Atje ku të ndjek në çdo hap mirësia, kabaja dhe aroma e trëndafilave

Atje ku të ndjek në çdo hap mirësia, kabaja dhe aroma e trëndafilave

 

 

Zylyftar Hoxha

 

Ka qytete që i viziton dhe i harron. Ka të tjera që të mbeten në kujtesë si një fotografi e bukur. Por ka edhe qytete që të hyjnë në zemër pa zhurmë dhe të shoqërojnë gjatë, me aromën, tingujt dhe njerëzit e tyre. I tillë është Përmeti.

 

 

Përmeti është ndër qytetet më miqësore, më fisnike dhe më simpatike të Shqipërisë. Një djep i kulturës shqiptare, ku e lashta dhe e reja bashkëjetojnë natyrshëm, një qytet me qytetari të rrallë, në kuptimin më të plotë e më fisnik të kësaj fjale.

 

 

Nga pikëpamja etnokulturore, treva e Përmetit shtrihet në gjashtë krahina: Rrëza, me qendër Përmetin; Dangëllia, me qendër Frashrin; Shqeria, me qendër Kovaçishtin; Dëshnica, me qendër Këlcyrën; Cerja, me qendër Hotovën dhe Malëshova. Disa prej tyre kanë popullsi të krishterë, të tjera myslimane, ndërsa shumë fshatra kanë qenë e mbeten të përziera. Megjithatë, përkatësia fetare këtu nuk është bërë kurrë pengesë. Përkundrazi, ajo ka krijuar një harmoni të admirueshme njerëzore, sociale dhe kulturore, që edhe sot mbetet një nga krenaritë e kësaj treve.

 

 

Shkrimtarja dhe albanologia e njohur Edith Durham, në librin Brenga e Ballkanit, shkruante për Përmetin:

 

Rrija dhe sodisja qytetin nga gërmadhat e kalasë së Ali Pashës… Përmeti, me qiparisat e lartë, dushqet e purpurt dhe gjelbërimin e pranverës, m’u duk si një nga vendet më të bukura të botës…”

 

 

Është një përshkrim që edhe sot duket sikur është shkruar dje. Përmeti vazhdon të mbetet po ai qytet i bardhë, i pastër, i qetë, buzë Vjosës së kaltër, që rrjedh me vrull, por edhe me hijeshi.

 

 

Brezi i vjetër e kujton ende datën 24 Maj 1944, të gdhendur dikur në stemën e Republikës, në vulat shtetërore, në kartëmonedha e në monedha. Ishte dita e Kongresit të Përmetit, një datë që koha dhe politika u përpoqën ta zbehin, por jo ta fshijnë nga kujtesa e përmetarëve. Edhe monumenti i partizanit, në mes të qytetit, me një tufë lulesh të vyshkura pranë këmbëve, vazhdon të flasë në heshtje për atë histori.

 

 

Për shumë përmetarë, ajo periudhë mbetet pjesë e identitetit të qytetit të tyre. Për pesëdhjetë vjet Përmeti u bë emër i njohur në gjithë Shqipërinë, madje për një ditë të vetme, simbolikisht, u quajt edhe kryeqyteti i vendit.

 

 

Përmeti është ndër ato qytete ku qetësia nuk është rastësi. Kriminaliteti ka qenë gjithnjë i ulët dhe kjo lidhet me traditën qytetare, me mënyrën e jetesës dhe me kulturën e banorëve. Edhe pse emigracioni ka zbrazur shumë familje, qyteti ka ruajtur fizionomininë e tij. Ai mbetet, në thelb, një qytet i përmetarëve, i njerëzve që kanë trashëguar e ruajtur zakonet, edukatën dhe qytetarinë e brezave.

 

 

Përmeti njihet për verën dhe rakinë po aq sa për trëndafilat. Vreshtat që e rrethojnë, sidomos ai i Bolengës, avllitë me hardhi të mbushura me rrush dhe kazanët që ziejnë çdo vjeshtë janë pjesë e peizazhit të kësaj treve. Vera dhe rakia përmetare nuk mungojnë në restorantet më të mira të vendit dhe mbeten një nga ambasadorët më të mirë të emrit të Përmetit.

 

 

Por mbi të gjitha, Përmeti njihet për këngën.

 

 

Kënga përmetare ka një finesë të rrallë, një elegancë që nuk imitohet lehtë. Edhe pse sot jeta artistike nuk ka gjallërinë e dikurshme, ajo vazhdon të jetojë në radio, në televizione, nëpër dasma dhe, mbi të gjitha, në kujtesën e njerëzve.

 

 

Në Përmet ndihesh si në shtëpinë tënde. Mikut nuk i numërohen ditët e qëndrimit, sepse mikpritja këtu nuk është zakon, por natyrë. Megjithatë, banorët e tij ndiejnë një dhimbje të heshtur. Ata besojnë se qyteti i tyre është lënë disi në harresë dhe shumë të rinj marrin rrugën e mërgimit.

 

Po a mund të iket lehtë nga Përmeti?

 

 

 

Në ballë të kulturës shqiptare

 

Përmeti ka qenë gjithnjë vatër e dijes dhe e kulturës. Kjo trevë ka nxjerrë emra që i kanë dhënë dritë historisë shqiptare: Frashërllinjtë, Odise Paskalin, Tefta Tashko Koçon, Sejfulla Malëshovën, Nonda Bulkën, Mentor Xhemalin, Laver Bariun e shumë të tjerë. Secili prej tyre ka lënë një gjurmë që koha nuk e fshin.

 

 

 

Kabaja përmetare dhe Laver Bariu

 

 

Nëse Përmeti do të kishte një zë, ai do të ishte kabaja.

 

Dhe nëse kabaja do të kishte një emër, ai do të ishte Laver Bariu.

 

 

Virtuozi i klarinetës e ngriti kabanë përmetare në majat më të larta artistike. Ai nuk ishte vetëm interpretues; ishte krijues emocionesh. Tingujt e tij nuk dëgjohen vetëm me veshë, por ndihen në shpirt. Ata vazhdojnë të jetojnë edhe sot, si një pasuri që nuk i përket vetëm Përmetit, por gjithë kulturës shqiptare.

 

 

Me përmasa proverbiale: Gastronomia, pastërtia dhe mikpritja përmetare

 

 

Edith Durham shkruante se, megjithëse amvisat holandeze konsideroheshin ndër më të pastrat në Evropë, shqiptaret e Jugut ua kalonin.

 

 

Edhe Fan Noli i përkëdhelte përmetarët me vargjet e tij:

 

“Do të hash e të bësh qejf,

sofrën shtruar si për mbret,

pastërtore e për hyqmet,

të tillë gjen veç në Përmet.”

 

 

Një I moshuar rrëfen një histori që e përmbledh më së miri shpirtin e këtij qyteti. Pas Luftës së Dytë Botërore, një anglez I UNRRA-s bujti në një ane të djegur nga lufta. Godina ishte e nxirë nga tymi, por tryeza ishte e shtruar me një finesë të habitshme, me gatime, erëza, ëmbëlsira dhe fruta që e ane pa fjalë.

 

Kur e pyeti të zotin e lokalit si ishte e mundur një mikpritje e tillë në ato kushte, ai iu përgjigj me qetësi:

 

“Mua m’u dogj lokali, jo tradita.”

 

 

Ndoshta asnjë fjali tjetër nuk e përshkruan më bukur shpirtin e Përmetit.

 

 

 

Po aq e famshme është edhe glikoja përmetare. Shumë janë përpjekur ta bëjnë, por askush nuk ka arritur t’i japë atë shije të veçantë që vetëm duart e amvisave përmetare dinë ta krijojnë.

 

 

 

Dhe kështu, Përmeti mbetet Përmet: i pastër si mëngjeset buzë Vjosës, fisnik si njerëzit e tij, melodioz si kabaja, aromatik si trëndafilat dhe i paharrueshëm si mikpritja që të ndjek në çdo hap.