Ylli Polovina: Historia e bujshme e “floririt të Tomorricës”

Ylli Polovina: Historia e bujshme e “floririt të Tomorricës”

 

 

Si një dëshmi mesjetare e Gjon Muzakës vuri në lëvizje studiues, gjeologë dhe shtetin shqiptar në kërkim të thesarit të fshehur në malet e Tomorricës

 

 

Muzakajt ishin familje e shquar fisnike mesjetare shqiptare. Ishin themelues dhe drejtues të Principatës së Muzakajve me kryeqendër në Berat.

 

 

Origjina e tyre fillestare ishte nga zona e Oparit.

 

 

Muzakajt kane qene sundimtaret e qytetit të Beratit dhe të gjithe fushës e cila mori emrin e tyre, Muzaki (Myzeqeja). Që në fillimet e tyre e deri në fund, sipas dokumenteve historike krahinën e Tomorricës e kanë patur zonën më të preferuar, më të dashur. Në një farë mënyre e kanë quajtur herë si paradhomën e tyre dhe herë si “qilarin” e tyre.

 

 

Në testamenitin e një nga pinjojve të tyre, Gjon Muzakaj të vitit, thuhet se në Tomorricë Muzakajt kishin minierën e tyre të floririt. 

 

 

Një e dhënë (e thënë) që edhe pas pesë shekujsh ka vënë në lëvizje individë, aventurierë dhe vetë shtet për ta zbuluar këtë mënierë.

 

 

Dhe këtë histori, më shumë se kushdo, e zbulon shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur Ylli Polovina në librin e tij, “Gjon Muzakajt përballë Skënderbeut”

 

 

Më posht po japim me shkurtime pjesë nga libri:

 

 

 

 

Nga testamenti i Gjon Muzakës te ekspeditat sekrete të viteve ’80 – historia e një damari ari që prej pesë shekujsh vazhdon të ushqejë legjenda, kërkime dhe shpresa

 

Ylli Polovina

 

Këto ethe kanë filluar që në në dhjetor 1983, kur një punonjës i Komitetin e Rinisë së Skraparit, në Çorovodë, pas një bisede konfidenciale i kishte treguar një sekret një miku të tij në Tiranë, se në Tomorricë kishte rezerva floriri. I kishte treguar gojdhëna, por edhe mostra të copave mineraleve.

 

 

Miku si duket nuk e kishte mbajtur dot fjalën, sepse pas disa ditësh erdhi me një nëpunës tjetër të lartë të shtetit. U bënë të tre dhe filluan misionin sekret të kërkimit të arit. Tashmë edhe me një “armë të re”, testamentin e Gjon Muzakës, të zbuluar në ato kohë, ku thuhej:

 

 

“Dëgjoni, fëmijët e mi, në territorin e Tomoricës është një fshat i quajtur Horkova dhe është i banuar qoftë në afërsi të maleve e qoftë nga ana e lumit, dhe midis maleve dhe këtij fshati rrjedh një përrua dhe pranë këtij përroi në drejtim të malit është një damar floriri; u kam lajmëruar, është në territoret tona”.

 

 

Gjoja për “punë partie” të tre filluan eksplorimin për të gjetur vendin Orkovën. Sipas pleqve kishte ekzistuar një vend i quajtur Olkovë, përballë Tërrovës, që sipas stërgjyshëve, kishte qenë qytetërim, por ishte zhdukur.

 

Pas kësaj ekspedite sekrete, u njoftua Presidenti I Republkës, me urdhër të të cilit kishin ardhur me një shkresë, se ishte gjetur Olkova.

 

 

Pas kësaj nuk u bë asgjë.

 

 

Në ditët e para të janarit 1984 shefi i rinisë vendore të Skraparit vendosi t’ia dekonspirojë misionin një miku shumë të afërt, specialist i njohur i ekonomisë në krahinë, dhe filluan të dy të kërkimin privatisht të mademit që nuk do të ishte vetëm një pasuri për Shqipërinë, por edhe fat zhvillimi për qytetin e krahinën e tyre.

 

 

Duke shkelur më këmbë gjithë vendet e cituara nga testamenti dhe pasi biseduan me njerëz të thjeshtë dhe intelektualë, ditën e pestë që të dy u rikthyen në qytet dhe njoftuan Presidentin përsa kishin bërë dhe për bindjen se nga mostrat e mbledhura dhe të dhëna të tjera kishte flori.

 

 

Presidenti i falenderoi për kontributin që po jepnin. Nuk kaloi shumë dhe më 22 prill 1984 pesëmbëdhjetë gjeologët të ndarë në dy grype filluan punën në terren.për zbulimin e thesarit të Gjon Muzakës.

 

 

Lajmi mori dheun. Këtë herë asgjë nuk u mbajt e fshehtë, përkundrazi, kumti u përhap gjithkund, posaçërisht. Kërkimi dhe zbulimi i mademit të floririt duhej të qe jo vetëm punë profesionale e gjeologëve, por edhe mision i të gjithë popullit të Tomoricës.

 

Ishte çasti kur emri i Gjon Muzakës, i njohur veç prej ndonjë arsimtari fshati, u mësua njëherësh nga i madh dhe i vogël. Po e bënte të famshëm jo testamenti i tij, një kronikë e vyer mesjetare, por floriri i fshehur në male.

 

 

Nuk mbeti ditë që të pesëmbëdhjetë gjeologët e ardhur nga Tirana dhe të cilët në ato vise quheshin si njerëzit e Qeverisë, të mos e kalonin të ftuar për darkë nga familjet vendase. E gjithë Tomorica dhe fshatrat ku vëzhgohej të gjendej mademi i floririt, jetonin si të elektrizuar. Takimet e punës me njerëzit nuk pushonin kurrë, grumbullimi i mostrave nga gurët shkëmborë po ashtu.

 

 

Po të shkëlqente sadopak një copë dheu apo faqe guri, sidomos në rrafshnaltën e Koshnicës, sillej menjëherë për këshillim tek gjeologët. Pastaj ato dërgoheshin pa u vonuar në laboratorin e Tiranës.

 

 

Kjo punë zgjati dy vjet rresht.

 

 

Tomoricarët jetonin si në një botë tjetër, mbushur plot me ëndrra. Herë pas here në familjet ku qenë të ftuar gjeologët, ndërsa nuk mungonin dollitë dhe marrja e këngës, ndodhte që shtihej në ajër me armë. Kjo donte të thoshte se atë ditë për gjetjen e mademit të floririt qe zbuluar diçka shpresëdhënëse.

 

 

Dy vjet pa rezultat. Kështu erdhi drejt fundit viti 1987.

 

 

Por gjeologët kishin zbuluar një mineral tjetër që mund të nxirrej, që ishte plumbi. Rezerva të tilla kishte dhe ishin premtuese për t’u shfrytëzuar.

 

 

Filloi hapja e galerië së parë. Për një vit tuneli për kërkim–zbulim të mëtejshëm dhe më pas shfrytëzim, u hap. Ekipi i gjeologëve të specializuar mblodhi rezultatet e para. Qenë optimiste.

 

 

Por në vitin pasardhës fondi i ri nuk erdhi. Punimet e tunelit u ndërprenë. Me një urdhër nga Tirana gjeologët u dërguan në veri të vendit. Nga Presidenti dhe këshilltarët e tij ishte gjykuar se bllokadën imperialisto-revizioniste mund ta çante vetëm kromi.

 

 

Ndërkohë një vit më pas në Shqipëri do të fillonte ndërrimi i sistemit politik.

 

 

Që prej këtij çasti nuk ka asnjë lajm për mademin e floririt të princit të Beratit dhe njëherësh të Myzeqesë, të Skraparit dhe të Korçës