“Shqipëtarë neve jemi…!”

“Shqipëtarë neve jemi…!”

Aktivitet përkujtimor në Vithkuq, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së rilindasit dhe folkloristit Spiro Dine

 

Vithkuqi i lashtë që nga shekulli i dytë para Krishtit, i kalasë së hershme të Shën Pjetrit, i qytetërimit plot shkëlqim të shek. XVII-të, i 24 kishave, tre manastireve e 100 krojeve, i vendlindjes së dijetarit dhe shkrimtarit të madh Jani Evstrat Vithkuqari, i rilindasve të shquar Naum Veqilharxhi e Spiro Dine, i njerëzve të urtë, verës së artë dhe dimrit të paqtë, –  në datën 29 prill 2022, përjetoi ngjarjen më të veçantë të historisë së tij në këto dekadat e fundit.

 

Mes emocionesh të shumta aty “mbërritën” “Valët e Detit”, po..po.., oshëtima e Valëve të Detit me kaba, këngë e derte që deri 114 vite më parë përlotnin dhe digjnin nga malli për mëmëdheun shpirtin poetik të birit të saj, Spiro Dine.

 

Dhe meritën për këtë arritje e ka “Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike” në Shqipëri, me drejtues studiuesin e apasionuar e të palodhur, Niko Kotherja, i cili me talentin e tij arriti të organizojë një aktivitet me nivel të lartë shkenor e kulturor, i rrallë ky për Vithkuqin e krahinat përreth.

Ribotimi anastatik i veprës së plotë të Spiro Dines në 100-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, ekspozita me materiale origjinale të krijimtarisë dhe jetës së Dines, kumtesat e mbajtura nga studiues të ndryshëm, filmi dokumentar, interpretimi mjeshtëror i artistëve të mëdhenj të folklorit shqiptar, si dhe vallet e bukura të ekzekutuara nga fëmijët e talentuar vithkuqarë, e shndërruan Vithkuqin këtë ditë në kryeqendrën kulturore të Shqipërisë Juglindore.

 

Vithkuqi i bukur e muze i gjallë, plot xhevahire në gjirin e tij, na mbush me krenari si komb, ndaj meriton shumë e më shumë vëmendje nga ky vend.

 

Le të vazhdojnë edhe në të ardhmen aktivitete të tilla, për të promovuar vlerat e pashtershme të tij, por edhe për t’i rikthyer Vithkuqit-qytet shkëlqimin e dikurshëm!

Petrit Zeneli