Mes qershive kuqaloshe dhe kujtimeve të gjalla, Vërzhezha bashkoi bijtë e saj

Mes qershive kuqaloshe dhe kujtimeve të gjalla, Vërzhezha bashkoi bijtë e saj

 

Gjergj Qafoku

 

Dje, në Vërzhezhë, mes gjelbërimit të kodrave dhe hijes së pemëve, Bashkia Skrapar organizoi Festën e Qershisë, një aktivitet i menduar për të vlerësuar mundin, përkushtimin dhe sakrificat e banorëve të këtij fshati, si edhe për t’i nxitur ata të vazhdojnë me të njëjtin pasion kultivimin e kësaj kulture të vyer. Sipas organizatorëve, kjo festë do të kthehet në një traditë të bukur të përvitshme.

 

 

Festa u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe të hareshme në qendër të fshatit, mes dy rrapeve simbolikë, të vjetrit dhe të riut, sikur vetë koha të kishte bashkuar aty brezat e Vërzhezhës. Këngët, bisedat dhe takimet e njerëzve krijuan një mjedis plot gjallëri dhe mall për vendlindjen.

 

 

Në festë morën pjesë banorë të fshatit, por edhe shumë vërzhezhallinj që pas viteve ’90 janë vendosur në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe kishin ardhur posaçërisht për këtë ditë. Të rinj, të reja, fëmijë dhe të moshuar u bënë pjesë e gëzimit të përbashkët, duke i dhënë aktivitetit pamjen e një takimi të madh familjar.

 

Të pranishëm ishin gjithashtu kryetari i Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema, deputetët e zonës Enriketa Jaho dhe Hysen Buzali, punonjës të bashkisë, si dhe qytetarë të ardhur nga Çorovoda, të cilët iu bashkuan festës dhe gëzimit të banorëve të Vërzhezhës.

 

 

 

 

Historia e qershive të Vërzhezhës

 

Aty nga fundvitet 70, në vëndin e quajtur Gërrjeshta e Gjinecit, filloj aksioni për mbjelljen e qershive. Territori ishte i madh, mbi 30 hektarë. Fillonte nga Ara e Çiros dhe Kupes, vazhdonte në Bajamez, Topilaz, Gjingoras, Dëllinja e Saliut, Vidhi i Shemes, Bregu Mitralozit dhe shtëpitë e Veliko Metës.

 

Qershitë ishin ishin tre varietete të ndryshme dhe shumë cilësore, aq sa tani ato kishin një emër: Qershitë e Vërzhezhës.

 

 

Në vitin 1991, blloku u nda jo me ligjin 1751, por në kufijt e vjetër.

 

 

Me kalimin e viteve ato vetëm zëvëndesoheshin, por  vërzhezhallinjve iu hyri “sevdaja” për këtë pemë të begatë dhe pothuaj në çdo skaj të saj, që nga Rreheja e Dypjaku, Ndërfiqe e Moçale, Hamvulla e Sulos e Ara e Malos, Çelaj, Kapllan e Ilqa e Jahos, Shigjon e Ara e Kupes, çdo shtëpi në oborrin e saj ka 3-4 rrënjë qershie.

 

Le të shërbëj kjo datë për shtimin e mëtejshëm të kësaj peme të uruar që e duan jo vetëm fshatarët, por edhe vendi.