Jahja dhe Xhaferr Flamuraj, dy këngëtarët e Gjerbësit që bënë të heshtnin sazet e famshme të Delvinës
Nesim Alushani
Jahja Sheme Flamuraj (1870 – 1955) lindi në Gjerbës të Tomorricës, në një trevë ku kënga dhe shpirti i njerëzve rriten bashkë.
Që në rininë e tij, Jahjaja dallohej mes moshatarëve. Nuk ishte thjesht një djalë si gjithë të tjerët — ai kishte një dhunti që rrallë e fal natyra: një zë që prekte zemrat. Kënga i buronte natyrshëm, si një rrjedhë e pastër mali. Për këtë arsye, ai kërkohej në çdo dasmë e gëzim, jo vetëm nga mëhalla e fisi, por edhe nga fshatra të largët e miqësi të shtrira në gjithë krahinën.
Zëri i tij nuk mbeti brenda kufijve të Gjerbësit. Ai kapërceu Tomorricën dhe u bë i njohur në shumë anë. Megjithatë, sipas mendësisë së kohës, angazhimi i tij i vazhdueshëm në ahengje e gosti shpesh u keqkuptua. E quajtën “ahengxhi”, madje edhe “dembel”. Por në të vërtetë, ai ishte thjesht një shpirt i lindur për artin — një njeri që jetonte për këngën dhe përmes saj.
Jahjaja nuk këndonte vetëm këngët e vendlindjes. Repertori i tij ishte i pasur dhe i gjallë, duke përfshirë motive nga Gora, Opari, Devolli, Leskoviku e Përmeti. Ai nuk ishte vetëm interpretues — ishte krijues. Me një ndjeshmëri të hollë artistike, përziente nuancat muzikore të krahinave të ndryshme, duke krijuar melodi të reja, një vijë të freskët që e dallonte nga të tjerët.
Aftësia e tij për të interpretuar ishte e jashtëzakonshme. Ai improvizonte gjatë këngës, duke e bërë çdo interpretim unik, të papërsëritshëm, si një çast që lind dhe shuhet vetëm për ata që e përjetojnë.
Në këngë, Jahjaja ishte “marrësi”, ndërsa përkrah tij qëndronte kushëriri, Xhaferr Flamuraj, një zë tenor i fuqishëm dhe mjeshtër i vërtetë i pritjes së këngës. Së bashku krijonin një harmoni që rrallë dëgjohej. Ndër këngët më të dashura për Jahjanë ishte ajo e njohura: “Shamija e kuqe në majë të kokës”, që në zërin e tij merrte një jetë të re.
Një dëshmi e gjallë për artin e tyre vjen nga libri “Nën Hijen e Flamurit” i autorit Adem Flamuraj, i cili rrëfen një ngjarje të veçantë:
Gjatë viteve 1960, në Delvinë, një burrë i moshuar i tregoi autorit një histori të hershme, që i përkiste kohës para Shpalljes së Pavarësisë. Në një takim të rëndësishëm në konakun e bejlerëve të Delvinës, ku ishte i pranishëm edhe Xhelal Bej Koprëncka, Jahjaja dhe një shok i tij u ftuan të këndonin.
Në fillim, kënga nuk shkoi siç duhej. Zërat nuk u lidhën, dhe atmosfera mbeti e ftohtë. Një buzëqeshje ironike u shfaq në fytyrën e të zotit të shtëpisë. Por ajo që ndodhi më pas mbeti gjatë në kujtesën e të gjithëve.
Me një sedër të prekur, Jahjaja dhe shoku i tij ngritën gotat, pinë dhe, si të zgjuar nga një forcë e brendshme, ia nisën këngës sërish. Këtë herë, zëri shpërtheu me gjithë fuqinë e shpirtit. Sazet heshtën. Konaku u mbush me magjinë e këngës së tyre. Gratë e shërbëtoret afronin kokën nga dera për të parë e dëgjuar këtë mrekulli.
Dhe atëherë, i zoti i shtëpisë, i mahnitur, tha:
“Ka saze me nam Delvina, por paska edhe saze përmbi saze…”
Kjo ngjarje u përcoll gjatë në Gjerbës, e treguar nga vetë Jahjaja dhe Xhaferri, si një dëshmi e gjallë e talentit dhe shpirtit të tyre artistik.
Jahja Sheme Flamuraj u nda nga jeta në vitin 1955, por zëri i tij, si çdo zë i lindur për të mos u harruar, vazhdon të jehonë në kujtesën e kohës dhe në shpirtin e këngës popullore.
Shënim:
Xhelal bej Koprëncka, përfaqësues i Skraparit që ka firmosur aktin e Shplljes së Pavarësisë në vitin 1912. Kishte lindur në Koprëncë në vitin 1876.
Kishte kryer Akademinë Ushtarake të Stambollit. Pas përfundimit të studimeve u emërua komandant i Xhandarmërisë së Janinës.
Ngjarja e mësipërme bën fjalë pikërisht për ato vite kur ai ka qenë me shërbim në ato anë.
