Një fjalë e vjetër, e rrallë, e dalë nga përdorimi
Viktor Bakillari
Nuk ka shtrirje.
Në dijeninë tonë ka qenë përdorur në Nikollarë – Skrapar.
Kuptimi i fjalës “tifak”:
Kjo fjalë, ky nocion ka marrë frymë më përpara, para viteve 1930.
Nikollara mbanë thellinave (kanioneve) është një nga fshatrat e Skraparit, e shquar për rrush. Familjet e saj kishin vendosur edhe rregulla shumë të forta që të mos prekej rrushi i tjetrit.
Kush merrte rrush nga tjetri dhe zihej me trastë në dorë, ose, pasi hetohej, zbulohej, atëherë, ai ishte i detyruar t’i nënshtrohej dënimit të mëposhtëm:
Paria e fshatit prej bagëtive të vjedhësit përzgjidhte një bagëti të imët (dash, cjap, ftujak, qengj, karçin) dhe e therte.
Mishi shpërndahej falas në mënyrë të barabartë në çdo familje të fshatit, ndërsa vjedhësit i jepej … lëkura; pra, dënimi ishte i tillë që i zoti i bagëtisë të mos hante asnjë çikë mish nga bagëtia e vet, por të merrte vetëm lëkurën e berrit, të cilën daç ta bënte shakull, daç ta bënte def, daç ta shiste, daç ta bënte poste (postiqe) e ta mbante si kujtim…
Ky quhej tifaku.
Pra:
Tifak, -u m. etnogr.
Formë ndëshkimi që praktikohej duke i therur një berr dikujt që zihej duke vjedhur rrush në fshat, mishi i të cilit u shpërndahej fshatarëve, ndërsa lëkura i jepej të zotit.
Foto e kopertinës
Kjo foto mbi 100 vjeçare e Nikollarës, e bërë në vitin 1914, pas masakrave që bëri greku në jug të Shqipërisë, e publikuar nga Qetësor Gurra, është shkrepur nga krahu përmetar i Malit të Miçanit, nga ku duket krejt Nikollara.
Pikërisht këtu nis Kanioni i Nikollarës!
