Mos u hakmerrni, zoti Kryeministër! Na hapni edhe ne, skraparllinjve, një valvol si të gjithë shqiptarëve!…

Mos u hakmerrni, zoti Kryeministër! Na hapni edhe ne, skraparllinjve, një valvol si të gjithë shqiptarëve!…

Avni Mukaj

 

I nderuar Z. Kryeministër i Shqipërisë!

Unë që po ju shkruaj jam një shqiptar nga Skrapari, prej 1997 në emigracion. Ndjek situatat në vendin tim ashtu si çdo shqiptar që jeton me fatet e vendit të tij. Me pak mungesë modestie, situatat i ndjek ndoshta pak më shumë se të tjerët, ndoshta pak më shumë se duhet, si idealist.

 

Në 1996 isha përfaqëues dhe n/kryetar për PS në një qëndër votimi atje ku unë banoja. Qëndrova që të votohej ashtu si unë besoja. Më shantazhuam e më kërcënuan, por duke më njohur, më lanë në idealizmin tim. Ku ta dija unë se proces verbalet ishin firmosur pa filluar votimi. Ika, por besova dhe besoj tek vendi im.

 

Fakti që më shtyn t’ju shkruaj Ju por edhe për publikun, është projekt buxheti i vitit 2023, prej nga dëgjova se për Skraparin nuk është menduar aspak.

 

 

I nderuar Z. Kryeministër!

 

Pa dashur t’ju lodh me gjeografinë apo historinë e Skraparit, dua t’ju sjell në vëmëndje: Në Skrapar hyn nga Berati ashtu si në vitet ’90 të shekullit të kaluar – për 4-5 orë dhe, edhe pse nuk të vjen mirë të kthehesh pas, të duhen po 4-5 orë të kthehesh në Berat. Nuk ke ku shkon, vetëm të kthehesh pas.

 

Na janë bllokuar valvolat z. Kryeministër. Nuk rrjedh gjaku ynë më tej. Megjithëse me qejf duam të dalim në Korçë, në Përmet apo në Gramsh. JO. Valvolat na janë bllokuar.

 

Ne kemi qënë dhe ngelëm xhep. Marr shkas edhe nga turi Juaj në Gjirokastër këto ditë. Gëzohem që gëlon jeta dhe shtohet shpresa atje. Po ç’faj kemi ne skraparllinjtë që jetojmë në Skrapar dhe jo në Gjirokastër?

 

Ne duam të dalim në Gjirokastër nëpërmjet Përmetit, në Korçë, në Gramsh e më tej në Elbasan. Por na ajnë bllokuar valvolat dhe gjaku ynë nuk lëviz.

 

* Ka pasur një projekt për një rrugë Skrapar-Përmet, natyrisht instancat shtetërore e kanë gjykuar të parakohshme dhe prandaj, të paktën unë dhe shumë si unë e mirëkuptojmë, nuk është në kohë. Çdo aks rrugor studjohet për nga fluksi i shfrytëzimit para fillimit të investimit. Por nuk është faji ynë, është edhe i atyre që na kërkuan dhe na morën votat, edhe duke na premtuar këtë rrugë. Së fundmi na i premtoi për të disatën herë ish Presidenti nga posti i sapo marrë. Shumë e besuan, unë dhe shumica si unë jo.

 

* Nga Skrapari ka edhe një dalje tjetër për t’u bashkuar me aksin e rrugës Gramsh-Lozhan e më pas të shkosh ku të duash më tej. Nëpërmjet Tomorricës, asaj lugine magjepëse e ku me shumë pak investim hap një valvol të rëndësishme qarkullimi për ne.

 

Por ne skaparllinjtë e dimë, po nuk ka shumë thesi, nuk ke ç’të japësh.

 

Por një VALVOL dua ta sjell në vëmendjen Tuaj Z. Kryeministër!

 

Qafa e Martës!

 

Është pika ku ndahet Skrapari me Korçën, është Qafa ku luftoi Lace Backa ynë, është pika ku ne na është bllokuar qarkullimi i gjakut.

 

Është Qafa ku, nga Korça vjen aty, në Qafën e Martës, atje ku bashkohen retë, vetëm për një orë. Falë investimit të TAP-it.

 

Është Qafa ku, nga Çorovoda në Backë, vjen për një orë. Falë investimit të TAP-it.

 

Por….Nga Backa në Qafën e Lace Backës, ku TAP-i, nuk dihet pse, e la rrugën pa e lidhur dhe nuk qarkullon gjaku më tej.

 

VETËM 10 KM RRUGË!…

 

Na i vendos këtë valvol, zoti Kryeministër!

 

Lidh Backën me Qafën e Lace Backës, lidh Skraparin me Korçën…

 

Hapeni të bëhet e qarkullueshme, se ndoshta do të mirëmbahet më pas edhe investimi aktual. Nuk e di a e dini, se për mungesë fondesh, edhe rruga e TAP-it Çorovodë-Backë po degradohet. Nuk mirëmbahet, për mungesë fondesh. Po ikën investimi kot.

 

 

Na hap një valvol të marrim frymë pak më mirë. Valvolat e tjera hapi më vonë, me shumë valvola, më gjatë jetohet, por ato le ti gëzojnë brezat e tjerë.

 

Ne skraparllinjtë jemi shumë, jemi shpërndarë nëpër botë, por dhe duam të kthehemi në Skraparin tonë të bukur. Shpresojmë se demokracia e shumëpritur do na i japë këtë mundësi.

 

Kur bëjnë shaka me ne, na pyesin sa milionë jeni. Ndoshta shumë s’jemi, por jemi cilësorë që dukemi shumë, thotë miku im i mënçur.

 

Me respekt dhe me besim të palëkundur tej Ju!

 

Avni Veiz Mukaj

Kretë, Greqi