Historia, tradita dhe njerëzit e Vlushës në një vepër enciklopedike

Historia, tradita dhe njerëzit e Vlushës në një vepër enciklopedike

  

Zylyftar Hoxha

 

 

Të them të drejtën, ftesën për të shkruar parathënien e këtij libri nga autori i tij, Tomor Mukaj, e prita me një ndjenjë të veçantë kënaqësie, madje edhe me një gëzim të brendshëm që zor se fshihej. Ishte si një rast i bukur që më jepej për të shlyer një detyrim moral: jo vetëm ndaj autorit, që e kam mik të hershëm, madje edhe familjar, por sidomos ndaj një fshati të tërë, me histori të veçantë, të dallueshme, të vjetër dhe të re, që fati e ka vendosur karshi për karshi me fshatin tim, Qafën.

 

 

Jam rritur me atë fshat panoramik, impozant dhe hijerëndë, si një kartolinë e gjallë, ndër më të bukurit e Skraparit, që më rrinte në sy që nga pika e mëngjesit e deri vonë në mbrëmje si një prani e qetë, e njohur dhe e dashur, që pa e kuptuar bëhet pjesë e pandashme e jetës.

 

 

Jam rritur me këngët e gjelit, me lehjet e qenve, me blegërimat e bagëtive dhe me fërshëllimat e barinjve, të cilat, bashkë me ato të fshatit tonë krijonin një simfoni të një stine të pestë bet’hoveniane.

 

 

Më kujtohet se sa shumë më argëtonte një lojë e vogël e mëngjeseve, kur, gjeli ynë, krekosur në në majë të gardhit, me vështrim nga Vlusha, priste radhën t’i përgjigjej me një kadencë më të lartë mburrjeje gjelit përtej. Të njëjtën gjë bënte edhe Lesi, qeni ynë i urtë, që, hipur mbi koliben e tij, kuiste si ujk dhe pushonte vetëm sa t’i vinte përgjigjja, po si nga një ujk i vërtetë, nga ana tjetër.

 

 

Nëse edhe kafshët dhe gjallesat e këtyre dy fshatrave dukeshin sikur komunikonin mes tyre, duke i dhënë jehonë njëra-tjetrës, merret me mend se si mund të mos ndodhte kjo edhe me njerëzit?!

 

 

Do të ishte një fatkeqësi e madhe, madje e pafalshme, që Vlusha – një nga fshatrat me historinë më të lashtë dhe më të pasur në ngjarje e dëshmi me karakter kombëtar, ndoshta si asnjë tjetër në krahinën e Skraparit – të mbetej pa një histori të shkruar.

 

 

Nuk duhet harruar se Vlusha përmendet që në faqen e parë të Historisë zyrtare të Shqipërisë si një nga vendbanimet më të hershme të jetës njerëzore në Evropë, me gjurmë që shkojnë deri në kohën e mezolitit të hershëm.

 

 

Në periudhën osmane ajo njihej si Hyqymet, një qendër administrative e rëndësishme e kohës, status që e ruajti në forma të ndryshme edhe në periudhat pasuese historike, deri në vitet e sistemit socialist.

 

 

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Vlusha u shndërrua në një vatër të qëndresës kundër shovinizmit grek, ndërsa njëkohësisht shërbeu edhe si rezidencë e përfaqësuesit austriak, gjeneralit Gjilardi.

 

 

Në Luftën e Dytë Botërore emri i saj lidhet me një nga momentet më të rëndësishme të kësaj periudhe: krijimin e Brigadës së 7-të Sulmuese, një ndër formacionet më të rëndësishme partizane të luftës në Shqipëri.

 

 

Por historia e këtij fshati mbart edhe plagë të thella. Një nga më të rëndat është masakra naziste gjermane e janarit 1944, e cila, për nga përmasat dhe egërsia, mbetet një nga tragjeditë më të rënda të krahinës. Vrasja e 23 burrave dhe djemve të fshatit e ktheu atë ngjarje në një dramë kolektive, me përmasa të një genocidi të vërtetë.

 

 

Prandaj, nuk mund të mos i jemi mirënjohës dhe të ngrihemi në këmbë në shenjë respekti për djalin e këtij fshati, Tomorr Mukaj, i cili mori guximin dhe iniciativën për botimin e këtij libri, të shkruar me mjeshtëri, stil të spikatur dhe profesionalizëm të admirueshëm.

 

 

Le të vijmë tani tek prezantimi dhe analiza e librit:

 

Çdo fshat ka historinë e vet. Një histori që nuk gjendet gjithmonë në dokumente zyrtare, por që jeton në kujtesën e njerëzve, në rrëfimet e të moshuarve, në emrat e vendeve, në traditat dhe në gjurmët që kanë lënë brezat ndër kohë. Kjo histori, shpesh e heshtur dhe e shpërndarë në copëza kujtimesh, meriton të mblidhet, të ruhet dhe të përcillet.

 

 

Dhe Tomorri, jo pa vështirësi, ia ka arritur të hedhë dritë mbi rrugëtimin historik të fshatit, të shfrytëzojë arkiva, të shfletojë dokumente, të marrë dëshmi dhe rrëfime të gjalla duke nxjerrë në pah vlerat më të mira që karakterizojnë banorët e këtij fshati dhe që e bëjnë atë të ndërtojë identitetin, traditën dhe autoenticitetin e tij.

 

 

Historia e një fshati nuk është thjesht një renditje datash dhe ngjarjesh. Ajo është historia e njerëzve të tij: e atyre që punuan tokën, që mbajtën gjallë traditat, që përballuan kohë të vështira dhe që, me mundin dhe përkushtimin e tyre, i dhanë jetë dhe dinjitet këtij vendi. Në këtë kuptim, ky libër është edhe një homazh për brezat që kanë jetuar dhe kanë lënë gjurmë në këtë truall.

 

 

Qëllimi i këtij libri është të ruajë dhe të përcjellë kujtesën historike të fshatit për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Njohja e rrënjëve dhe e traditave tona është një mënyrë për të kuptuar më mirë se kush jemi dhe nga vijmë.

 

 

Dhe, mesa jemi njohur me materialin që në dorëshkrim, Tomorri ia ka arritur.

 

 

Një vlerë e shtuar e librit, të hartur dhe kuruar me kujdes nga Tomorri, është se ky libër nuk është vetëm dhe thjesht histori, por është një enciklopedi, vërtet me përmasat e një fshati, por që pasqyron dhe nxjerr në shesh mjedisin gjeografik dhe kulturën e jetesës që kanë ndërtuar njerëzit në shekuj.

 

 

Me këtë rast, shpreh mirënjohjen dhe respektin më të thellë për autorin, i cili me përkushtim, durim dhe dashuri për vendlindjen ka bërë të mundur ndriçimin e historisë së këtij fshati. Ky punim nuk është thjesht një përmbledhje faktesh dhe ngjarjesh, por një akt kujtese dhe nderimi për brezat që kanë jetuar dhe kanë ndërtuar jetën në këtë truall.

 

 

Puna e autorit dëshmon jo vetëm njohuri dhe kërkim të kujdesshëm, por edhe ndjeshmëri të veçantë ndaj jetës, kulturës dhe traditave të fshatit. Pa këtë përkushtim, shumë kujtime dhe vlera do të rrezikonin të mbeteshin në harresë.

 

 

Prandaj, ky libër mbetet një kontribut i çmuar, dhe autori meriton falënderim të veçantë.