Përurohet në Akademinë e Shkencave libri mbi jetën dhe veprimtarinë e tij, shkruar nga Gëzim Voda
Shoqata Atdhetare Kulturore “Dëshnica”, me rastin e 75 – vjetorit të lindjes së studiuesit të njohur, doktor i shkencave historike Nuri Dragoj, promovoi dje, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në Tiranë, librin monografik me titull “Dr. Nuri Dragoj, nderi i Dëshnicës dhe i Përmetit”, me autor Gëzim Vodën.
Merrnin pjesë kolegë, miq, shokë, të afërm dhe familjarë të të ndjerit dr. Nuri Dragoj.
Për librin dhe në përgjithësi për gjithë veprimtarinë studimore të Nuriut, foli Akademiku Pëllumb Xhufi.
Më pas e morën fjalën edhe shumë të tjerë, njerëz të letrave dhe miq të të tij.

Autori i librit dhe bashkëpunëtori ngushtë i tij për një kohë të gjatë në drejtimin e Shoqatës Atdhetare “Dëshnica” dhe gazetës me të njëtën emër, “Dëshnica”, Gëzim Voda përshëndeti dhe falenderoi pjesëmarrësit.
Veprimtarinë e mbylli kryetarja aktuale e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Dëshnica”, Yllka Mërkuri.
Kush ishte Nuri Dragoj
Dr. Nuri Dragoj, një personalitet me vlera të spikatura në çështjen e atdhetarisë dhe të publicistikës shqiptare u largua nga kjo jetë më 15 tetor 2020, duke lënë pas një opus të madh krijues me libra, shkrime, monografi dhe vëllimesh studimore.

Lindi më 22 prill 1951, në Zhepovë të Përmetit, ishte nip në Buzuq dhe dhëndër në Sharovë të Skraparit.
Studimet e larta i përfundoi në vitin 1976 për mjek veterinar. Gjatë viteve 1977-1986 do ta ushtronte profesionin e tij në fshatra të ndryshme të Përmetit ku, gjatë kësaj periudhe ka kryer edhe specializime të ndryshme pasuniversitare dhe iu fut fushës së gazetarisë si korrospondet vullnetar në shtypin e kohës.
Ndërsa pas viteve 1990 aktivitetin studimor do ta përqendronte në fushën e historisë duke fituar në vitin 2013 titullin Doktor i Shkencave Historike pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës me temën “Treva e Përmetit në periudhën e viteve 1912-1944”.

Dr. Nuri Dragoj për shumë vite ka qenë pjesë e Institutit të Albanologjisë ka qënë gjithashtu një nga themeluesit e shoqatës atdhetare kulturore “Dëshnica”, kryeredaktor i gazetave “Republika” dhe “Dëshnica”.
Mban titullin Qytetar Nderi i Përmetit.
Më poshtë:
Fjala e poetit Mihal Gjergji, mik i Nuri Dragojt dhe konsulent për disa prej punëve të tij shkencore
Shumë rrallë marr pjesë në promovime librash, sepse hipokrizia njerëzore është bërë e paduruesheme.
Meqënëse kam marrëdhënie miqësore me autorin e këtij libri, Gëzim Vodën, dhe njohje e vlerësim të veçantë për Nuri Dragojn, objet i këtij libri, do t’i them dy fjalë.
Së pari një falenderim të zgjedhur për Gëzimin, ndërkohë që do kthehem prapa në kohë.
“Shqipëria dhe agresioni diplomatik i fuqive të mëdha” Ishte libri i fundit i autorit Nuri Dragoj. Mua më besoi parathenien e këtij studimi. Priste me padurim ta mbaroja. S’mundi t’a botonte, sepse e rrëmbeu vdekja në krahët e saj. Ndoshta familjarët e realizojnë publikimin e kësaj vepre, të cilën autori e kishte shumë për zemër.
Ndjehej i lodhur. Puna me arkivat është sfilitëse. Është një rrugëtim i vështirë, më thoshte. Madje, këtë dëshironte edhe si titull të librit.
Dramat shqiptare projektohen në zyrat e kancelarive europiane dhe luhen këtu, për ne dhe mes nesh. Kur largohemi nga jeta, askush nuk pyet si vdiq, por si rrojti. Sepse njeriu konsiderohet i vdekur qysh në gjallje, atëherë kur nuk ka një qëllim në jetë.
Dhe qëllimi i Nuriut ishte zbardhja e të vërtetave historike mbetur ne harresë dhe mbuluar nga pluhuri arkivave. Mos harroni, shtetin shqiptar e krijuan shqiptarët dhe e mbrojtën me gjakun e tyre. Faktori i brendshëm, ushqyer nga idetë e ndritura të rilindasve tanë dhe fryma e shëndetshme e atdhetarisë, ka qënë përcaktues në çdo ngjarje, në çdo hap e përballje, ndërsa faktori i jashtëm ka qënë ndihmues.
Mjafton të kujtojmë beslidhjet tona, nga ajo e Lezhës te ajo e Prizrenit. Emërat e atyre që lanë gjurmë, kanë mbetur si gurë kilometrik në rrugën tonë. Por, mos harroni, dashuritë e mëdha e vrasin njeriun.
Shekulli i kaluar ishte me burra të fortë e me fëmijë që piqeshin para kohe, me dritë në sy e me flakë në zemër, ndërsa shekulli në të cilin jetojmë është mbushur me njërëz që thyhen nga pesha e mëkatit. Ka humbur në mënyrë të pakthyeshme njerezllëku deri te braktisja e parimeve.
Dikur i sygjerova Nuriut t’i largohej varësisë nga referencat e pafundme dhe të mos ngulmonte për të marrë pak rreshta për kopertinat e librave të tij, nga ata që mbajnë tituj e grada shkencore, të cilët kanë mbirë në studiot televizive.
E kuptova që ndjehej i pavlerësuar, jo vetëm i penguar e i luftuar nga qarqet antishqiptare.
Dhe së fundmi, do thosha me bindje se Nuri Dragoj e meriton një bust nderimi e kujtese në qytetin e Përmetit për të cilin kontriboi aq shumë. Dhe kjo mund të realizohej nga këshilli bashkiak i këtij qyteti, ndërkohë që fqinjit jugor i falëm tokën tonë për të ndërtuar memorialin e ushtarëve të vrarë me eshtra të grabitura. Janë eshtrat që akuzojnë, për të cilat Nuri Dragoj reagoi fuqishëm dhe në kohën e duhur.
I falenderoj ata që më dëgjuan.
Tiranë, 21 prill, 2026
