Në kërkim të fjalës dhe bukës, si një punëtor mëditës mes gazetave të një kohe të vështirë
Ky “beixh” (dokument identifikues) më sjell ndër mend një segment të rëndësishëm të jetës sime: rrugëtimin mediatik që nisi kur erdha nga Skrapari në Tiranë, para plot 24 vjetësh, e vazhdon edhe sot, falë Zotit, me shëndet të mirë dhe me të njëjtin pasion për punën.

Ashtu si më parë, me lëvizjet e shumta që pasqyroheshin me imtësi në “librezën e punës” të kohës së socializmit, edhe vitet e demokracisë kanë qenë po aq dinamike e të trazuar, me shumë ndryshime e angazhime, por kësaj here të pashënuara në dokumente zyrtare.
Ndaj mendova që, me rastin e 79-vjetorit të lindjes sime, këtë segment të fundit të jetës aktive ta hedh në letër dhe t’ua shtoj shënimeve të mia autobiografike, në formë kalendarike.
Bëhet fjalë vetëm për periudhën e Tiranës, sepse vitet e tjera i kam pasqyruar më herët në librezën e pensionit dhe në librin tim “Orakuj të Harruar”, botuar në vitin 2005.

2002 – 2004
Gazetar dhe operator në “Real TV” të Durrësit, me axhendë të përditshme në Tiranë. Me mikrofonin në dorë dhe kamerën në sup, i vetëm, ndiqja aktivitetet shtetërore, kulturore e politike të kryeqytetit. Më pas erdhi edhe miku im, Hajri Nuhu dhe rrugëtimi ynë vazhdoi bashkë.
2003 – 2009
Së bashku me Xhevahir Spahiun dhe Nuri Çunin nxirrnim gazetën “Dielli i Tomorrit”. Unë isha kryeredaktor, ndërsa Xhevoja drejtor — natyrisht, pa pagesë, por me shumë dashuri për fjalën dhe vendlindjen.
2005 – 2006
Korrektor në gazetën “Dita” (e para), të vëllezërve Nazarko, me kryeredaktor Ylli Mollën. Ishte hapi im i parë në botën kompjuterike dhe kibernetike, larg lapsit dhe letrës me të cilat isha mësuar gjithë jetën.
2007 – 2008
Korrektor në gazetën “Express”, me kryeredaktor Urim Bajramin, një djalë i talentuar si gazetar, drejtues dhe mbi të gjitha si njeri. I jam mirënjohës që më mbajti pranë si askush tjetër.
2008 – 2010
Në gazetën “Tirana Observer”, me kryeredaktor Roland Qafokun, ku gjeta një disiplinë dhe profesionalizëm që rrallë e kam hasur tjetërkund.
2010 – 2011
Redaktor dhe korrektor në shtëpinë botuese të vëllezërve Nazarko për gazetën “ABC” dhe serinë e librave klasikë “1 Euro”, që botonin në atë kohë.
2011 – 2012
Redaktor në gazetën “Telegraf”, me drejtor Engjëll Musajn. Ngarkesa ishte e jashtëzakonshme — deri në gjashtë a shtatë faqe gazete në ditë — por ajo periudhë më ndihmoi të mas energjitë e mia krijuese dhe të përballoja sfidat e kohës.
2012 – 2017
Redaktor në gazetën “Dita”. Nga shtëpia përgatisja faqet kulturore dhe memoriale të fundjavës. Kisha të njëjtin status si redaktor i jashtëm me Mojkom Zeqon, ndërsa Bedri Islami i dërgonte shkrimet nga emigracioni.

Në njëvjetorin e gazetës “Dita”
Shkoja me dëshirë te kjo gazetë, sepse aty kisha mikun tim të çmuar, gazetarin veteran Xhevdet Shehun. Kishim punuar bashkë edhe te “Telegraf” dhe ishte ai që ndikoi që unë të bëhesha pjesë e “Dita”-s. Për këtë i jam gjithmonë mirënjohës.
Te “Dita” vazhdova edhe tre vjet pas daljes në pension. Ishte një periudhë e qetë dhe e bukur për mua, ku nuk pata as më të voglin shqetësim, siç kishte ndodhur shpesh në redaksi të tjera.

Siç shihet, lëvizjet e mia kanë qenë të shumta dhe të pazakonta. Ishte një treg mediatik ku “ngryseshe e nuk gdhiheshe”, një kohë me gjysmë rregullash e gjysmë rrogash: gjysma në bankë e gjysma në dorë, për t’iu shmangur sigurimeve shoqërore. Gazetat hapeshin e mbylleshin shpejt dhe shpesh detyroheshe të kërkoje një strehë tjetër pune.
Për të “ëmbëlsuar bukën e fëmijëve”, në atë periudhë bashkëpunoja edhe me shtëpi botuese dhe autorë privatë për redaktimin e librave. Kam redaktuar mbi 150 të tillë.
Edhe sot, pas pensionit, vazhdoj të punoj katër-pesë orë në ditë. Drejtoj me korrektësi dhe disiplinë spartane portalin “Orakujt e Tomorrit”, i cili më jep kënaqësi profesionale, njerëzore e shpirtërore, ndërsa vazhdoj të shkruaj kujtime nga e kaluara.

Me rastin e 70-vjetorit të ditëlindjes sime, shoqata “Tomorri” në Durrës — pasi ajo e Tiranës më kishte harruar, megjithëse për shtatë vjet kisha nxjerrë gazetën “Dielli i Tomorrit” — organizoi për mua një veprimtari madhështore në teatrin “Aleksandër Moisiu”.
Kryetari i shoqatës, miku dhe bashkëpunëtori im Hajri Nuhu, realizoi edhe një dokumentar televiziv. Në atë intervistë unë pata thënë se, gjatë viteve të Tiranës, kam qenë si ata punëtorët mëditës që trokasin derë më derë, jo me çekan, por me laps në dorë.
Një fjali e thënë krejt natyrshëm, por që Hajriu, si krijues me intuitë të hollë, e kapi menjëherë dhe e vendosi titull të dokumentarit:
“Zylyftar Hoxha, ky punëtor mëditës i medias shqiptare”, që gjendet edhe sot në YouTube.
Dhe për këtë, sigurisht, i jam thellësisht mirënjohës.
