Një jetë e tërë në shërbim të atdheut

Një jetë e tërë në shërbim të atdheut

 

 

Një nga luftëtarët e orëve të para të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, partizani i Brigadës së 7-të Sulmuese, ish-ushtaraku i Ushtrisë Popullore Shqiptare dhe veterani shekullor i LANÇ-it, Sherif Zylyftari, u nda nga jeta në moshën e bekuar 102-vjeçare, duke lënë pas kujtimin e një jete të tërë në shërbim të atdheut dhe të njerëzve.

 

Sherif Zylyftari lindi më 15 qershor 1924 në fshatin Buzuq të Skraparit, në një familje të varfër ekonomikisht, por të pasur në tradita patriotike dhe virtyte njerëzore. Prindërit e tij, Pelivani dhe nëna fisnike Refiko, i ushqyen që në fëmijëri dashurinë për punën, ndershmërinë, respektin për njerëzit dhe përkushtimin ndaj atdheut.

 

Pushtimi fashist i vendit ndezi në zemrën e djaloshit të ri dëshirën e zjarrtë për t’u bashkuar me radhët e luftëtarëve të lirisë. Pasi mori pjesë fillimisht në formacione të vogla partizane, më 17 mars 1944 ai u rreshtua në Brigadën e 7-të Sulmuese, të krijuar në Vlushë të Skraparit.

 

Në të gjitha luftimet e kësaj brigade, nga trojet shqiptare e deri në Vishegrad, Sherif Zylyftari u shqua për trimëri, guxim dhe shpirt sakrifice. Për meritat e tij në fushën e betejës ai u vlerësua me medalje dhe dekorata të ndryshme trimërie, të cilat mbetën dëshmi e kontributit të tij në çlirimin e vendit.

 

Pas çlirimit të Shqipërisë, ai vazhdoi t’i shërbente me përkushtim shtetit shqiptar, për shumë vite në radhët e Ushtrisë Popullore, ku mbajti gradën e Kapitenit të Parë. Edhe pas largimit nga ushtria, Sherifi nuk iu nda punës dhe detyrës. Fillimisht punoi në Ndërmarrjen Tregtare dhe më pas në Ndërmarrjen Bujqësore, në sektorin e Kakrukës, duke fituar kudo respektin e njerëzve për korrektësinë, ndershmërinë dhe përkushtimin e tij.

 

Kudo ku jetoi dhe punoi, Sherif Zylyftari mishëroi virtytet më të mira të skraparlliut fisnik: urtësinë, burrërinë, fjalën e dhënë dhe dashurinë për njerëzit.

 

Së bashku me bashkëshorten e tij, Hajrenë, bijë e Vëndreshës, ai ndërtoi një familje model, të mbështetur mbi punën, dashurinë dhe edukimin. Ata rritën dhe shkolluan me përkushtim pesë fëmijët e tyre: Shkëlqimin, Kastriotin, Shpresën, Zanën dhe Hënën, duke u lënë trashëgim vlerat më të mira njerëzore dhe atdhetare.

 

Ndryshimet e mëdha demokratike pas viteve ’90 e rikthyen Sherifin, tashmë pensionist, në vendlindjen e tij të dashur. Së bashku me të birin, Kastriotin, ai u shpërngul nga Kakruka në Buzuq, ku ndërtoi një shtëpi të re dhe vazhdoi jetën mes njerëzve dhe kujtimeve të fëmijërisë.

 

Për kontributin e tij të çmuar në luftë dhe në jetën shoqërore, si anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Sherif Zylyftari u nderua me titullin e lartë “Anëtar Nderi”.

 

Me ndarjen nga jeta të Sherif Zylyftarit, familja humbi njeriun e saj më të dashur, ndërsa Skrapari dhe Shqipëria humbën një nga dëshmitarët e gjallë të një epoke heroike, një burrë që jetoi më shumë se një shekull me dinjitet, duke mbetur deri në fund besnik i idealeve për të cilat luftoi.

 

Kujtimi i tij do të mbetet i pashuar në zemrat e familjarëve, miqve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën.

 

I shprehim familjes Zylyftari ngushëllimet tona më të sinqerta.

 

I përjetshëm qoftë kujtimi i luftëtarit shekullor, Sherif Zylyftari!

 

Orakujt e Tomorrit