Na morën besën, jo kujtesën: Myslimanizimi i fshatit dhe qëndresa e shpirtit shqiptar

Na morën besën, jo kujtesën: Myslimanizimi i fshatit dhe qëndresa e shpirtit shqiptar

 

Klevis Bakillari

 

 

Fshati Grevë, i strukur mes bokërrimave të thepisura të Tomoricës, mbante për shekuj të tërë gjurmët e një jete shpirtërore të ndërtuar mbi besimin pagan ku hodhën themelet edhe krishterimi orthodoks i trashëguar nga Bizanti dhe Muzakajt.

 

 

Në çdo prag shtëpie, në çdo varr të gurtë mbi kodrat e fshatit, ndjehej fryma e shenjtë e një besimi të lashtë, të trashëguar brez pas brezi.

 

 

Por historia, shpeshherë edhe e padrejtë, nuk kurseu as këtë fshat. Me ardhjen e Perandorisë Otomane, filloi edhe një kapitull i ri: ai i përçarjes dhe imponimit.

 

 

Nën hijen e taksave të rënda, xhizjes për kokë njeriu dhe të shërbimit ushtarak si nizam,apo sekban, një pjesë e banorëve u detyruan të braktisin besimin e tyre të lashtë. Ata që nuk përballonin dot barrën fiskale, haraçin, nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të pranonin myslimanizimin, ndonjëherë jo për bindje, por për mbijetesë.

 

Të tjerë, të rinj dhe të varfër, u morën si ushtarë për të shërbyer në ushtrinë osmane – një formë tjetër shantazhi përmes së cilës Perandoria fitonte trupat dhe, më pas, shpirtrat.

 

Në këtë rrjedhë ngjarjesh, erdhi edhe urdhri nga Sanxhakbeu i Beratit që në zemër të Grevës të ndërtohej një xhami.”Në fshatin Grevë të ndërtohet xhami. Popullsia ka konvertuar. Qendra të reflektojë fenë e re.”

 

Në qendër të fshatit, çekiçët godasin gurin me ritëm të ngadaltë. Retë e pluhurit mbulojnë fytyrat e burrave, që punojnë me duar të nxira, me shikime të përmbysura dhe shpirtra të rënduar. Gurët silleshin nga mali Lisecit, të prerë me dalta, të skalitur me kujdes, si për të bindur vetveten se një ndërtim i bukur do t’ua lehtësonte dhimbjen.

 

Një objekt që nuk simbolizonte besim, por dorëzim. Banorët orthodoksë paganë, u detyruan të ndërtonin me duart e tyre një faltore që nuk i përfaqësonte, por i përulte.

 

“Mos ia lë skajet të mprehta, H,” i pëshpëriti R., një burrë i veshur me shallvare dhe çallmë mbi kokë.

 

“Le të duket si tempull, jo si kazermë. Ne po ndërtojmë me duar që nuk falen këtu.”

 

“Me këto duar mbollëm grurin” ia ktheu H. me zë të ulët, “tani me to po ngremë shtëpinë e atij që na mori tokën.”

 

 

Punimet u shoqëruan me heshtje dhe zemërim të përmbajtur. Burrat, teksa sillnin gurët e baltën, nuk flisnin për lavdinë e ndonjë perëndie, por për humbjen e nderit dhe besës.

“Këta gurë nuk janë për Zotin tonë,” murmuriste T., një burrë i moshuar me mjekër të thinjur, “po për hijen e atij që vjen me kamxhik në dorë.”

 

Në një qoshe të fshatit, një grup burrash po përzien baltë me lesh dhie. Gëlqerja ziente në kazanët prej teneqeje, ndërsa uji sillej me fuçi nga përroi. Përroi furnizohej me ujin e Popçes, çesma e emërtuar në nder të Priftit që e ndërtoi.

 

Kodra pranë Kovaçanjës që përpara shërbente për kuvendim popullor apo si teater i hapur, tani qe kthyer në punishte. Kishat e dikurshme si ajo në Planë, ishin lënë të rrënohen – gurët e tyre tani përdoreshin për themelin e xhamisë.

 

Në zgrip të themelit, një grumbull fshatarësh po punonin mbi një galeri të ngushtë nën tokë. Ishte një tunel me hyrje të harkuar nga ana jugore, që sipas urdhrit të kadiut, do të shërbente si magazinë për drithërat, taksat në natyrë dhe prodhimet që raja, fshatarët e varfër, sillnin çdo muaj.

 

“Kjo s’është xhami, është hambar për hanxharin e tyre,” tha me inat R, teksa rrëshqiste thasët me grurë nëpër tunel.

“E ngritën mbi shpinën tonë, që edhe kur të luteshin, të na kishin poshtë.”

“Hesht, R,” i pëshpëriti H. “Këta dëgjojnë edhe erën. Nëse e marrin vesh që jemi ende të krishterë, do na marrin djemtë në jeniçerë.”

 

Por jo të gjithë ishin nënshtruar. Konvertimi kishte qenë formal – me dokumente e me pagesa. Zemrat e fshatarëve nuk rrahnin për fenë e sulltanit, por për atdheun që po zgjohej nën tingujt e teqesë bektashiane.

 

Në vend që të ndjekin sunitizmin e imponuar, shumica e banorëve morën rrugën e bektashizmit – një besim që më shumë se fe, ishte filozofi që përkrahte barazinë, dashurinë dhe vetëdijen kombëtare.

 

“Bektashiu nuk të pyet ç’mban në gjoks, por ç’mban në mendje,” – u tha një dervish plak një nate në një odë.

 

“Këta na e morën kryqin nga qafa, por jo gjakun nga shpirti.”

 

Ndërtimi zgjati disa muaj. Çdo ditë sillte me vete më shumë heshtje. Edhe zhurma e çekiçëve u bë një këngë mortore që përcillte epokën e humbur. Kur minareja u ngrit, Greva ra, fshati u ndje më i vogël, më i shtypur – si të kishte humbur një betejë pa armë.

 

 

E megjithatë, banorët e Grevës mbetën të palëkundur në heshtjen e tyre. Ata u shfaqën myslimanë në sy të Perandorisë, por mbetën shqiptarë në zemër të Tomoricës. Kur xhamia ra më 1961, nga varetë e socializmit ateist, u duk sikur ajo plagë e vjetër më në fund u mbyll.

 

Por për banorët e vjetër, kujtimi i atyre ditëve jeton ende – në një ikonë të fshehur pas oxhakut, në një këngë të vjetër që përmend “Shën Triadhën” e Muzakajve, apo ‘Baba Tomorrin’ e Naim Frashërit, në një rrefim të një burri plak që thotë:

 

“Na morën besën, por jo kujtesën. Xhamia ishte plagë mbi tokën tonë, jo faltore e shpirtit.”