Varri i nënës, atdheu ynë i vogël sa djepi

Varri i nënës, atdheu ynë i vogël sa djepi

Kronikë shqiptare

Mihal Gjergji

Familja shqiptare jeton lëngatën e rëndë e të pashpresë, është ndarë në copa, si atdheu.

E dini sa prindër thinjen nga pritja dhe zhuriten nga malli për fëmijët?! Janë me mijëra ata që japin shpirt të mbështjellë nga harresa dhe të braktisur nga dashuritë e tyre. Kësisoj, e trajtojmë atdheun si ëndërr dhe harrojmë rrënjët e tij, ato janë tek ne. Edhe emërin ia kanë ndërruar aq herë sa kanë dashur, ata që heqin vijat e kuqe mbi hartat e planetit; Iliria, Arbëria, Shqipëria…

 

Ky është trualli ynë, andaj e mendojmë si një parajsë, brenda së cilës kemi pjesën tonë, dhe harrojmë që jemi rritur mes mohimit, jemi vdekëtarë, së gjalli na e kanë grabitur çfarë na takonte. Nuk di kush e ka stisur këtë gënjeshtër joshëse, të cilën ua ushqejmë edhe fëmijëve, duke u thënë se janë tonat, gjithçka kemi trashëguar prej të parëve.

 

Edhe kur të braktis, Shqipëria mbetet jona, edhe kur atdheu të vret, s’tjetërsohet, kështu u themi fëmijëve. Edhe kur ato janë shitur, s’duam ta besojmë. Ka ekzistuar një trinitet hyjnor në themelin e çdo perandorie, çdo qytetërimi që ka mundur të mbijetojë nga ciklonet shekullore; familja, atdheu dhe zoti. Tre kolonat e një tempulli, të cilin s’kemi mundur ta ndërtojmë, paçka se kemi murosur në themele jetë njerëzore, mandej i kemi shndrruar në legjenda.

 

Të gjithë flasin për një Shqipëri, dikush të madhe apo etnike, e dikush atë londineze, të përcaktuar nga traktatet e fuqive të mëdha. S’kam dashur ta besoj një gjë të tillë, asnjëherë. Nëse jemi tre milionë shqiptarë, atëherë duhet të pranojmë se ekzistojnë tre milionë Shqipëri. Asnjëherë s’kemi qënë të bashkuar për të patur një Shqipëri të vetme, së toku. Janë bërë rrebelime pashallarësh, por jo kryengritje kombëtare, pikërisht sepse kemi qënë të përçarë.

 

E megjithatë, shqiptari ka mbijetuar, sepse ka ditur të ndërtojë strehën dhe të mbrojë familjen, si më të shtrenjtën pasuri. Bukurinë shpirtërore s’ka mundur t’ia vrasë ashpërsia e natyrës, as luftrat e gjata. S’kam parë ndonjë ndryshim mes banorëve të Kurveleshit dhe atyre të Kelmendit. Megjithse të varfër, ishin zotërinj, sundimtarë të paepur të asaj republike që mbanin brenda kraharorit. Në lartësinë e majëmaleve, nën çatoren e stanit u bënin konak mysafirëve, ua shtronin tryezën në pëllëmbën e dorës. Bujaria e malsorëve e zhvlerësonte shkëlqimin e rremë të qytetërimit evropian, të atyre vizitorëve që kishin provuar bukën dhe besën tonë. Sepse brenda fisnikërisë shqiptare jeton krenaria, pasqyrë e atij qytetërimi arkaik të panjohur nga bota e civilizuar.

 

Drama e Shqipërisë filloi me rrënimin e familjes, sepse atdheu fillon te familja. S’ka atdhe të fuqishëm pa familje të shëndetshme. Pushtuesit e huaj shkatërruan sa mundën, dogjën e plaçkitën, ndërsa pushtuesit e brendshëm ndoqën të njëjtën rrugë, fatkeqësisht. Tiranitë janë nervoze. Shqiptari s’mundi ta mbronte dot lirinë e tij nën peshën e sundimtarëve të rinj. Liria është frymë, ndërsa në vendin tonë është shndrruar në mall, që luhatet mes ofertës dhe kërkesës, e turmat s’munden ta blejnë. Hajdutët e shtrojnë veçmas gostinë e tyre.

 

Më vjen keq për ata që flasin për shtetin, për ata që shprehin revoltën me fjalë. Ndoshta s’e dinë që misioni i taksidarëve është grabitja e qytetarëve me akte normative dhe ligje. E keqja s’ka fytyrën e një përbindëshi. Atë mund ta shikoni në qeshjen hipokrite të një pushtetari, te qafa e dhjamosur e deputetëve, te duart e pista të atyre që firmosin kontrata, që nxjerrin në ankand tokën dhe nëntokën tonë.

 

Sekretaret bukuroshe, ministret tekanjoze dhe drejtoreshat e zgjedhura, (simotrat e Dylqinjës së Don Kishotit) e bënë gjumin firar, mbenë me këmbë në qiell, në udhëtimet e tyre të shpeshta te aleatët dhe partnerët. E këta të fundit kujtohen për ne kur u duhet pak vend të ngulin gozhdën, për të varur xhaketën apo armën e gjuetisë. Cinizmi i pushtetarëve që kundërmojnë erë gjirizesh është i padurueshëm. Askush prej tyre s’mendon për familjet shqiptare, për shkollimin dhe edukimin e fëmijëve, t’u ngjallin shpresë e besim, t’u punësojnë prindërit e familjarët.

 

Dhe pikërisht në këto rrethana, qytetari duhet ti shpërfillë ata që ka pranuar mbi krye, ti përbuzë, ti pështyjë me neveri, të djeshmit dhe të sotshmit. Brenda strehës familjare të krijojë një tjetër botë, më të ngohtë, më gazmore, ndryshe nga ajo e rrugës, që të vret pa mëshirë. Shteti shqiptar e vrau Bajram Currin, Luigj Gurakuqin e shumë atdhetarë të tjerë. Sikur të mos mjaftonte mjerimi ekonomik, dinamiti i fundit që u vendos në themelet e familjes shqiptare, ishte lufta e klasave, me qëllimin djallëzor; sundimin mes përçarjes.

 

Më i urryeri profesion, spiunazhi, iu bashkangjit me dhunë natyrës së shqiptarit. Shteti i diktaturës komuniste e vrau Gjergj Fishtën, por jo vetëm atë, eshtrat ia hodhi në lumin e Bunës. Qindra intelektualë të shkolluar në perëndim u shuan në burgjet famëkeqe të Spaçit, Burrelit, Qafëbarit, në kënetën e Maliqit dhe kampet e interrnimit. Ata i vrau atdheu i tyre, Shqipëria. Këto ditë takova një mikun tim, mësues i nderuar, i cili vinte nga mërgimi i largët. I kishte kaluar të 70-tat. Do të shkoj në vendlindje më tha, te varret e prindërve, t’i zë me dorë e t’u them dy fjalë.

 

E dëgjova me admirim, kishte mbetur njeri i mirë, si dikur, në rininë e tij. Madje më tregoi për varrin e një shqiptari në New York, mbërritur atje në vitet e diktaturës. Te pllaka kishte gdhendur flamurin tonë.

 

Kishte marrë me vete Shipërinë e tij.

Familja, vetëm familja do ta bëjë Atdheun, për të cilin flasim kaq shumë. Ndoshta s’e tepëroj po të them se atdheu fillon te prehri i nënës e, kur largohet nga kjo botë, duhet të shkojmë te varri i saj, atje e gjejmë atdheun tonë të vogël,sa djepi që na përkundi.

 

New York, maj 2022