65-vjetori i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar

65-vjetori i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar

20 korrik 1957 u krijua Organizata e lavdishme e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar.  Në këtë ditë të shënuar, e cila tashmë, me vendim të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar, u shpall “Dita Kombëtare e Veteranëve të LANÇ”.

 

Organizata e veteranëve, gjithë veteranët e pasardhësit shprehin mirënjohjen e tyre të thellë ndaj atyre burrave të nderuar, luftëtarëve të orëve të para, atyre ish- komandantëve legjendarë të formacioneve të mëdha partizane, të cilët organizuan e drejtuan organizatën e veteranëve për vite me radhë, duke u dhënë mundësi gjithë atyre ish luftëtarëve, që të përfshiheshin në këtë organizatë, për të vazhduar misionin e tyre të lartë atdhetar, atë të mbrojtjes së vlerave e të idealeve të LANÇ, propagandimin dhe përcjelljen e tyre në breza.

 

Organizata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar u krijua si një institucion i rëndësishëm dhe i nevojshëm për të evokuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Qëllimi i saj ishte të ruante të pastra idealet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të çonte përpara traditat atdhetare të popullit tonë, të luftonte për ruajtjen e vërtetësisë historike të ngjarjeve, të ruante e të mbronte idealet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të kujdesej për varrezat e dëshmorëve, të lapidarëve, të pllakave përkujtimore, të statujave e monumenteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

 

Qëllimi tjetër i kësaj organizate ishte propagandimi i LANÇ nëpërmjet kujtimeve, fletë-palosjeve dhe librave për ngjarje dhe beteja të rëndësishme, për heronj e dëshmorë, për njësi partizane etj. Ajo krijoi edhe gazetën e saj “Kushtrim brezash”, e cila del çdo javë prej vitit 1991.

 

Kjo festë e organizatës së veteranëve shërben jo vetëm për të parë e reflektuar mbi punën e veprimtarinë e saj, por dhe si një rast për të forcuar dhe më tej solidaritetin shoqëror, unitetin e kompaktësinë, mirëkuptimin dhe frymën e shëndoshë në marrëdhënie me njëri-tjetrin, midis veteranëve e pasardhësve, për të rritur dashurinë vëllazërore dhe respektin reciprok, pse jo edhe për t’u mbledhur, për të festuar së bashku me gëzim, këngë e mesazhe urimi, si një familje e madhe, që përçon veç dashuri, harmoni e atdhetarizëm, në mbrojtjen e vlerave të larta historike të LANÇ-it, virtyte këto që frymëzojnë të gjithë.

 

Në këtë vështim, “Dita Kombëtare e Veteranëve”, është festë jo vetëm për veteranët e pasardhësit. Ajo është e duhet të jetë festë për të gjithë popullin shqiptar, sepse aspiratat e organizatës së veteranëve, objektivat e veprimtaria e saj i përkasin dhe mbarë shoqërisë shqiptare.