Botohen për herë të parë dokumente që zbardhin enigma të historiografisë tonë

Botohen për herë të parë dokumente që zbardhin enigma të historiografisë tonë

 

 

 

Ditën e premte, 22 maj 2026, u promovua në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë libri “Xhelal Staravecka në gjyqin e historisë (1912-1944), një biografi e verifikuar me dokumente arkivore e dëshmi të tjera”, shkruar nga gazetari dhe botuesi Naim Zoto.

 

 

Staravecka është një prej protagonistëve të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, sidomos në jug të vendit, i cili ka tërhequr gjithnjë jo vetëm interesin e studiuesve brenda dhe jashtë vendit, por edhe lexuesit të zakonshëm sidomos pas botimit të kujtimeve të tij nga “Naimi” në vitin 2012.

 

 

Libri i ri është pritur me i interes të jashtëzakonshëm dhe ka ngjallur debate që në ditën e parë të prezantimit jo vetëm për bëmat e luftës të personazhit historik, por edhe për shkak të një formati të veçantë të panjohur në historiografinë shqiptare.

 

 

Libri është prezantuar nga studiuesit e njohur, profesorët Shaban Sinani dhe Marenglen Kasmi.

 

 

Sipas prof. Marenglen Kasmi që moderonte promovimin, “libri nuk i përmbahet plotësisht modelit tradicional të botimeve të kujtimeve, por synon një qasje më të ndërgjegjshme ndaj burimeve dhe më të përgjegjshme ndaj së vërtetës historike”, thënë ndryshe “marrëdhënien mes kujtesës dhe së vërtetës historike”.

 

 

“Në kushtet e sotme, kur informacioni është i bollshëm, shpesh kontradiktor dhe sidomos në kushtet e një revizionimi te tejskajshëm historik, kjo marrëveshje me lexuesin duket se nuk vlen gjithmonë”, tha Kasmi.

 

 

Në këto kushte, me të drejtë lexuesi kërkon jo vetëm rrëfim, por edhe prova. Pra, një verifikim dokumentar të rrëfimit të kryer në vetën e parë. Kjo do të thotë se në këtë botim, kemi të bëjmë me një tekst që nuk synon vetëm të përcjellë kujtime, por t’i vendosë ato në një proces kritik shqyrtimi.

 

 

Në këtë kuptim, roli i botuesit dhe njëkohësisht autor i këtij libri, Naim Zoto, nuk ka qenë thjesht redaktues, por edhe interpretues, analizues dhe verifikues.

 

 

Libri është konceptuar si një formë e asaj që në metodologjinë e historisë quhet “kritikë burimore”. Çdo pohim, ngjarje apo datë e përmendur në kujtime është trajtuar si një hipotezë që kërkon verifikim, duke u krahasuar me dokumente arkivore, dëshmi të tjera dhe burime alternative, të cilat e pasurojnë librin”, tha prof. Marenglen Kasmi.

 

 

Kjo qasje është bërë edhe më e nevojshme për shkak të natyrës së Xhelal Staraveckës si personazh i veçantë dhe kontekstit historik që ai përfaqëson.

 

Ai është një personazh i përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje kyçe të historisë shqiptare të shekullit XX, shpesh në pozicione konfliktuale dhe të debatueshme. Kujtimet e tij nuk janë thjesht rrëfim personal, por një interpretim i një periudhe historike që ka qenë dhe mbetet ende objekt debatesh të forta.

 

 

Prof. Shaban Sinani, Naim Zoto dhe prof. Maringlen Kasmi

 

Botimi i parë i këtyre kujtimeve në vitin 2012 ngjalli një interes të gjerë, por edhe polemika të shumta. Në mungesë të autorit, i cili nuk jetonte më për t’iu përgjigjur këtyre polemikave, botuesi është ndjerë i detyruar që këtë përgjegjësi ta marr përsipër vetë përmes një pune të gjatë verifikimi dhe dokumentimi.

 

 

Falë intuitës të profesionit të hershëm të gazetarit për të shkuar te e vërteta dhe burimi i saj, mbështetur në një punë të gjerë kërkimore në arkiva, Naim Zoto ka arritur të shkojë në burime e dokumente që zbardhin enigma të historiografisë tonë”, tha historiani Marenglen Kasmi. “Po ashtu, kujdes i madh i është kushtuar episodeve konkrete ku për autorin e kujtimeve, Staraveckën, ka patur akuza e debate që mbahen ende gjallë, si, për shembull, ngjarja që ka hyrë në histori si “Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë”.

 

 

Qëllimi i botimit nuk është rehabilitimi i figurës së autorit të kujtimeve, por Staravecka i ka shërbyer autorit si një shembull për ndërtimin e një baze faktike të verifikueshme të historisë përmes një procesi sistematik të kritikës burimore”, tha M. Kasmi.

 

 

Sipas prof. Shaban Sinanit, i cili ka bërë edhe një pasthënie analitike për librin, “emri i Xhelal Staraveckës, edhe pas botimit të kujtimeve të tij, mbeti njësoj i demonizuar, për shkak të përtacisë mendore apo të absolutizmit intelektual; për shkak të ngurtësisë ideologjike, të frikës se mos prishen hierarkitë e instaluara në pushtetin e ri të pasluftës, apo të ndonjë arsyeje tjetër, autori dhe botuesi Naim Zoto i hyri një pune të zorshme, por gjithaq të suksesshme: të realizonte një botim të vërtetuar, duke i ndjekur hap pas hapi e ngjarje pas ngjarje të gjitha nyjat e jetës së protagonistit të tyre dhe historisë reale të luftës në jug të Shqipërisë, për ta bërë jetëshkrimin e tij të shprehet përmes gjuhës së arkivave, dokumenteve e të burimeve të tjera: vendëse, italiane, angleze, amerikane dhe franceze; të hapura dhe të fshehta; publike dhe familjare.

 

 

Për fat të historisë, siç dëshmohet nga burimet e gjetura prej autorit të kësaj monografie suigeneris, figura e Staraveckës ka qenë në syrin e ciklonit të shërbimeve sekrete, në vëmendje të përgjithshme, gjatë dhe menjëherë pas luftës. Kudo që është gjendur, Xhelal Staravecka ka lënë pas ngjarjen dhe lajmin e shkruar.

 

Prof. Shaban Sinani me autorin e librit, Naim Zoto

 

Ai mund të jetë një prej figurave më të mbuluara me kronikë gjatë periudhës historike. Në këtë libër, të ripërgatitur për botim me shumë denjësì nga Naim Zoto, Staravecka vetë e ka pranuar se, përgjatë jetës së tij të ndërlikuar, ka pasur jo pak ngjarje të errëta e që nuk mund as të zbukurohen, as të amnistohen.

 

 

Tentimi për ta çliruar prej mëkateve e fajeve do të ishte po aq rrezikues ndaj procesit të sqarimit të historisë, e cila, në raste të ngjashme, shumë shpesh është lustruar e megalizuar: prej heronjve janë ringjallur antiheronj, prej demonëve kanë dalë mite e idhuj.

 

 

Arritja më e rëndësishme e këtij libri është ndarja e meritave prej përgjegjësive historike duke dyshuar e duke provuar”, thotë prof. Shaban Sinani.

 

 

Prof. Paskal Milo duke iu referuar librit deklaroi se “Xhelal Staravecka nuk ka të bëjë me masakrën e 4 Shkurtit 1944.

 

Prof. Paskal Milo

 

Sipas tij kjo është e verifikuar m dokumente me firme dhe me vulë”, ndërkohë që për më shumë se 80 vjet historiografia shqiptare dhe propaganda komuniste e ka mbajtur në rend të ditës këtë akuzë.

 

 

Në përgjigje të kësaj, autori i librit, Naim Zoto, replikoi duke thënë se “historiografia jo vetëm ka propaganduar këtë akuzë, por pothuaj gjithnjë nuk ka denjuar të citojë as kujtimet e Staraveckës për këtë akuzë, por e ka konsideruar të mirëqenë akuzën false.

 

 

Një qasje më të rezervuar shprehu prof. Pëllumb Xhufi, duke thënë se nuk ka patur mundësi ta lexojë librin më të ri për Xhelal Staraveckën. Gjithsesi, ai në takim shprehu opinionet e tij për librin edhe dr. prof. Ajli Alushani.

 

Prof. Pëllumb Xhufi

 

Kurse, studiuesi i ri dr. Edval Zoto e pa personazhin kryesor të librit përmes  një këndvështrimi interesant duke e klasifikuar Xhelal Staraveckën si një “rast ekselent i demonimizmit të kategorisë të të parreshtuarëve.

 

 

Sipas tij historia shqiptare ka pasur edhe një kategori tjetër më të vështirë, më të padurueshme për çdo pushtet: të parreshtuarit. Ata që nuk i përkasin përfundimisht askujt. Ata që hyjnë në rresht vetëm për aq kohë sa rreshti u duket në shërbim të atdheut, por dalin prej tij sapo rreshti shndërrohet në klan, në interes, në nënshtrim apo në gënjeshtër.

 

 

Dr. Edval Zoto

 

Këta konsiderohen më të rrezikshëm se kundërshtarët, sepse ata nuk e godasin pushtetin nga jashtë, por ia prishin qetësinë nga brenda. Ata janë kujtesa e pakëndshme se nuk mjafton të jesh “me tanët” për të qenë në anën e së drejtës. Xhelal Staravecka është, ndoshta më shumë se kushdo tjetër në historinë tonë bashkëkohore, simboli më i fortë i kësaj mërie dhe demonizimi ndaj të parreshtuarve politikisht.

 

 

Në gjithë historinë e tij, Staravecka shfaqet si njeri jashtë klaneve, jashtë grupimeve të hapura apo të fshehta, jashtë disiplinës së verbër të palëve. Ai nuk është figurë e lehtë, as e pastër në kuptimin moralist të fjalës. Pikërisht këtu qëndron vështirësia e rastit të tij.

 

 

Ai është njeri i historisë reale, me dritë dhe hije, me vendime të ashpra, me gabime, me përgjegjësi, por edhe me një vijë të fortë konsekuence ndaj mendimit të vet. Ai është kokëfortë, nacionalist, i pabindur, i rreptë, shpesh i pamëshirshëm në gjykim, por rrallëherë i pabesë ndaj bindjes së tij themelore:

se Shqipëria nuk mund t’i nënshtrohet as partisë, as klanit, as krahinës, as ideologjisë, as të huajit.

 

Studiuesi Spiro Dede

 

Në këtë kuptim, Xhelal Staravecka i provon pothuajse të gjitha kahet. Ai hyn në kryengritje kundër monarkisë, përfshihet në lëvizjen antifashiste, bëhet komandant partizan, drejton formacione luftarake, përplaset me komunistët, kalon në raporte të vështira me nacionalistët, përballet me pushtuesit dhe me strukturat shqiptare të kohës.

 

 

Por në çdo rast, kur sjellja e grupit, klanit apo rreshtimit cenon atdheun siç ai e kuptonte, ai e denoncon dhe e braktis. Kjo e bën të padurueshëm.

 

 

Sepse një njeri që flet nga rreshti është i bezdisshëm për çdo palë kundërshtare; por një njeri që del nga rreshti dhe flet, që denoncon, që shkruan, që lë dëshmi, që nuk pranon të heshtë, bëhet i papranueshëm, bëhet tabelë qitjeje, sepse është ndryshe, është i pangjashëm me turmën, me rreshtin, me klanin, fisin a katundin”, tha studiuesi Edval Zoto.

 

 

 

I pyetur nga “Orakujt e Tomorrit”, autori dhe njëkohësisht  botues i librit, Naim Zoto, pasi falënderoi pjesëmarrësit, sidomos pjesë-marrësit në debat, kërkoi të përcillte përmes medias tonë (si një medium i  krahinës së Skraparit) një falënderim të posaçëm për familjen Staravecka, e cila prej shumë vitesh jeton në SHBA.

 

Prof. Ajli Alushani

 

Sipas Zotos, “djali i Xhelalit, Naim Staravecka, me të cilin u takova vetëm pasi e kisha gjetur dhe publikuar vetë dorëshkrimin me kujtimet e t’atit, ma mirëkuptoi publikimin.

 

 

Madje, jo vetëm kaq, por, pas mosbesimit të shprehur nga shumëkush për kujtimet e Staraveckës për Luftën Nacional-Çlirimtare, “adashi im” iu përgjigj pozitivisht edhe kërkesës për të konsultuar dosjen sekrete të Xhelalit hartuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, për të verifikuar e ballafaquar kështu kujtimet e babait.

 

 

E kam vlerësuar këtë miratim e leje të familjes Staravecka për të “hapur letrat”, pavarësisht kë do të favorizonin a cenonin dëshmitë historike të ruajtura në arkivat e institucioneve të regjimit komunist si akt tjetër guximi dhe emancipimi.

 

 

Në të njëjtën kohë e konsideroj këtë edhe si shërbim tjetër të familjes Staravecka ndaj historisë e vendit të origjinës për të promovuar të vërtetën ashtu si është në dokumente, pra, pavarësisht dëshirave apo rrëfimeve të bashkëkohësve të Xhelal Staraveckës.

 

 

———————

 

 

Titulli: “Xhelal Staravecka në gjyqin e historisë (1912-1944); një biografi e verifikuar me dokumente arkivore e dëshmi të tjera”

 

Autor: Naim Zoto

Gjinia: monografi

Botues: “Naimi” www.botimenaimi.com

Recensent dhe parathënia: Prof. Shaban Sinani

Redaktor shkencor: Prof. Marenglen Kasmi

Konsulent shkencor e pasthënie: Prof. Shaban Sinani

ISBN: 9789928818294

Copyright: Autor

Nr. i faqeve: 516

Formati: 15.5×23.5 cm.

Viti i botimit: maj 2026.

 

 

Dërgoi për “Orakujt e Tomorrit”:

August Vishnja

 

 

##Leje për shpërndaje