22 tetor – 23 nëntor, Berati – 1 muaj kryeqytet: Krijohet Qeveria e Parë Demokratike e Shqipërisë

22 tetor – 23 nëntor, Berati – 1 muaj kryeqytet: Krijohet Qeveria e Parë Demokratike e Shqipërisë

Marela Guga

Doktore në shkencat historike

 

Si sot më 22 tetor 1944, 77 vite më parë  në qytetin e Beratit, u mbajt Mbledhja e Dytë të Këshillit Nacionalçlirimtar, në sallën e ish kinema “Republikës”.

 

Në të merrnin pjesë përfaqësues të terrenit, ushtrisë  dhe misionet  ushtarake aleate të Bashkimit Sovjetik,  Britanisë  së Madhe, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës  dhe Jugosllavisë  si dhe “miqtë” të tjerë Jugosllavë.

 

Fituesit e luftës u mblodhën në Berat për të krijuar qeverinë e ardhshme, shpalosën programin dhe hodhën piketat e qeverisjes së ardhshme “demokratike”.

 

U zgjodh  Këshilli Antifashist  Nacionaçlirimtar nga të cilët, 7 ishin femra intelektuale dhe me reputacion.

 

Nga mbledhja  doli qeveria,  dhe u aprovua  një dokument politik me 17 pika nën emrin  “Deklaratë e Këshillit Antifashisht Nacionalçlirimtar të Shqipërisë mbi të drejtat e qytetarëve”, që të kujton “Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarëve”, të formuluar nga revolucioni francez . Deklarata përmbante të drejtën e fjalës, pronës, të drejtës e votimit të fshehtë, të ushtrimit të fesë,  pronës, barazisë së gruas etj.

 

Një pjesë e të  zgjedhurve në Këshillin Antifashistë Nacionaçlirimtar u dënuan si element antiparti, disa vdiqën në burgjet komuniste, të tjerë  u pushkatuan.

 

Ata ishin: Koçi Xoxe, Abdyl Këllezi, Bedri Spahiu, Fadil Paçrami, Nako Spiru , Gjin Marku, Gjergj Kokoshi, Koço Tashko, Mehmet Shehu,  Mustafa Xhani (Baba Faja Martaneshi), Ramadan Çitaku, Riza Dani Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Shefqet Beja, Tuk Jakova, Abedin Shehu, Arif Gjyli, Dali Ndreu, Faik Shehu, Baba  Fejzo Dervishi,  Irfan Majuni, Islam Radovicka, Kadri Hoxha, Manol Konomi, Naxhije Dume,  Nesti Kerenxhi, Omer Nishani, Pëllumb Dishnica dhe  Rahman Uruçi .

 

Gjithsesi për 50 vjet ajo mbeti ngjarja më e rëndësishme politike e pas luftës, dhe për një muaj Berati u bë kryeqyteti i Shqipërisë!