Xhelal Staravecka: Si e çlirova Frashërin e Naimi Frashërit në vitin 1942
E tash t’u hedhim një sy aksioneve të mia. Në mbrëmje lashë katundin Staraveckë, ku kisha qëndruar katër pesë ditë me qëllim që të provohej prezenca ime në Skraparin e Sipërm, dhe iu drejtova Dangëllisë (Përmet).
Afër mëngjesit hyra në një shtëpi me krejt çetën te një katundar ku ishte martuar një kushërira ime dhjetë vjet më parë, në katundin Gostomickë.
Skrapari i Sipërm kufizon me dy prefektura; me atë të Korçës dhe të Gjirokastrës, prandaj në shpirtin tim kishte lindur një ide me rëndësi kryesore: të ndizja zjarrin e kryengritjes edhe në ato krahina. Atë ditë, të fshehur në Gostomickë, nuk na pikasi kurrfarë njeriu.
Në mbrëmje dola me çetën time dhe iu drejtova Frashërit, djepit të kombit dhe të Rilindjes Shqiptare, për ta çliruar nga sundimi i të huajit.
Natën e rrethova atë qendër komune e në mëngjes dërgova një katundar t’u jepte një letër organeve të okupatorit në të cilën u thosha se i kisha rrethuar e, nëse nuk do të donin derdhje gjaku, udhën për t’u tërhequr drejt Përmetit e kishin të lirë, natyrisht nëse do të linin Frashërin përpara orës 8 të mëngjesit.
Në të kundërt do t’i mësyja. Në të vërtetë sekretari politik i fashizmit në Frashër, Izet Frashëri, deshi të bënte qendresë, por nuk e dëgjuan frashërllinjtë të merrnin armët kundër nesh…
Para orës 8 të asaj dite, organet qeveritare të asaj komune morën rrugën e Përmetit dhe unë bashkë me ata trima partizanë hyra dhe çlirova Frashërin më 28 shtator 1942, pa shkrepur asnjë fishek.
Kur shkova te gërmadhat e shtëpive ku kishte lerë (lindur) Naimi Frashëri dhe atje duke shkuar nëpër mend dy strofat e vjershës së bërë nga një vjershëtar i shquar, Hekuran Mëlova (Zhiti – N. Z.) nga Skrapari e që do t’i sjell këtu, u ndodha përpara një skene të fantazisë sime, e cila me çeli qysh atë ditë rrugën e aq aksioneve që kam bërë kundra italianëve, por tash lejomëni të sjell këto dy strofa:
Në ballkon parmak ergjend
I venitur shikon Naimi
Dhe mbi faqet tharë e tretur
I venë lotët si burimi.
Poshtë vështron malet e tija
Ku i bie bariu xhurasë
Edhe fushat që u ra zija
Ndaj vajton e qan pa masë.
I ulur mbi gurët e gërmadhave të atyre shtëpive, dekorata të çetave të Zografos dhe të vëllezërve tanë ortodoksë, pishtarë të armikut grek në 1914-ën e, ndërsa po përtypja ato dy strofa, në fantazinë time u shfaq Naimi i fantazisë dhe jo i mrekullisë; pse unë nuk besoj te mrekullitë.
Dhe jo i venitur, por plot gjallëri dhe me sytë që i çonin shkëndija Naimi më thoshte:
-Shko, o bir, në luftë e bëj atë detyrë që kombi dhe atdheu presin nga të gjithë shqiptarët që u dhimbset ky truall dhe që kanë një fije krenarie ta shohin vatrën e vet të pavarur nga të huajt.
Qysh në atë çast ajo skenë fantazmagorike e fantazisë sime që shihja me sytë e mendjes, me aq ngjyra të ndryshme, ku Naimi e sundonte atë pamje me fjalët e urta dhe të ëmbla, më lindi një besim se fabrikat që prodhonin municione për të ushqyer Luftën e Dytë Botërore, halā (ende) nuk e kishin fabrikuar plumbin për mua…

(F. 158-160 e librit të sapobotuar “Xhelal Staravecka në gjyqin e historisë” i autorit Naim Zoto).
