“Djevoçkat” e Çorovodës “ndezin” përsëri qytetin e tyre të lindjes

 “Djevoçkat” e Çorovodës “ndezin” përsëri qytetin e tyre të lindjes

 

 

Një festë malli, kujtimesh dhe dashurie për vendlindjen

 

 

Fundjava e kaluar e ktheu Çorovodën në një skenë emocionesh të rralla.

 

 

Rrugët, parqet, shkallët dhe kalldrëmet e qytetit u zgjuan sërish nga zërat, të qeshurat, shakatë dhe çapkënllëqet e vajzave të dikurshme, të cilat malli dhe nostalgjia i sollën nga vende të ndryshme të botës për të festuar së bashku disa orë të paharrueshme lumturie.

 

 

Për të dytin vit radhazi, kjo festë e veçantë e kujtimeve dhe miqësisë po shndërrohet në një traditë të bukur të Çorovodës, falë përkushtimit dhe dashurisë së Aurora Ajdinit, që jeton në Amerikë, dhe Miranda Nanos, që jeton në Tiranë. Ato arritën të bashkojnë sërish shoqet e fëmijërisë dhe rinisë, duke krijuar një atmosferë që vetëm zemra mund ta përshkruajë.

 

 

Edhe pse të ndara nga oqeane e kontinente, ato erdhën me dëshirën e madhe për t’u rikthyer te rrënjët e tyre. Flamure Dyrmishi kishte ardhur nga Australia, Ola, Pullumbesha dhe Drita nga Italia, Lena nga Greqia, ndërsa të tjera nga qytete e vende të ndryshme, të gjitha të thirrura nga i njëjti zë: zëri i vendlindjes.

 

Sepse kur rrënjët thërrasin, zemra gjithmonë përgjigjet.

 

 

Ato u rritën bashkë, ecën në të njëjtat rrugë e shkallë, ndanë të njëjtat ëndrra rinore dhe sot, pas dekadash, u ribashkuan me të njëjtin shpirt, me të njëjtën dashuri dhe me të njëjtin mall për vendin ku nisën rrugëtimin e jetës.

 

 

Ky nuk ishte thjesht një takim. Ishte një rikthim në folezën e kujtimeve, një përqafim i ngrohtë me të kaluarën dhe një festë e bukur e së tashmes.

 

 

Udhëtimi i emocioneve nisi në Bogovën turistike, mes freskisë, surprizave dhe përqafimeve të gjata, për të vazhduar më pas në ambientet e njohura të Verorit, në zemër të Çorovodës, ku kujtimet dhe rrëfimet nuk kishin të sosur.

 

 

Por kulmi i festës erdhi në mbrëmjen e organizuar te Hotel “Kanionet”, ku muzika, kënga, vallja dhe gëzimi krijuan një atmosferë magjike që vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit. Ishte një natë ku vitet dukej sikur ishin zhdukur dhe ku secila ndjehej sërish vajza e dikurshme e qytetit të saj.

 

 

Po aq mbresëlënëse ishte edhe vizita në Kanionet madhështore të Osumit, një nga mrekullitë natyrore të Skraparit, si dhe shëtitja e fundit nëpër lagjet, rrugët dhe këndet e qytetit, aty ku kishin lindur, ishin rritur dhe kishin ëndërruar për herë të parë.

 

 

Dhe ndërsa fundjava mbaroi, askush nuk u largua vetëm me fotografi. Të gjitha morën me vete diçka shumë më të çmuar: ngrohtësinë e miqësisë së vjetër, emocionin e rikthimit dhe premtimin se Çorovoda do t’i mbledhë përsëri, aty ku kujtimet nuk plaken kurrë.