Belul Kryemadhi

 

Ishin vitet 1977. Në Orizaj, vetëm pesë kilometra para se rruga të të çonte në Çorovodë, filluan të dëgjoheshin zhurmat e para të një ndryshimi të madh. Toka, që deri atëherë kishte njohur vetëm heshtjen e natyrës, u trazua nga makineritë e rënda që mbërritën njëra pas tjetrës. Buldozerë e skrepa nisën të sheshonin vendin, sikur po hapnin një faqe të re në historinë e atij vendi.

 

 

Mes tyre, një grup topografësh, të ardhur nga Tirana, lëviznin me kujdes, duke piketuar hapësirën ku do të ngriheshin objektet e ardhshme. Për disa ditë me radhë, rreth pesëmbëdhjetë, pata fatin të punoja pranë tyre, duke u bërë pjesë e atij fillimi që premtonte shumë.

 

 

Më pas erdhi ndërmarrja e ndërtimit nga Çorovoda, nën drejtimin e inxhinierit Kujtim Çela. U ngritën murembajtësit, e bashkë me ta, dalëngadalë, morën formë edhe objektet e uzinës që do të ndërtohej, një shtesë e rëndësishme e industrisë ushtarake, e ngjashme me atë të Poliçanit.

 

 

Pranë rrugës, jo larg një lapidari, u vendosën pesë baraka prej druri dhe një kuzhinë e thjeshtë. Aty do të flinin e do të ushqeheshin punëtorët e ardhur nga fshatrat përreth. Çdo ditë që kalonte, Orizaj ndryshonte. Nga një hapësirë e qetë, po shndërrohej në një qytezë të vogël, plot jetë e lëvizje. Zërat e punëtorëve përziheshin me atë të autoparlantit që kumboi në qendër të sektorit, duke i dhënë vendit një ritëm të ri.

 

 

Ndërkohë, në fushën e Orizajt vazhdonin punimet pa pushim. U shtrua tubacioni i ujësjellësit, që sillte ujë të pijshëm nga burimi i Guhakut, deri në një kodër mbi vendin ku do të ngrihej uzina. Më vonë u ndërtua edhe një depozitë uji, e fshehur tri metra nën tokë, me një kapacitet të madh. Prej andej, uji do të shpërndahej nëpër objektet e sapongritura, si një damar jete që i jepte frymë gjithë kompleksit.

 

 

Sektori ishte gjithnjë në lëvizje. Inxhinierë nga Tirana vinin shpesh për të parë nga afër ecurinë e punimeve. Një ditë, mes kësaj gjallërie, mbërriti për një vizitë pune edhe drejtoresha e drejtorive të përgjithshme të punimeve ushtarake, Yllka Zaloshnja. Ajo u prit nga drejtuesit e ndërmarrjes dhe nga përfaqësues të komitetit ekzekutiv e të partisë në rreth.

 

 

Por vizita e saj nuk kaloi pa gjurmë. Me një vështrim të mprehtë dhe fjalë të drejtpërdrejta, ajo vuri në dukje mangësitë dhe cilësinë e dobët të disa punimeve. Fjalët e saj ranë si një hije e lehtë mbi entuziazmin e drejtuesve vendas, të cilët e pritën me pakënaqësi këtë kritikë, duke u ndjerë të prekur në përpjekjet e tyre.

 

 

Pas tre muajsh punime me ritme të shpejta nga Tirana vjen urdhëri për ndërprerjen e punimeve. Kur pyetëm ne se përse u ndaluan punimet na thanë se shkaku se përse u ndërpren punimet nuk dihej.

 

 

Disa thanë se u prishën mardhëniet diplomatike dypalshe me Kinën, dhe ajo nuk do na dërgonte më makinerit që do të montoheshin për prodhimin e disa armëve luftarake. Sektori u mbyll. Më pas ato objekte që janë edhe sot në këmbë i u shitën disa banorve të fshatit Orizaj që jetonin pak më lartë.