11 Janari, një ditë e harruar! Si asnjë vend tjetër në botë, Shqipëria pa një festë të Republikës! Historiografia e ka lënë pa një zgjidhje
Më 11 janar 1946 Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, me propozim të deputetit të Shkodrës, Arif Gjyli vendosi që forma e shtetit shqiptar të ishte Republikë. Që prej atij momenti 11 janari u shpall festë zyrtare deri në rënien e regjimit komunist.
Në fakt në historinë e shtetit shqiptar, kjo republikë e dalë nga zgjedhjet problematike të 2 dhjetorit 1945, nuk ishte e para. Më 1925 Ahmet Zogu kishte shpallur Republikën Presidenciale, por në një parlament ku mungonin një numër i madh deputetësh përkrahës të Fan Nolit.
Shpallja e Republikës Popullore më 11 janar 1946 u ndikua nga forma që zgjodhi Jugosllavia gati dy muaj më parë nga kjo datë. Por edhe nga fakti që shumë monarki, madje me traditë zgjodhën të shndërroheshin në republika duke mos lejuar kthimin e familjeve mbretërore më në pushtet.
Gjatë periudhës së komunizmit emërtimi zyrtar i republikës ishte Republika Popullore e Shqipërisë (1946- 1976) dhe me ndryshimin e kushtetutës më 1976, ndryshoi edhe emërtimi në Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Sot Shqipëria është Republikë Parlamentare. Por nuk ka një festë të Republikës siç kanë shtetet e tjera që në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kaluan nga monarkia në republikë.
Duket se historiografia e e sotme akoma nuk ka gjetur zgjidhjen nëse shpallja e Republikës në vitin 1946 ka të bëjë me përcaktimin e formës së shtetit apo me formën e regjimit që u vendos në atë kohë.