Zbulim që rikthen të vërtetën historike

 Zbulim që rikthen të vërtetën historike

 

 

Një lajm i gëzueshëm për historinë shqiptare dhe për komunitetin beratas, veçanërisht për brezat e shumtë të nxënësve të shkollës së mesme “Babë Dudë Karbunara” – dikur shkollë pedagogjike e sot gjimnaz – të cilët emrin e këtij patrioti e kanë të gdhendur jo vetëm në dëftesat dhe dokumentet e tyre shkollore, por edhe në kujtimet më të bukura të rinisë dhe të viteve të bankave të shkollës

 

 

 

Zylyftar Hoxha

 

“Babdudas” i pedagogjikes së viteve ‘60 

 

 

Pas më shumë se katër dekadash debatesh dhe hamendësimesh, një zbulim i rëndësishëm duket se ka zgjidhur enigmën e vendprehjes së patriotit të shquar, Babë Dudë Karbunara.

 

 

Eshtrat e tij janë gjetur në varrin ku ishte varrosur fillimisht, duke rrëzuar pretendimet se ato ishin zhvendosur dhe se vendi i prehjes kishte humbur.

 

 

Ky zbulim hedh dritë mbi një nga çështjet më të diskutuara të historisë së Beratit dhe kërkon rishikimin e shumë interpretimeve të deritanishme. Megjithatë, konfirmimi përfundimtar pritet të vijë nga analiza e ADN-së, e cila do ta vulosë shkencërisht identitetin e eshtrave.

 

 

Një meritë e veçantë i takon At Johan Qakos, i cili për vite me radhë ka punuar me përkushtim dhe këmbëngulje për të zbuluar vendprehjen e Babë Dudë Karbunarës.

 

 

Zbulimi i eshtrave nuk është një fitore personale e askujt, por një triumf i së vërtetës historike. Ai dëshmon edhe një herë se historia nuk ndërtohet mbi legjenda dhe hamendësime, por mbi fakte, prova dhe kërkime serioze.

 

 

Nderim i përjetshëm Babë Dudë Karbunarës, patriotit që ia kushtoi jetën kombit, arsimit dhe lirisë së Shqipërisë.