Vlorë – Berat – Voskopojë – Korçë dhe mallrat që transportoheshin
Ilia V. Ballauri
Studiues, përkthyes dhe autor shqiptar i njohur për punën e tij voluminoze mbi qytetërimin e Voskopojës, antikitetin grek dhe kujtimet e qytetit të Korçës
Zona e Korçës lidhej në Adriatik me dy skela, atë të Durrësit dhe të Vlorës.
Skela kryesore për tregtarët e anëve tona dhe sidomos për ata voskopojarë ka qënë skela e Durrësit.
Ndërkaq një tregëti e konsiderueshme zhvillohej edhe duke shfrytězuar skelën e Vlorës.
Kish itenerar direkt dhe karvanet shkonin e vinin Korçë – Vlorë, duke shpënë mallra për eksport dhe duke sjellë mallra nga importi, (Venetiku dhe më gjërë) për nevojat e zonës.
Berati lidhej si me Durrẽsin ashtu dhe me Vlorën, madje me këtë të fundit kish më tepër dhënie marrje.
Itenerari i më poshtëm ndoshta është qysh në kohët e Bizantit.
Nga Vlora karvanet shkonin, nëpër Babicë, kapërxehej Shushica, në Picar, në Armen, kalohej Vjosa në Murtajas, në Selishtë, Hekal, Ballsh, Aranitas kapërxehej Gjanica, qafa e Sinjës, në Bolinjan, në Velebisht e pastaj në Berat.
Prej Berati ndiqej ana e djathtë e Osumit, arrihej në Vodicë, ngjitej në pllajën veriperëndimore të Tomorit, dilej pastaj në Qafa e Dardhës, zbritej për në Tërrovë (Tomoricë), në Ostin, ně Romas, kapërcehej lumi i Tomorricës, dhe hidhej në Dobrenj.
Prej kētu ngjitej pastaj në Guri i Prerë që ishte një pikë shumë e njohur dhe me plot ngjarjesidomos për voskopojarët e vjetër (Këtu ishte dikur kufiri midis zonës së Beratit dhe asaj të Voskopojë-Korçës.
Këtu ishte për një farë kohe edhe kufiri midis pronave të Ali pashë Tepelenës dhe Kurt pashë Beratit). Nga Guri i Prerë shkohej pastaj në Dushar, në Protopapë dhe dilej më pas në Voskopojë.
Nga Voskopoja rruga shkonte pastaj sipas prroit të Gjonomadhit, në Voskop dhe arrinte përfundimisht në Korçë.
Mallrat që eksportoheshin ishin: lesh në sasira të mëdha, stofra të trasha, mbulesa të trasha leshi, punime prej lesh dhie, velenxa, fije, lëkurë lëvozhgë valanidhi, dyllë, safran, duhan etj.
Një material burimor francez thotë se, në vitet 1300 – 1400 nga zona e Korçës për në Vlore eksportohej dhe mëndafsh. Të ketë lidhje kjo gjë, me manat e fshatrave në afërsi të qytetit dhe në rrëzë të vargmaleve të Moravës?
Mallra që importoheshin ishin: pëlhura dhe stofra venetikase, sheqer, kafe, sende hekuri, xhame, prodhime majolike, letër për shkrim, libra pělhura mëndafshi të qëndisura me ar, kadife, pambuk, tel hekuri, plumb bakër i parapunuar, etj.
