Nga Ujëvara e Sotirës te Guri i Prerë, Qafa e Gjarpërit, Krushova e Faqekuqi – një udhëtim në një nga trevat më të egra, më të bukura dhe më pak të njohura të Shqipërisë

Nga Ujëvara e Sotirës te Guri i Prerë, Qafa e Gjarpërit, Krushova e Faqekuqi – një udhëtim në një nga trevat më të egra, më të bukura dhe më pak të njohura të Shqipërisë

 

 

Të duket sikur ke hyrë në një botë tjetër. Një botë ende të virgjër, ku dora e njeriut ka lënë pak gjurmë dhe ku natyra vazhdon të sundojë me madhështinë e saj. Një hapësirë që nuk ndodhet larg qytetërimit, por që ruan hijeshinë e një vendi të pazbuluar, shtrirë në rrëzë të Tomorrit legjendar, malit të shenjtë të shqiptarëve, aty ku bashkohen kufijtë administrativë të Beratit, Skraparit, Korçës dhe Gramshit.

 

 

Ky udhëtim nis nga Qafë-Dardha dhe mrekullia ujore e Ujëvarës së Sotirës, një prej perlave më të bukura natyrore të Shqipërisë, ku uji zbret me vrull nga shkëmbinjtë gëlqerorë, mes pyjeve të ahut, lisit e pishës, duke krijuar një peizazh që të lë pa frymë.

 

 

Më tej rruga ngjitet drejt vargmalit të Koshnicës, kalon në Kërpicë e Ermenj, prek Gurin e Prerë, vazhdon në Qafën e Gjarpërit, malin e Krushovës dhe zbret në Faqekuq, në rrëzë të Ostrovicës madhështore.

 

 

Është një itinerar ku natyra dhe historia ecin krah për krah. Çdo majë mali, çdo qafë, çdo përrockë e çdo shteg mbart kujtime të lashta, legjenda, ngjarje historike dhe rrëfime që kanë kaluar brez pas brezi. Këto anë kanë qenë dikur pjesë e Dasaretisë ilire, një nga trevat më të rëndësishme të Ilirisë së Jugut, ku gjurmët e qytetërimit antik ende presin të zbulohen plotësisht.

 

 

Pamjet e sjella nga një grup guximtarësh, aventurierësh të natyrës dhe profesionistësh të motocross-it nuk janë thjesht mbresëlënëse. Ato janë tronditëse në kuptimin më pozitiv të fjalës. Të bëjnë të ndalosh frymën, të reflektosh dhe të kuptosh se sa e pasur është Shqipëria me peizazhe që nuk kanë asgjë për t’u pasur zili destinacioneve më të njohura evropiane. Këtu qielli duket më i afërt, ajri më i pastër, heshtja më e thellë dhe natyra të flet me gjuhën e saj të përjetshme.

 

 

Ky është një “cep i Ilirisë së Poshtme”, siç e quante me dashuri Mitrush Kuteli, një hapësirë ku mali, pylli, ujërat e kristalta, livadhet alpine dhe shkëmbinjtë monumentalë krijojnë një mozaik të rrallë natyror. Është një vend ku mund të sodisësh në një ditë Tomorrin, Ostrovicën, luginat e Devollit dhe Osumit, ndërsa horizonti humbet mes kreshtave të pafundme.

 

 

Fatkeqësisht, kjo pasuri e jashtëzakonshme mbetet ende pak e njohur. Mungesa e infrastrukturës rrugore, e sinjalistikës turistike dhe e promovimit e ka lënë këtë thesar natyror pothuajse të fshehur nga turistët shqiptarë dhe të huaj. Megjithatë, pikërisht kjo e ka ruajtur të paprekur, autentik dhe të egër, ashtu siç e ka krijuar natyra.

 

 

Kjo zonë është një parajsë për turizmin e aventurës, për ecjet malore, motocross-in, çiklizmin malor, kampingun, fotografinë e natyrës dhe vëzhgimin e florës e faunës. Por ajo është po aq tërheqëse edhe për ata që kërkojnë qetësinë, freskinë e maleve, mikpritjen tradicionale të banorëve dhe njohjen me kulturën e fshatrave që kanë ruajtur zakonet, këngët, vallet dhe bujarinë shqiptare.

 

 

Në këto vise nuk udhëton vetëm nëpër male. Udhëton edhe nëpër kohë. Çdo gur, çdo burim, çdo pyll dhe çdo shteg të kujton se Shqipëria ende ka vende të cilat nuk janë zbuluar plotësisht. Mjafton t’u afrohesh me respekt dhe dashuri, që ato të të shpërblejnë me pamje, emocione dhe kujtime që nuk harrohen kurrë.

 

 

Ndoshta kjo është pasuria më e madhe e kësaj treve: fakti se, edhe në shekullin XXI, ajo vazhdon të mbetet një copëz Shqipërie e egër, e pastër dhe magjepsëse, ku natyra është ende mbretëresha e padiskutueshme.

 

 

#Z.Hoxha “Orakujt…”