55 vjet nga…“Mbeçë, more shokë mbeçë” i Artistit të Popullit Demir Zyko!”

55 vjet nga…“Mbeçë, more shokë mbeçë” i Artistit të Popullit Demir Zyko!”

Prof. asoc. dr. Hysen Binjaku

 

Sot, më 17.01.2023 mbushen 55 vjet nga mbajtja e festivalit folklorik të Lezhës, festival që mbeti në histori si “shpërthim” i grupit folklorik të Skraparit.

 

Në këtë ditë filloi historia e këngës “Mbeçë more shokë mbeçë” dhe “u zbulua” fenomeni Demir Zyko.

 

 

Ndaj, me këtë rast, po sjell në vemendje të lexuesve të “Orakujve të Tomorrit” episode të fillimit të njohjes time me këtë bilbil të rrallë të këngës popullore të trevave jugore dhe juglindore të Shqipërisë, para se ai të bënte emër:

 

 

 

 

Demir Zykon, si e njoha para se të bëhej i famshëm

 

Në fund të gushtit të vitit 1964 duhej të nisesha për në shkollë, natyrisht duhej të shoqërohesha nga dikush (fëmijë isha në atë kohe, plus ishin dhe plaçkat që do merrja për të jetuarë në konvikt). Babai tha se do të më çonte ai. Jo se isha kundër, por për të mos harxhuarë kohën, por edhe ndonjë lek për rrugëtimin dhe fjetjen duhej, i thashë që të shkoja me xhaxhanë deri në Gjerbës, pastaj shikonim e bënim.

Xhaxhai im, Fejzi Binjaku, në atë kohë ishte korrier i lokalitetit të Gjerbësit, shpërndante letrat, telegramet dhe gazetat fshat më fshat për gjysmën e Tomorricës. Kështu e lamë.

 

Sapo mbrrijmë në Gjerbës, bashkë me xhaxhanë, u takuam me dajo Meton, ishte me xha Bektashin (Bektash Alushani) dhe një burrë tjetër, moshatar i tijë. Bektash Alushanin e njihja për emër se Zyraja, e shoqa e dajo Metos, ishte nga fisi i Alushanëve të Gjerbësit, motra e doktor Qemal Alushani. Në bisedën midis atyre të treve dhe xhaxhait (unë i pranishëm) mësova se ai, burri tjetër, quhej Demir Zyko.

 

U ndamë me dy të njohurit e rinj. Dajo Meto ma lehtësoi udhëtimin, e rregulloi të hipja në karrocerinë e një makine të konsumit, që sapo kishte shkarkuarë thasët me mjell dhe do kthehej në Çorovodë. U ndava me Dajo Meton dhe Xhaxhanë, sigurish që qava, aty e ndjeva plotësisht largimin nga shtëpia dhe fshati.

Ky ka qënë kontakti im i parë me Demir Zykon që, më vonë, do të bëhej i njohur në Tomorricë, Skrapar, gjithë Shqipërinë e më gjerë.

 

Pata kaluar dhe ndaluar në Gjerbës sa herë që kthesha me lejë apo pushime në shtëpi, por nuk më pati rastisur ta shihja “të njohurin e dikurshëm”. Rasti e solli në verën e vitit 1966. Kthehesha nga fshati, Çerrica, për në shkollë. Si gjithmonë, në Gjerbës, u takova me shokët e tjerë nga fshatrat e Tomorricës dhe që ishim bashkë në konvikt në Çorrovodë.  Ndërkohë që prisnim, shikojmë se, tek gardhi rrethues i shkollës 8 – vjeçare kishte një grumbullim njerëzish. Afrohemi edhe ne, rrugëtarët e rastit.

Morëm vesh se paskësh ardhur një grup specialistësh të muzikës popullore nga Tirana, të cilët dëgjonin dhe regjistronin këngë popullore të zonës, kënduar po nga këngëtarë të kësaj zone. Pak nga pak, grumbulli i kureshtarëve po shtohej ndërsa, nga ambientet e shkollës, dalin të ardhurit nga Tirana dhe ata që ishin provuar të këndonin. Syri më zuri atë burrin, që njoha dy vite më parë, xha Demirin, të veshur ndryshe këtë herë, ishte veshur me një kostum të zi shajaku dhe një qylaf pellushi, po të zi (veshje karakteristike e burrave, pak në moshë, jo të rinj, të krahinës së Tomorricës).

 

Nga altoparlanti, pas një kënge të kënduar nga gratë, dëgjohet zëri kumbues i Demir Zykos.

Nuk u interesova fare për këngën, jo se nuk më pëlqejnë këngët e krahinës, përkundrazi, i ndjek me ëndje, edhe pse vet nuk di të mbaj as iso. Po ndiqja, jo zërin e tij por, vetë atë, xha Demirin…

 

Në shtator 1973, sapo kisha filluarë punën si mësues i matematikës në Shkollën e Mesme Poliçan, Skrapar. Klasën e tretë gjimnaz e kisha në kujdestari dhe u jepja dy lëndë të matematikës, trigonometri dhe sterometri. Për t’u njohur sa më mirë me nxënsit, orën e parë i pyeta edhe nga vinin, si kishin dalë dy vitet e para në lëndën time, por edhe më gjerë. Duke vijuar apelin dhe pyetjet rutinë, lexoj: Rustem Zyko.

Pasi dëgjova “këtu” e pyeta se nga ç’fshat ishte. “Nga nga Gjerbësi “ – më thotë.”I kujt je” – i thashë me një parandjenjë.  “Demir Zyko ma quajnë babanë” – ma preu shkurt. “Prit, prit … E njoh babanë tënd, jo se kam muhabe,t por e njoh – i thashë – dhe, për të krijuar një farë afiniteti, jo vetëm me Rustemin, por me gjithë nxënësit e klasës,  tregova episodin e takimit me xha Demirin në vitin 1964 si dhe rastin e këngës në vitin 1966, koha kur isha në moshën e tyre).

Në vitin 1974, me sa kujtoj, ishte vjeshtë, mësuesi dezhurn i javës na lajmëron që të gjithë nxënsit dhe mësuesit të futen në sallën e madhe, pasi do të lexohej një artikull nga gazeta kryesore e kohës.

Mësuesja e letërsisë, Luljeta Kapore (Nure) lexoi një artikull të faqes së parë ku bëhej analizë e një festivalit folklorik dhe në veçanti flitej për këngën “Mbeç more shokë mbeç”, kënduar nga Demir Zyko dhe Grupi i Skraparit.

 

Pa dyshim që u gëzuan të gjithë ata që ishin në sallë, unë pak më shumë. Kisha arsye të fortë për t’u gëzuarë, xha Demiri ishte nga Tomorrica dhe unë e kisha njohur dhe takuar atë, ende pa u bërë i famshëm.

E pata takuar shumë herë të tjera Demir Zykon, edhe pasi u bë Artist i Popullit, por në kujtesën time ka mbetur ai Demiri që pashë dhe takova herën e parë në Gjerbës, me shkopin në dorë.