Ëndrra e shuar e Mehdi Frashërit për “Prefekturën e Apsit”
Petrit F. Zeneli
Tërë jetën më ka shqetësuar fakti: pse krahinat që ndodhen në të dy krahët e rrjedhës së sipërme e të mesme të luginës së lumit Osum janë më të prapambetura dhe të konsideruara si oborri i mbrapëm i Prefekturave, Qarqeve apo Bashkive nga të cilat ato varen?!
Dhe këtu nuk e kam fjalën për këto dekadat e fundit, por për të paktën një shekull e më tepër. Konkretisht, Përmeti ka lënë në hije, të mos them braktisur, Dangëllinë, Berati Skraparin dhe Korça Kolonjën, Vakëfet e Leskovikun, pa kujtuar se edhe vet Kolonja gati ka harruar pjesën perëndimore të saj, sa kalon Qafzezin, edhe pse në Ersekë mburret me Qytezën e Fan Nolit apo Luarasin e Petro Ninit.
Dhe çuditërisht kjo ndodh kur pasuritë më të shumta natyrore ndodhen pikërisht në këto 5 krahina; apo është një fenomen i njohur ky nëpër botë, siç ndodh konkretisht me Afrikën, kontinenti më i prapambetur në rruzull, edhe pse ka rezervat më të mëdha të floririt.
Nuk duhet të lexosh shumë apo të pyesësh për këtë, pasi është një realitet i prekshëm ky, nëse lëviz nëpër këtë luginë kanionesh nga Kolonja deri në afërsi të Beratit.
Tani relike të asaj kohe kanë mbetur këmbëza urash të rrënuara dhe rrugët e shkatërruara të baltës, me karanxhatë e thella ku rënkonin zisa e skoda, dikur, që tërhiqnin, dru, lëndë e trupa nga grykat e thella të maleve, si për të dëshmuar se kaq ua kishte nevojën, Korça, Përmeti dhe Berati.
Ky pellg, me shtrirje të gjatë juglindje-veriperëndim, që nga Gramozi, Vithkuqi e Rroshanji, Orgocka e Kurtesi, deri në Dobrenjë të Beratit, aktualisht është i ndarë, i coptuar dhe i izoluar nga malet dhe lumi që s’i lejon për komunikim.
Çuditërisht, s’ka qenë i tillë ai në kohën e sundimit turk, kur ishin ndërtuar ura me harqe, kryevepra të arkitekturës, monumente të kulturës shqiptare në të gjitha trevat që përmenden më sipër.
Ishte kjo arsyeja, që një mendje e ndritur si ajo e Mehdi Frashërit, në studimin e tij “Mbi organizimin e amdinistratës dhe përdorimin e huas”, botuar në periudhën korrik 1931 – janar 1932 Tiranë, në gazetën “Vullneti i Popullit” me pronar dhe drejtor Harilla Bakalli, ndarjen territorjale (administrative) të Prefekturave ai e propozonte sipas rrjedhës së ujërave të vendit.
Konkretisht, Prefektura e Apsit (emri shqip i lumit Osum) duhet të përfshinte: Kolonjën, Dangëllinë, një pjesë të Leskovikut, Vakëfet, Skraparin dhe gjithë malësinë e Beratit, deri në Dobrenjë, me qendër prefekture Frashërin.
Kjo, sipas Mehdi Frashërit, sepse Prefektura e Apsit (Osumit) është një njësi administrative unike, homogjene, natyrale, ekonomike, etnokulturore, fetare dhe zakonore.
Askush të mos çuditet nga ky propozim, pasi është fakt i dokumentuar në arkiva, por edhe në kujtesën e gjysh-stërgjyshërve tanë, që Kolonja, një pjesë e Leskovikut, Vakëfet dhe Skrapari (krahina tepër të zhvilluara atëhere) kanë qenë shumë të lidhura me Dangëllinë dhe kryeqendrën e saj, Frashërin e famshëm, i cili në shek e XVIII arriti deri në 7000 banorë dhe ishte qëndra më e populluar e Përmetit, me 22 lagje, tregun e madh me mbi 20 dyqane, shkolla, dhjetëra institucione të kultit fetar, kisha e teqe etj.
Edhe miqësitë mes këtyre krahinave ishin të shumta, sikurse me Koblarën Gostomickën, Vërrçishtin, Miçanin etj, në një anë; Orgockë, Kurtes e Qinam Radovickë, për t’u hedhur në Kreshovë, Zavalan, Strenec, Ogren e gjetkë në anën tjetër.
Por këtë lidhje të fortë e mundësonin urat e shumta, kryesisht të shekujve XVI-XVII, (por edhe më të hershme), duke filluar që nga Ura e Zotos (Vithkuq), Ura e Gurtë (Lubonjë-Roshanj), Ura e Orgockës, Ura e Radovickës, e Dervishijes, Ura e Sharovës (Çorrovodë), Ura e Kasabashit (mbi lumin e Guakut, degë e Osumit), për të përfunduar tek Ura e Goricës (Berat), e Frëngut në Poshnjë dhe e Gurit të Bardhë apo Hasan Beut, afër Urës Vajgurore.
Fatkeqësisht, lufërat dhe koha i zhduku një pjesë të mirë të këtyre urave dhe asnjë qeveri, që nga ato të Zogut e deri sot nuk i ringriti apo zëvendësoi, duke krijuar një luginë të paralizuar, shpërbërje e boshatisje graduale totale, deri në agoni. Vakum e lotë dëshprimi në kilometra të tëra luginë, por edhe shpresë.
Tashmë janë duke u zhvilluar diskutimet kudo për reformën territoriale, dhe pyetjet, me kë do rrini për këta banorë është e paimagjinueshme?!
Po, vërtet, me kë do rrinë këto pesë krahina?! Ëndërra e bukur e Mehdi Frashërit është shuar, se jo vetëm ura nuk ka, por as njerëz, dhe Frashëri i historisë së madhe e rilindasve të mëdhenj, lëngon! Mbetet që të pesë krahinat përsëri të jenë në varësi të Përmetit, Beratit dhe Korçës, e mos paçin të njëjtin fat si deri dje.
Dhëntë zoti që tani e tutje këto “kujdestare zemërmëdha” të kthejnë kokën seriozisht në to, t’i rilidhin me ura e rrugë, “si në kohën e turkut”, jo për të krijuar Prefekturë më vete (Apsi), po për të rikthyer jetën e vënë në shfrytëzim pasuritë e tyre natyrore.
Dashtë zoti që pas kësaj reforme, të mos jetë nevoja më që banorët e këtyre krahinave të bëjnë letra e lutje me sytë nga qelli, – aman na bëni rrugën, aman na ngrini ura! – se nuk ka më turp, për atë qiell e për atë tokë!
Le t’i kthejë sytë realisht Korça dhe Erseka nga Luarasi e Qyteza, ku nga ajo pikë kyçe e lashtë të lidhet seriozisht me rrugë (si në lashtësi) Korça e Kolonja me Dangëllinë e Skraparin, pasi ajo e Qafës së Martës, në 1800m lartësi, s’është për gjë tjetër, veç për guida e turizëm veror.
Pikëpyetje e ankth, se le që s’do na pyesë njeri me kë doni, por nuk e dimë dhe, si jetimë, me kë do na “birësojnë”?!
