pse jo dhe në “respekt” dhe “hatër” të qytetit më unik në botë, që rri i gjithi dhe gjithë kohën në ujë”.

 

Dhe vërtet, Venecia është Venecie, pa një të dytë që të krahasohet.