Dhimitër Shtëmbari: Trokitje në derën e kujtesës për një mik të vjetër

Dhimitër Shtëmbari: Trokitje në derën e kujtesës për një mik të vjetër

 

 

Nga Dhimitër Shtëmbari

 

 

Ndërsa isha para makinës daktilografike në zyrën e gazetës “Kushtrim brezash” aty nga korriku i vitit 1999, para meje paraqitet një zonjë. Zonjë nga paraqitja, zonjë nga ç’mendonte dhe fliste.

 

– Unë jam bashkëshortja e Et’hem Hysit me banim në Durrës.

 

 

Qendroi një hop dhe vazhdoi:

 

– Në qoftë se e njihni këtu Pandi Konomin, një veteran korçar, unë jam motra e tij.

 

 

Sapo dëgjova emrin e veteranit të nderuar korçar, iu ktheva:

 

– E kush nuk e njeh Pandin këtu në selinë e Komitetit Kombëtar!

 

 

Boll të ishte si Pandi dhe Filloretit nuk do t’i mungonte asgjë. Se Pandi ishte nga ata që nuk i fliste goja, por zemra.

 

– Im shoq nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Është gozhduar në shtrat! Unë i kam dorëshkrimet dhe kërkoj nga ju që t’i shikoni dhe të kujdeseni që të botohen. I kam daktilografuar vet, pa gabime…

 

 

Ishte e kotë të zgjatesha. Zonja përballë ishte bindëse në ato që thoshte.

 

Filloreti paskej punuar sekretare në Shkollën e Ultë Profesionale të Durrësit.

 

 

Mbas disa ditësh u gjenda në Durrës, në shtëpinë e Et’hem Hysit. Te dera më priti Filloreti dhe më shoqëroi në dhomën ku qëndronte i shoqi.

 

– Et’hem! – iu drejtua. – Na ka ardhur Dhimitër Shtëmbari…

 

 

I shtrirë në krevat, Et’hemi bëri përpjekje të ngrihej, por bashkëshortja ndërhyri menjëherë:

 

– Mos luaj, se bisedojmë edhe kështu…

 

 

Gjendur në këtë skenë, mëndja më fluturoi shumë larg në kohë e në vend: te Nkolla Ostrovskij.

 

– Dorëzoja në duar materialet, – i foli Et’hemi Filloretit.

 

– Po, sapo ia dorëzova…

 

 

Të them të drejtën, sytë m’u mbushën me lotë. Teksa e shikoja ashtu të shtrirë, Et’hemi më fliste sikur të ishte atje në Spatharën e vetë, në llogoren e luftës si ish partizan, në orën e mësimit në një gjimnaz të Durrësit, në një seancë diskutimesh në rrethin letrar të Durrësit, ku ishte kryetar…

 

 

Detyra e gazetarit më bëri të gërmoj në jetën dhe veprimtarinë e Et’hem Hysit. Ishte nga Spathara e Skraparit, lindur më 7 korrik 1928. Ishin disa vëllezër, katër prej të cilëve (Zeneli, Izeti, Et’hemi dhe Nekiu) kishin qënë pjesëmarrës në rreshtat partizane.

 

 

Et’hemi kishte dalë partizan në dhjetor të vitit 1943. Xhaxhaj i tij, Ramiz Spathari, kishte qenë shok i ngushtë i Riza Cerovës, vrarë së bashku nga duar kriminelësh.

 

 

Mbas çlirimit të Atdheut, për ca kohë, djaloshi nga Spathara kishte qenë oficer, duke shërbyer si i tillë në disa reparte ushtarake.

 

 

Me prirje të spikatura për letërsi, oficeri i ri pat mbaruar me korrespondencë fakultetin gjuhë – letërsi shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Dhe rasti e pat sjellë që të jepte mësim në disa gjimnaze të Durrësit.

 

 

– Aty nga vitet shtatëdhjetë, – ndërhyn Filloreti, – Et’hemi ka qënë kryetar i rrethit letrar, se atëhere nuk kishte degë, të qytetit të Durrësit. Kishte goxha shkrimtarë ky rreth letrar, si Gjergj Vlashi, Moikom Zeqo e të tjerë.

 

 

Që në vitet shtatëdhjetë Et’hemi do të pranohej anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve të Shqipërisë. Në këto vite do të botonte vëllimin poetik “Ylli mes Yjesh”, me të cilin pat fituar çmimin e dytë kombëtar në një konkurs letrar për fëmijë. Po para vitit 1990 pat botuar edhe poemën “At e bir”, si dhe vëllimin me poezi “Zëri i ndërgjegjes”.

 

 

Mbas vitit 1990, edhe pse me gjendje të rënduar shëndetësore ka botuar disa vëllime poetike, si “Shqiponjat e shkrepit”, “Poemat e Veriut”, “Dhimbje e gjatë”, Triologji tranzicioni” e të tjerë.

 

 

Mbas tri botimeve të fundit, aty nga viti 2000, në sallën kryesore të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit organizoi promovimin e vëllimeve poetike të porsadala në qarkullim.

 

Folën me këtë rast shkrimtari i mirënjohur Bashkim Hoxha, shkrimtari tjetër Bardhyl Agasi dhe të tjerë. E mori fjalën, sigurisht, edhe redaktori i këtyre vëllimeve poetike, Dhimitër Shtëmbari.

 

 

Et’hem Hysi nuk është thjesht vjershëronjës. Është poet i spikatur. I denjë për ta patur karriken e vet të veçantë në sallën e madhe të poetëve të kohës sonë. Lexuesit i drejtohet me mendim të figurshëm.

 

Materialin poetik e ka të ndërtuar me mjete të shumta e të larmishme stilistikore. Ka përdorur me masë figura stilistike, të kuptmit, të shqiptimit poetik, të fjalorit poetik, të sintaksës poetike etj. etj.

 

 

Vëllezërit Hysi nga Spathara e Skraparit: Zeneli, Izeti, Nekiu, Et’hemi dhe Saliu

 

 

Et”hem Hysi është poet i ndjenjës së pastër dhe i mendimit të qartë. Poezia e tij të nxit mendim e të zgjon emocion. Lexon poezinë e Et’hemit dhe e merrë të qartë mesazhin:

 

“Thonë e ç’nuk thonë/ Për të shkuarën time/ Se paskam lundruar/ Në një botë me krime!” Dhe, më tej, shkruan: “Për aq sa pata/ Kurrë nuk kam heshtur/ Për sa forcë që kisha/ Kurrë nuk kam rreshtur”.

 

Edhe pse një çerek shekull i ndarë nga jeta, e ndjejmë të jetë mes nesh teksa na drejtohet:

“Të paktën shikoni/ Ca nga historia/ vriteni pak mendjen/ Ç’kërkon Shqipëria”.

 

 

Dhe thuaj se nuk kishte te drejtë Soren Kirkegard, filozof i madh danez (1813 – 1855), kur thoshte:

 

“E çfarë është poeti? Një njeri i palumtur, që e fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e të cilit janë formuar në atë mënyrë, që psherëtimat dhe qarjet të tingëllojnë si një muzikë e bukur”.

 

 

 

QENË QË LEHIN PËR TË ZONË

 

Et’hem Hysi

 

Qenë që lehin për të zonë,

 

kemi parë gjithmonë;

 

pas një fiku, pas një mani,

 

duke lehur me zell qeni.

 

 

Prapa çobanit me dhi,

 

te një stan a te një mulli;

 

madje edhe të diplomuar,

 

si langonj për të kafshuar.

 

 

Por s’patëm parë ndonjëherë

 

qenë që lehin për të tjerë,

 

me orar e me program:

 

hum-hum-hum e ham-ham!

 

 

Kur këtë pashë një natë

 

jo një qen, po gjashtë a shtatë

 

thashë me vete: “S’ke ç’i bën,

 

ndodh kjo kur qenke qen.”