8 gushti, Helmësi i Skraparit dhe pelegrinët e harruar të historisë së tij
Zylyftar Hoxha
78 vjet më parë, më 8 gusht 1944, u mblodh Kongresi i Parë i Rinisë Antifashiste Shqiptare. Kongresi zhvilloi punimet në një lëndinë të bukur afër fshatit Helmës të Skraparit.
Në kongres, që vazhdoi për një javë rresht, merrnin pjese 285 delegatë, ndër të cilët 72 ishin të reja. Delegatët përfaqësonin të gjitha krahinat e Shqipërisë, si ato të çliruara, ashtu edhe ato të pa çliruara, si dhe të gjitha repartet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Ndërkohë poshtë në fshatin Helmës atë vit ka qëndruar për 6 muaj me radhë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Një pjesë e shtabit, komanda, zyrat dhe Spiro Moisiu ishin vendosur në shtëpinë e Mehmet Myslimit, Enver Hoxha në shtëpinë e Nevruz dhe Nurihanë Bilimanit, ndërlidhja, intendenca dhe aksesorët e tjerë ishin vendosur në shtëpitë dhe kasollet etjera të fshatit. Ndërsa çadrat e Misionit Anglez dhe atij sovjetik ishin vendosur rreth 500 metra përballë fshatit.
Të dy këto ngjarje festoheshin çdo vit në një mënyrë tepër të veçantë, në formën e marshimeve dhe peligrinazheve. Vinin aty ish – të rinj të Luftës, veteranë, bij veteranësh, të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria, festonin për dy –tri ditë me radhë në lëndinën e bukur mes pyllit të Lirëzës.
Ka qenë një nga festat më mbresëlënëse shqiptare. Por, pas ndërrimit të sistemeve, fatkeqëisht u harrua gjithçka.
U harrua që Helmësi, në një farë mënyre, për gjashtë muaj, ishte kryeqyteti i Luftës Antifashite Nacionalçlirimtare nga dilnin urdhërat dhe udhëzimet dhe drejtohej Lufta, u harrua dhe Kongresi i Bashkimit të Rinisë Antifashte Shqiptare, që ishte një nga ngjarjet e mëdha dhe përcaktuese të kohës.
Duke vazhduar më tej për Helmësin, mu duk e arsyeshme të sjell me këtë rast disa pjesë nga reportazhi im i botuar në gusht të vitit 1974 në gazetën “Jehona e Skraparit”, kur unë punoja si një nga redaktorët e saj. Këto pjesë autentike, të pacënuara, janë episode kujtimesh të banorëve të fshatit të asaj kohe:
Episodi i parë:
Molla korrikje në oborrin e shtëpisë së Novruz Bilimani tështë mbushur plot. Vërtet është korrikje, por bëhet më vonë nga gjysma e gushtit, se Helmësi është lartë, 900 m mbi nivelin e detit.
“ E sheh këtë mollë, mor bir, më thotë Metulla Bilimani. Kjo ka qenë e egër. Një ditë Enveri i thotë plakut pse nuk e sharton këtë mollën, duket që e do vëndi. Thirri një nga ata të shtabit, kishte mbaruar në Itali për agrokulturë. I tha nëse e shartonte dot atë mollën. “Posi”, tha ai, dhe e shartoi.
Ka dyzet e ca vjet që lëshon lule bën kokrra. Dhe jo vetëm kjo, por Helmësi tani është mbushur plot me mollë në plantacione. Një shkëndijë ndez një mal – mbyll bisedën nene Metullaja
Episodi i dytë:
Rrapi Xhelaku tregon se si një herë kur po u çonte qumështin e përditshëm anglezëve në çadra, kur po kalonte te çezma në mes të fshatit, e shikon Enveri dhe i thotë:
“Atyre do t’ua çosh”?
Dhe kthen kokën nga kampi anglez.
“Po”, i thashë.
“Më parë se të shkosh atje, eja këtu, më tha dhe më tregoi lyfytin e çezmës. Bëjua siç na e bëjnë, një prej dhije e dy prej vije”!…
Natyrisht që nuk bëra ashu, po për të qeshur qeshëm fort të dy, tregon duke qeshur edhe në këto çaste xha Rapi.
Episodi i tretë:
Bektash Myslimi, nga familja e Mehmet Myslimi:
“Kur vjen Enver Hoxha në Skrapar në nëntor 1971, në tribunë në krah të djathtë vuri Mehmetin, që në atë kohë ishte shumë plak. Po kështu edhe në darkë Mehmetin e vuri në krah të djathtë, por dy karrike më larg. Pas xha Mehmetit ndenja unë, më tepër për t’i qenë pranë për ndonjë nevojë.
Kishte kaluar kohë dhe Mehmeti nuk kishte hedhur gjë në gojë.
“Pse nuk ha” – i thashë.
“Nuk shoh, më tha, dhe sa të thyej ndonjë pjatë a ndonjë gotë dhe të bëj rrëmujë, më mirë po rri pa ngrënë”.
Mora pirunin dhe po e ndihmoja duke ia çuar pirunin te goja. Enveri na pa dhe tha:
“Jepi, or ti djalë, jepi xha Mehmetit për të ngrënë, se na ka dhënë gjatë luftës, na lëshoi shtëpinë e gjithçka”.
Qeshën të gjithë me këtë gjysmë shaka, thotë Bektashi.