Plaga

Plaga

Kujtime nga jeta

Kur mbaroi festa e organizuar me rastin e Vitit të Ri dhe përfundimit të semestrit të parë, jashtë bora kishte zbardhur gjithë fshatin. Me daljen në oborr, fëmijët filluan”festën” e topave të borës. Të gjithë luanin me topa bore: nxënës, mësues e prindër.

Bashkë me një kolegun tim, i lamë duke luajtur dhe me urimin: “Gëzuar Vitin e Ri” u larguam. Mbrëmja kishte rënë, po rruga shihej qartë për shkak të borës. Frynte erë e bora na përplasej në fytyrë. Kur mbrritëm në shtepi, ishim mbuluar nga bora.

Derën e apartamentit ma hapi djali. S’hyra në kuzhinë. Vendosa çantën mbi portmonto dhe shkova drejt e në dush.

Mbas dushit, aty pranë sobës, ulur në divan, fillova të vesh çorapat. Sytë më shkuan te shenja e ngeluar nga plaga , aty midis gishtrinjëve, nga një prerje në kohën e fëmijërisë. Djali, që ndiqte televizorin, për një moment, hodhi sytë mbi shenjën midis gishtrinjve dhe pyeti:

– Të paskërka mbetur shenjë?! Kur e ke vrarë?!

-Sa vjeç je ? – e pyeta.

Më shikoi pak i habitur e, me ndrojtje, tha:

– Përse, nuk e ditke se sa vjeç jam?!

– Unë e di, por dua ta dëgjoj nga goja jote, – i thash duke qeshur.

– Nëntë vjeç.

– Edhe unë këtë shenjë e kam kujtim nga kjo moshë. Ke dëshirë të mësosh se si ndodhi prerja, e cila ka ngelur shenjë?

E miratoi edhe me lëvizje të kokës.

– Po, ma trego!

Fillova t’i tregoi.

Atë kohë nëna ime punonte në fshatin Gorre të rrethit Lushnje. Mbase ta kam treguar atë fshat kur kemi kaluar, por ndoshta s’të kujtohet. Kemi disa vjet që jemi larguar që andej. Ke qënë edhe në moshë të vogël. Kur të shkojmë nga hallat, s’do të udhëtojmë me tren, por me autobuz. Rruga kalon pranë fshatit dhe duket qartë nga autobuzi.

Ishte muaji prill. Përgjegjsi u kishte thënë:”Për disa kohë do të shkoni të punoni në fshatin Libofshë”. Më parë ky fshat ishte pjesë e rrethit Lushnjë, kurse tani është e rrethit Fier. Nuk është shumë larg fshatit, ku banon halla e madhe. Puna që do të bënin ishte të qëronin kallamat nga lëvozhgat…

– Sa larg është Kolonja me Libofshën? – ndërhyri nipi, i cili ndodhej aty e po ndiqte bisedën.

– Atë vit ne banonim në Bubullimë, ndaj udhëtimi do të bëhëj nga Bubullima në Ardenicë e, pasi të kaloje Manastirin e Ardenicës, zbrisje në Libofshë.

– Ajo kisha në majë të kodrës?- pyeti përsëri nipi.

-Po. Ajo quhet Manastiri i Ardenicës. Besoj se kur banonim në Kolonjë duhet të kesh bërë shëtitje atje. Aty ka vënë kurorë Skënderbeu.

– Po, po! – u përgjegj nipi. – Kemi shkuar disa herë. Isha në klasën e katërt fillore, kur kam shkuar herën e fundit. Më kujtohet ai vend.

– Nëna ime, apo gjyshja juaj, së bashku me një shoqen e saj niseshin çdo mëngjes herët, pa lindur dielli, sepse orë s’kishin. Ktheheshin, kur kishte perënduar dielli dhe ishte errësuar.

– Sa orë ecnin?

– Dy orë e gjysmë!

– Vajtje – ardhje, apo si vajtja e kthimi nga dy orë e gjysëm?

– Me vajtje e ardhje bëheshin pesë orë!

– Në këmbë udhëtonin?! – pyeti djali.

– Në këmbë! S’kishte rrugë për makina.

– Tani po ju tregoj historinë e shenjës së ngeluar nga ajo prerje: Pagesa bëhej sipas fijeve të kallamave që do të qëroje. Sa fije të qëroje, me aq lekë do të paguheshe. Një fije e qëruar paguhej një lekë të vjetër. Ishte punë, që e bënim edhe ne të vegjlit. Unë e halla juaj e vogël filluam pushimet e shkollës. Kështu si i merni ju tani. Nëna na mori me vete për të punuar. Kallamat që pastronim ne i rregjistroheshin nënës. U ngritëm herët. Rruga nga shtëpia deri në fshatin Ardenicë ishte fushë e nuk ndjemë lodhje. Ishim dhe të gëzuar, se po shkonim të ndihmonim nënën! Do të kontribonim në rritjen e të ardhurave. Malorja deri te Manastiri i Ardenicës na lodhi. Mbrritëm në Libofshë. Punuam atë ditë e në darkë u kthyem në shtëpi. Ishim aq të lodhur, sa edhe bukën po e hanim me sy mbyllur.

– Sa vjeç ishte halla? – pyeti nipi

– Halla ishte dhjetë vjeçe, ndersa unë isha tetë.

Të nesërmen u nisëm përsëri. Nëna u la porosi dy motrave.

– Mund të mos kthehemi në darkë. Ju mos kini frikë! Hani bukë e flini.

Fjetja atë natë te puna bëhej për ne. Se losheshim. Ditën e dytë e ndjemë lodhjen edhe pse ecëm pak më me avash. Punuam deri në mbrëmje vonë. Për darkë nëna na dha biskota e nga një llokume. Mori në depo dy rrogoza. Një e shtruam që të shtriheshim dhe tjetrin e hodhëm për mbulesë! Kështu fjetëm atë natë.

Të nesërmen e filluam punën herët. Në drekë filluan të dalin retë. Pritej së shpejti të fillonte shiu. Filluam të numrojmë kallamat. Ishte bërë punë e mirë. Nëna më thirri që ta ndihmoja për të lidhur tufën e kallamave. Vrapova, por nuk e pash thikën me të cilën nëna qëronte kallamat. Ishte thikë e madhe, me majë të hollë. E godita majën e thikës. Maja e saj u ngul midis gishtrinjve! Gjaku filloi të rrjedhë.

Shkuam në ambulancë, por infermierin nuk e gjetëm. Nëna kërkoi ndihmë në një familje. Ishte një nga familjet e skraparlinjve, të cilët ato vite ishin vendosur aty në Libofshë. Kishte marrë në një gotë me raki, si dhe një leckë. Ma pastroi plagën dhe e lidhi me leckën.

Dorëzuam kallamat e u nisëm për në shtëpi. Ende s’kishim arritur te Manastiri i Ardenicës, kur filloi të bjerë shi. Ecnim nëpër baltë. Hoqëm sandalet që kishim veshur. Po ecnim zbathur. Gjaku nga plaga nuk pushonte, deri sa arritëm në shtëpi. Nëna e pastroi përsëri me pak raki dhe e lidhi me një copë të bardhë. Të nesërmen, së bashku me motrën e madhe, shkuam dhe e mjekuam plagën në ambulancë. Plaga u shërua, por mbeti kjo shenjë si kujtim i asaj moshe, si kujtim i asaj rruge të lodhshme. Mbeti si dëshmitare e asaj pune, edhe pse mosha ishte e vogël.

– Po kallamat përse përdoreshin?

– Në atë kohë kallami kishte një përdorim të gjërë në ndërtim. Në Myzeqe përdorej për mure në vend të tullave, për tavane, për të rrethuar kopshtet e mbjella. Edhe tani përdoret, por jo si në atë kohë. Kallamin e njihni, se kini parë kur kemi shkuar te hallat.

– Po rrogozi përse përdorej?- më pyetën si nipi dhe djali.

– Për këtë do t’ju flas ndonjë ditë tjetër. Tani do të hamë darkën e do të shikojmë programet televizive për Vitin e Ri.