Nga lufta kundër Perandorisë Osmane dhe organizimi i çetave kryengritëse, te mbrojtja e Qeverisë së Vlorës…
…dhe një fund tragjik që nuk e zbehu lavdinë e tij patriotike
Jaçe Gjergjova lindi në vitin 1870. Që në moshë të re u dallua për karakterin e tij të fortë dhe shpirtin kryengritës. Sipas kujtesës popullore, në Selishtë vrau një xhandar osman që kishte ardhur për ta arrestuar, pasi refuzonte të shkonte ushtar në ushtrinë e Perandorisë Osmane. Për këtë arsye u detyrua të merrte rrugën e kurbetit, ndërsa familja e tij u internua në Vërzhezhë.
Me zgjerimin e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, Jaçe Gjergjova u kthye në atdhe dhe u përfshi menjëherë në veprimtarinë patriotike. Në vitin 1905 ai mori pjesë në një mbledhje të patriotëve të Skraparit, të zhvilluar në Frashër, ku u diskutua organizimi i qëndresës kundër pushtetit osman.
Një vit më pas, më 1906, mblodhi rreth vetes bashkëfshatarë dhe miq të besuar, si Ramadan Hysa, Hysen Hysa, Hasan Tare Hysa nga Zogasi, File Qafa e të tjerë, duke krijuar çetën e tij. Asaj iu bashkuan luftëtarë edhe nga Kuçi i Tomorricës, Kapinova, Turbohova, Koprëncka dhe fshatra të tjerë të krahinës.
Nga viti 1906 deri në vitin 1912, çeta e Jaçe Gjergjovës veproi kryesisht në zonën e Potomit dhe në krahinat përreth, kudo ku e kërkonte nevoja e luftës.
Në verën e vitit 1911, rreth një vit e gjysmë para shpalljes së Pavarësisë, në fshatin Zaloshnjë u krijua Komiteti i Çlirimit Kombëtar të Skraparit. Në përbërje të tij ishin Hasan Koprëncka, kryetar, si dhe Shemsi Hajro, Sabri Kallajxhiu, Selami Qulli, Dule Koprëncka, Asllan Guda dhe Sinan Leshnja. Natyrshëm, pjesë e këtij komiteti ishte edhe Jaçe Gjergjova, si një nga drejtuesit më të njohur të lëvizjes kryengritëse në krahinë.
Në maj të vitit 1912, patrioti Hasan Koprëncka organizoi një kuvend me rreth 400 burra në Teqenë e Backës. Si i zoti i vendit, Jaçe Gjergjova ishte në krye të pritjes dhe të organizimit të këtij takimi. Ai ishte gjithashtu një nga firmëtarët e Memorandumit të Kuvendit të Sinjës, dokument i rëndësishëm politik i hartuar më 12 qershor 1911.
Më 12 gusht 1912, Jaçe Gjergjova mori pjesë në dëbimin e administratës osmane nga Çorovoda, një ngjarje që ndodhi katër muaj përpara ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë.
Emri i tij ishte bërë aq i njohur, sa edhe shtypi patriotik i kohës i kushtoi vëmendje. Në gazetat e Rilindjes Kombëtare përdorimi i pseudonimeve ishte një praktikë e zakonshme për luftëtarët e shquar. Edhe Jaçe Gjergjova njihej me një emër të tillë.
Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, nr. 96, e muajit Kallnuer (janar) 1911, në rubrikën “Letër nga korrespondenti i Skraparit”, e krahasonte atë me luftëtarin e njohur me pseudonimin Ali Farmaqi.
Korrespondenti shkruante se kryetari i xhandarmërisë së Korçës, Abdul Hamit Beu, i kishte dërguar një letër Jaçes, duke i kërkuar të mblidhte rreth njëzet trima, me pagesë mujore, për t’i dërguar në Izmir. Vetë fakti që autoritetet osmane përpiqeshin ta afronin në anën e tyre dëshmon ndikimin dhe autoritetin që ai kishte fituar ndër luftëtarët e krahinës.
Veprimtaria e fundit luftarake e çetës së Jaçe Gjergjovës ishte mbrojtja e territoreve të Qeverisë së Vlorës nga sulmet e andartëve grekë. Nën drejtimin e Xhelal Bej Koprënckës, të dërguar nga Ismail Qemali, luftuan edhe Jaçe Gjergjova dhe bashkëluftëtarët e tij: Feim Maksutaj, Haki Çela, Adem Muçaj, Xhevahir Hlipaj, Xhaferr Halipaj, Baliko Çela e shumë të tjerë.
Fundi i jetës së tij ishte sa tragjik, aq edhe i hidhur. Pas gjithë asaj veprimtarie patriotike, Jaçe Gjergjova u vra nga nipërit e tij për një konflikt pronësie. Po për të njëjtin shkak u vra më pas edhe i biri, Myrtezai.
Me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Jaçe Gjergjova u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhrin për Veprimtari Patriotike, si vlerësim për kontributin e tij në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Për shumë vite, spitali i Potomit mbajti emrin “Jaçe Gjergjova”, si shenjë nderimi për figurën e tij.
Deri në vitin 1997, fotografia e Jaçe Gjergjovës zinte një vend të rëndësishëm në stendat e Muzeut Historik të rrethit të Skraparit. Fatkeqësisht, gjatë trazirave të atij viti u shkatërruan fondet muzeore dhe sot nuk ruhet më as fotografia e tij dhe as materiale të tjera arkivore që lidhen me këtë patriot të shquar.
Jaçe Gjergjova ishte nga ata burra që jetën ia kushtuan lirisë së Shqipërisë. Sot, kur shumë nga gjurmët materiale të veprës së tij janë zhdukur, mbetet detyrë e kujtesës sonë ta rikthejmë figurën e tij në vendin që i takon në historinë e Skraparit dhe të Rilindjes Kombëtare.
