Fluturimi i fundit i krenarisë tomorricare
Agim Zhuka
Po shkëpus nga shënimet e mia të kujtimeve një ngjarje interesante të vitit 1972, kur shërbeja si mësues në Grëmsh të Tomoricës, në Grëmshin e bejlerëve dhe të Frashëllinjve, një fshat me histori, krenari dhe tradita të hershme.
Aty mësova se Grëmshi i vjetër kishte qenë ngritur buzë lumit të Tomoricës, poshtë vendbanimit të ri. Banorët më tregonin se, që prej shekullit XVII, Grëmshi kishte qenë një qendër e rëndësishme tregtare për gjithë krahinën e Tomoricës, vend ku kryqëzoheshin rrugë, njerëz dhe histori.
Sot ai vend ka mbetur pa banorë, por në kohën kur unë isha mësues, fshati ende jetonte me tri lagjet e tij: Bejkollarë, Çeta dhe Godunas.
Nuk kishte dyqan e as furrë buke. Ato ndodheshin në Gjokovicë, pak më sipër, por në atë kohë Grëmshi dhe Gjokovica përbënin pothuajse një të vetme. Shpesh njerëzit i përmendnin bashkë, si një emër të vetëm: Grëmsh-Gjokovicë.
Që ditën e parë të mbërritjes sime u njoha me një burrë që të linte mbresë. Kishte tiparet karakteristike të burrave të asaj ane: i rregullt, fisnik, i dashur dhe tepër i respektuar. Por mbi të gjitha ishte njeri i drejtë, që nuk heshtte përballë padrejtësive dhe gjërave që nuk shkonin mirë në fshat.
Quhej Halil Kovaçi, por të gjithë e thërrisnin Limkë Gjokovica.
Limka kishte një djalë, Veiz Kovaçin, rreth dy vjet më të madh se unë. E takova një herë të vetme, pak kohë pasi ishte kthyer nga Kina, ku kishte kryer Akademinë e Forcave Ajrore. Ishte një nga ato takime që të mbeten në kujtesë, sepse fati nuk na dha mundësi të takoheshim më.
Veizi ishte bërë një pilot i talentuar, një djalë i apasionuar pas fluturimit, guximtar dhe plot energji rinore. Shërbente në Forcat Ajrore në Kuçovë.
Një ditë maji të vitit 1972, ndërsa po zhvilloja mësimin, dëgjuam papritur një gjëmim të fuqishëm që dukej sikur trondiste tokën. Dola menjëherë jashtë bashkë me nxënësit.
Pamja që na u shfaq para syve ishte e jashtëzakonshme.
Një avion luftarak po kalonte mbi kokat tona me shpejtësi marramendëse. Ai bëri një pikiadë të guximshme mbi fshat dhe, sa hap e mbyll sytë, u ngrit sërish drejt maleve të Gjokovicës.
Më vonë morëm vesh se piloti ishte pikërisht Veiz Kovaçi. Gjatë një fluturimi stërvitor ai kishte shkelur rregulloren, duke devijuar nga itinerari dhe duke bërë atë manovër spektakolare mbi vendlindjen e tij.
Natyrisht, për këtë veprim kishte marrë kritika të ashpra dhe ishte ndëshkuar. Por kjo nuk e kishte shqetësuar shumë.
Ai ndiente krenari për atë që kishte bërë.
E dinte se i ati, Limka, nuk ishte shumë i pëlqyer nga autoritetet lokale, sepse ngrinte vazhdimisht probleme dhe nuk ngurronte të kritikonte atë që nuk shkonte. Nga ana tjetër, disa njerëz ziliqarë kishin përhapur fjalë se Veizi nuk ishte pilot i aftë, se nuk arrinte të manovronte avionin dhe se e kishin larguar nga fluturimi për ta caktuar teknik.
Fluturimi i asaj dite ishte përgjigjja e tij.
Ishte një sfidë ndaj thashethemeve, një përpjekje për të vënë në vend nderin e vet dhe respektin për të atin, pavarësisht pasojave që mund të kishte.
Por fati nuk do të tregohej bujar me të.

Vetëm dy vjet më vonë, më 5 gusht 1974, Veiz Kovaçi ra në krye të detyrës. Avioni i tij MIG-19 pësoi një defekt të rëndë teknik gjatë ngritjes, duke i ndërprerë tragjikisht jetën në lulëzimin e saj.
Ai u shpall “Dëshmor i Atdheut” me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 228, datë 22.04.1996.
Sot emri i tij qëndron i nderuar në panteonin e Aviacionit Ushtarak Shqiptar. Eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Çorovodë, ndërsa kujtimi i atij fluturimi të largët mbi Grëmsh mbetet ende i gjallë në mendjen time.
Sa herë e kujtoj atë ditë maji, më duket sikur dëgjoj sërish uturimën e avionit mbi Tomoricë. Ishte vetëm një çast, vetëm pak sekonda në qiellin e fshatit, por për Veizin ai ishte një përshëndetje krenare për vendlindjen, për babanë e tij dhe për njerëzit që e kishin rritur.
