Ceremonia e dorëzimit të titullit

Ceremonia e dorëzimit të titullit

 

 

 

Në sallën kryesore të tejmbushur të Qendrës së Bashkisë së Skraparit, është zhvilluar dje, më 08. 05. 2025, ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Skraparit”, një prej personaliteve të njohura të Skraparit, aktivistit shoqëror dhe mjekut stomatolog, Maksim Musabelliu.

 

Merrnin pjesë qytetarë, autoritete të pushtetit vendor, deputetja e zonës, Enriketa Alushani, kolegë, miq, shokë dhe të afërm e familjarë të dokor Maksit.

 

 

Veprimtarinë, me një repertor të zgjedhur, e çeli moderatori, tashmë profesionist, njëkohësisht edhe kryetar i shoqatës atdhetare kulturore “Tomorri”, Hajri Nuhu, me një zgjedhe interesante, një dokumentar të bukur mbi jetën dhe veprimtarinë e personazhit në fjalë.

 

 

Më pas fjalën përshëndetëse ai ia dha të zotit të shtëpisë, kryetarit të Bashkisë së Skraparit, Adritik Mema, pjesë të së cilës do t’i botojmë më poshtë.

 

 

Mes duartrokitjeve, kryetarja e Këshillit Bashkiak,Elsa Petritaj i dorëzoi doktor Maksit çertifikatën dhe simbolikën e titullit.

 

Pas një fjale falenderuese të doktor Maksit, të cilën do ta gjeni më poshtë, përshëndetën kolegë, miq dhe shokë të tij pjesëmarrës në këtë veprimtari si profesor Ajli Alushani; dr. i shkencave Hysen Binjaku; diplomati Sokol Gjoka, ish kolegu Spartak Sako; publicisti Zylyftar Hoxha, ish – mësuesi i tij në 7 – vjeçare, Hysen Flamuraj etj.

 

 

Me interes dhe kërshëri u ndoq përshëndetja e dr. Vladimir Bilbilit (Teme), djalit të ish-partizanit të plagosur gjatë Luftës, Elmas Teme nga Tepelena, që u shpëtua, u mjekua për disa muaj me radhë dhe në fund edhe u birësua nga familja e Musabellinjve.

 

 

 

Fjala e kryetarit të Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema

 

Është një kënaqësi e veçantë për mua që në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë të organizojmë së bashku këtë ceremoni në vlerësim të punës të njërit prej personaliteteve të shquara të Skraparit, i cili në fakt, bën diferencën si mjek stomatolog, jo vetëm në dimensionin profesional, por veçanërisht dhe në dimensionin njerëzor.

 

 

Vlerat e spikatura intelektuale dhe qytetare e kanë bërë Maksi Musabelliun një mik, një dashamirës, një mjek dhe një humanist, të dashur dhe të respektuar për komunitetin këtu në Skrapar dhe për të gjithë ata që e njohin.

 

 

Me një karrierë të gjatë, që daton nga 1973 e deri sot, ai u kthye në shembullin e njeriut të punës me përkushtim, mirësi dhe me humanizëm. Dukshëm mirësia që ka shfaqur me njerëzit, ka qenë një konstante e palëkundur, gati-gati një mënyrë e jetës së tij.

 

 

Tani po i drejtohem direkt doktor Maksit:

 

Nga sot ju zoti Musabelliu jeni më i riu qytetar nderi i Skraparit, duke iu shtuar kësisoj listës së atyre figurave dhe personaliteteve të profileve të ndryshme, që me veprimtarinë e tyre profesionale, publike dhe shoqërore kanë lënë gjurmë të veçanta dhe kanë bërë emër të mirë dhe të vlerësuar në komunitetin e Skraparit, madje më tej.

 

 

Ju jeni vërtet një shembull i veçantë, ku bashkohen mjeku dhe veprimtari shoqëror, humanisti dhe qytetari i denjë.

 

Urime, ta gëzoni titullin!

 

 

 

Fjala e profesor Ajli Alushanit

 

Është privilegj dhe emocion i veçantë të flas për mikun tim, kolegun, bashkëvendësin dhe patriotin tonë të nderuar, një mjek që nuk e ka parë profesionin vetëm si detyrë, por si mision njerëzor.

 

 

Në figurën e tij bashkohen virtytet më të mira të mjekut dhe të qytetarit: përulësia, ndershmëria, dashuria për njerëzit dhe për vendlindjen. Ai ka ditur të mbetet gjithmonë pranë komunitetit, duke e nderuar emrin e krahinës sonë me punë, karakter dhe atdhedashuri.

 

 

Titulli “Qytetar Nderi” që i jepet sot, nuk është thjesht një vlerësim institucional. Është mirënjohja e një populli për një bir të denjë, për një njeri që ka fituar respektin jo me fjalë të mëdha, por me vepra të mëdha.

 

 

I dashur mik,
Ky titull është plotësisht i merituar. Ai vjen si kurorëzim i një jete në shërbim të njerëzve dhe si dëshmi se puna e ndershme dhe dashuria për vendin nuk harrohen kurrë.

 

 

Në emrin tim personal dhe të gjithë atyre që të njohin e të vlerësojnë, të shpreh urimet më të sinqerta:

Të gëzosh këtë nder me shëndet, krenari dhe dashurinë e njerëzve që të rrethojnë!

 

 

 

 

Fjala e iniciatorit dhe përgatitësit të draftit propozues, dr. asoc. Hysen Binjaku

 

Ndihem i nderuar që në këtë cermoni nderimi të them pak fjalë.

 

Së pari, falenderoj Këshillin Bashkiak të Bashkisë Skrapar dhe nē veçanti kryetarin e Bashkisë, zotin Adriatik Mema që pranuan dhe vlerësuan propozimin e një grupi skraparlinjsh me banim në Tiranë që doktor Maks Musabelliu të shpallej Qytetar Nderi i Bashkisë Skrapar.

 

 

Sot, në këtë podium, në vendin tim, mund të ishte secili nga 37 firmëtarët e propozimit, prandaj i falenderoj të gjithë, ata që janë në këtë cermoni dhe ata që, për arsye të ndryshme, nuk janë sot këtu.

 

 

Falenderoj doktor Maksin që më mirëkuptoi për thirrjen e bërë në tetor 2025 në rrjetin social fb pa i marrë ati paraprakisht mendimin.

 

 

Faleminderit Maks, të uroj të kesh vetëm gëzime dhe urime në familjen tënde! Faleminderit për vëmendjen të gjithë Ju pjesëmarrësve në këtë ceremoni.

 

 

Nga përshëndetja e diplomatit Sokol Gjoka

 

 

Urime nga zemra, miku im! Nderi qoftë gjithmonë me ty!

 

Sot ndiej kënaqësi dhe krenari të veçantë për vlerësimin që po merrni me titullin “Qytetar Nderi”. Ky nuk është vetëm një titull, por një mirënjohje për jetën tuaj të ndershme, për dijen, fisnikërinë dhe kontributin që keni dhënë ndër vite në shoqëri.

 

Për mua, ju keni qenë jo vetëm një fqinj i mirë, por edhe një mik i vyer, me të cilin kemi ndarë respekt, mendime dhe miqësi të sinqertë intelektualësh. Njerëz si ju i japin nder komunitetit dhe bëhen shembull për brezat.

Ju uroj nga zemra që ky vlerësim t’ju sjellë edhe më shumë gëzim, shëndet dhe respekt, ashtu siç e meritoni plotësisht.

Urime për titullin “Qytetar Nderi”!

 

 

 

Fjala e publicistit, Zylyftar Hoxha

 

Në madhështinë e figurës së doktor Maksim Musabelliut, ashtu siç e njohim ne – miqtë, shokët dhe bashkëkohësit e tij – por edhe ashtu siç është skalitur me dinjitet në motivacionin e titullit “Qytetar Nderi i Skraparit”, pa asnjë mëdyshje, ai qëndron si një nga krenaritë më të ndritura intelektuale të Çorovodës.

 

 

Një njeri i plotë, i rrallë në përmasën e tij: në kulturë, në profesionalizëm, në qytetari… por mbi të gjitha, në atë dritë të brendshme që e bën njeriun vërtet njeri. Një shpirt bujar, një dorë e hapur, një zemër që di të japë pa kërkuar asgjë në këmbim. Dhe pikërisht kjo është ajo që sot e dallon, e ngre dhe e bën edhe më të nderuar dhe të respektuar.

 

 

Sepse për të njohur një njeri të tillë, nuk mjafton të shohësh çfarë ka bërë; duhet të kuptosh nga ka ardhur. Duhet të zbresësh te rrënjët, te trualli që e ka ushqyer, te ajri që ka thithur që në fëmijëri.

 

 

Dhe të lindësh në Tomorr… nuk është thjesht një rastësi. Është një bekim. Është një fat i rrallë të rritesh nën hijen e një mali mitik, ku legjenda dhe besimi bashkëjetojnë, ku qielli duket më pranë dhe shpirti më i pastër.

 

 

 

Edhe më e madhe është kjo dhuratë kur rritesh në një familje me tradita të thella atdhetare e shpirtërore, si ajo e Laskë Ujanikut, e lidhur ngushtë me Dervish Iljaz Qafokun – njerëz që nuk ndërtuan vetëm një teqe, por një vatër besimi, një strehë shpirti për breza të tërë.

 

 

Dhe në një truall të tillë, mirësia nuk lind rastësisht; ajo rritet, ushqehet dhe bëhet pjesë e qenies.

 

 

Sipas urtësisë së besimit, të të gjitha religjioneve fetare dhe degëve të tyre, e mira nuk bëhet për t’u treguar e mburrur, ajo nuk ka inventar, nuk numërohet, nuk shënohet. Aq më tepër nga bektashinjtë filantropia, humanizmi, ndihma, dhurata, bëhet në heshtje, si një lutje e pathënë. Sepse kur përmendet, humbet një pjesë të dritës së saj.

 

 

Atë e mban shënim vetëm Zoti.

 

 

Por ndoshta sot është një nga ato ditët e rralla kur fjala duhet të flasë, jo për të zbuluar, por për të nderuar.

 

Urime, Maks!

 

Ta gëzosh këtë titull – që është më shumë se një vlerësim: është një pasqyrë e shpirtit tënd human dhe njerëzor!.

 

 

Fjala përshëndetëse e mikut të familjes Musabelliu, dr. Vladimir Bilbilit (Teme)

 

 

Sot jam këtu jo thjesht si mik familjar, por si biri i një miqësie të shenjtë që lindi në ditët më të vështira të luftës.

 

 

Babai im, Elmaz Teme, partizan, erdhi dikur në derën tuaj i plagosur rëndë dhe pa shpresë shpëtimi. Plaga i ishte infektuar deri në atë masë sa kishte zënë krimba. Ishin ditë të errëta, kur jeta varej në fije të hollë. Por në atë shtëpi gjeti jo vetëm strehë, por edhe zemër, shpirt dhe nënë.

 

 

Ishte Nënë Fatimeja, ajo grua e madhe shqiptare, që iu gjend mbi krye ditë e natë, për muaj me radhë, derisa e shëroi. Familja Musabelliu nuk e pa si të huaj. E bëri pjesë të familjes së vet. Dhe prej asaj dite, familjet tona nuk u ndanë më kurrë.

 

Prandaj sot, kur Maksimi nderohet me titullin “Qytetar Nderi”, unë e ndiej këtë vlerësim edhe si një nderim për fisnikërinë, bujarinë dhe humanizmin e gjithë familjes Musabelliu.

 

 

Në një farë mënyre, unë jam djali i tyre. Jam vëllai i Maksit. Dhe kjo është një pasuri që nuk matet me asnjë titull.

 

 

I dashur Maks,

titulli që merr sot është i merituar, sepse ti vjen nga një derë që ka ditur të shpëtojë jetë, të mbajë miqësi dhe të lërë gjurmë nderi në zemrat e njerëzve.

 

Nderime familjes Musabelliu!

 

 

 

 

Fjala përshëndetëse e kolegut, doktor Spartak Sako

 

I dashur mik, koleg dhe bashkëudhëtar i viteve të punës,

 

Sot, me marrjen e titullit “Qytetar Nderi”, nuk nderohesh vetëm ti si individ, por nderohet puna, përkushtimi dhe zemra e madhe që ke treguar për njerëzit dhe vendin tënd.

 

 

Ti ke qenë gjithmonë pranë të tjerëve, me urtësi, fisnikëri dhe gatishmëri për të bërë mirë, pa kërkuar asgjë në këmbim. Me punën dhe shembullin tënd ke lënë gjurmë të vyera në komunitet dhe respekt në çdo zemër që të njeh.

 

 

Ky titull është mirënjohje për gjithçka që ke dhënë ndër vite — për mundin, ndershmërinë dhe kontributin tënd njerëzor e shoqëror.

 

 

Të uroj nga zemra që kjo ditë të mbetet një nga kujtimet më të bukura të jetës sate. Uroj të gëzosh gjithmonë respektin, dashurinë dhe vlerësimin që ke fituar me meritë.

 

 

 

Fjala përshëdetëse e ish-mësuesit të Maks Musabelliut, Hysen Flamurajt

 

Sot, si mësuesi yt i klasës së pestë, ndiej një emocion dhe krenari të veçantë që të përshëndes me rastin e marrjes së titullit “Qytetar Nderi”. Për një mësues nuk ka lumturi më të madhe sesa të shohë nxënësin e dikurshëm të rritet me dinjitet, të nderojë familjen, vendlindjen dhe shoqërinë me punën e tij.

 

Edhe pse vitet kanë kaluar, më kujtohet ai djaloshi i qetë, i sjellshëm dhe i etur për dije, që respektonte shokët, mësuesit dhe punën. Që atëherë dukej se në karakterin tënd fshihej njeriu i mirë dhe qytetari i denjë që do të bëheshe më vonë.

 

 

Titulli që merr sot është një vlerësim i merituar për kontributin, përkushtimin dhe figurën tënde njerëzore. Ai është gjithashtu krenari për të gjithë ata që të kanë njohur në bankat e shkollës, për bashkëmoshatarët, mësuesit dhe bashkëqytetarët e tu.

Të uroj me gjithë zemër shëndet, jetë të gjatë dhe suksese të tjera. Uroj që respekti dhe dashuria e njerëzve të të shoqërojnë gjithmonë, ashtu siç e meriton.

 

 

Me shumë respekt dhe mall,

 

Mësuesi yt i klasës së pestë, Hysen Flamuraj

 

 

 

 

Përshëndetja e falenderuese e Maksim Musabelliut

 

 

I nderuar Kryetar i Bashkisë së Skrapar,it z. Adriatik Mema,

 

E respektuar, kryetaraj e Këshillit Bashkiak, zonja Elsa Petritaj,

 

 

Të dashur bashkëqytetarë, kolegë, miq, shokë dhe dashamirës, pjesëmarrës në këtë ceremoni për mua kaq mbresëlënëse dhe të veçantë,

 

 

Sot qëndroj para jush me zemrën plot… plot mirënjohje, emocion dhe një përulësi që vështirë ta përshkruaj me fjalë, për nderin e madh që më keni bërë, duke më akorduar titullin “Qytetar Nderi i Skraparit”.

 

Ky vlerësim nuk është thjesht një titull… është një besim i madh, një përgjegjësi e thellë morale e shpirtërore. Është një lidhje edhe më e fortë me këtë tokë që e dua, me njerëzit e saj fisnikë, me historinë, traditat dhe vlerat që na kanë rritur dhe na mbajnë krenarë.

 

 

Falënderoj nga zemra Këshillin Bashkiak për këtë vendim kaq të çmuar. Një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin e Bashkisë, z. Adriatik Mema, për vlerësimin dhe besimin e treguar ndaj meje. Ky gjest do të mbetet ndër momentet më të paharrueshme të jetës sime.

 

Mbesa, Luana, ka gjetur këtë mënyrë pë të pëshëndtur gjyshin

 

Të jetosh dhe të drejtosh në kushtet e Skraparit, si Adriatiku, unë që e njoh shumë mirë, është një gjë tepër e vështirë, por një njëri si ai, inteligjent, me vizion të qartë që e ka kthyer qytetin e Çorovodën e një qytet të pastër në një qytet model, në një qytet që e kanë zili tërë Shqipëria.

 

Elioni, nipi i madh

 

Por Skrapari vuan për rrugë, për infrastrukturë. Shqipëria, para se të shkojë në Bashkimin Evropian, duhet të shkojë Skraparin në Shqipëri. Dhe kjo duhet të jetë motoja jonë. Sepse, pa vajtur Skrapari në Shqipëri, nuk ka mundësi që të vejë Shqipëria në Europë.

 

 

Një falenderim i fuqishëm shkon për popullin e Skraparit, sidomos atij të Tomorricës, një popull i ndershëm, një popull i pastër.

 

Dea, mbesa e madhe

 

Falenderoj gjithë ata shokë që mua më propozuan për këtë titull të nderuar, Hysen Binjakun Ajli Alushanin dhe shumë të tjerë, si dhe ata që kanë punuar këto ditë për zhvillimin e kasaj veprimtarie të bukur që po shijojmë sot.

 

Falenderoj dhe u jam mirënjohës gjithë shokëve të mi që kanë ardhur këtu për mua, por edhe atyre që kanë patur dëshirë, por nuk kanë mundur të vijnë.

Devi, nipi nga goca

 

Ky nderim i sotëm, që nuk e kisha parashikuar kurrë, më jep forcë, por njëkohësisht më ngarkon me një detyrë të bukur: të vazhdoj të kontribuoj, me përkushtim dhe dashuri, për komunitetin tonë dhe për ruajtjen e gjithçkaje që na bën bashkë.

 

 

Skrapari nuk është thjesht një vendlindje, është një ndjenjë që rreh në zemër, është një identitet që nuk zbehet kurrë, është një trashëgimi që jeton dhe përcillet brez pas brezi.

 

Geroni, nipi nga djali

 

Të jesh pjesë e këtij identiteti është krenari…

 

por të nderohesh prej tij është një privilegj që të përkul dhe të lartëson njëkohësisht.

 

 

Ju premtoj se këtë vlerësim do ta mbaj si një amanet të shenjtë, si një dritë që do të më udhëheqë në çdo hap, duke u përpjekur gjithmonë të jem i denjë për Të dhe për Ju.

 

 

Me mirënjohje të thellë dhe respekt të pakufijshëm!…

 

Publikuar nga Orakujt e Tomorrit