Një udhëtim në fshatin e historisë, të trimërisë dhe të peizazheve mbresëlënëse natyrore

Një udhëtim në fshatin e historisë, të trimërisë dhe të peizazheve mbresëlënëse natyrore

 

 

 Ka vende që të presin me zhurmë, e ka vende që të fitojnë me heshtje. Backa bën pjesë te këto të fundit

 

 

Kjo është Backa, një nga fshatrat më të njohur të Skraparit, ku historia ka lënë gjurmë në çdo gur dhe natyra ka derdhur një nga peizazhet më madhështore të Shqipërisë jugore.

 

 

Ka fshatra që i njeh nga emri, ka të tjerë që i kujton nga njerëzit, por ka edhe vendbanime që mbeten në kujtesë si një përjetim. Backa është njëri prej tyre.

 

 

I vendosur në lartësitë 900–1000 metra mbi nivelin e detit, në skajin juglindor të Skraparit, pranë kufirit me krahinën e Korçës, Backa është një nga fshatrat më të mëdhenj, më të njohur dhe më përfaqësues të kësaj treve. Është një vend ku mali, historia dhe karakteri njerëzor duket sikur janë gdhendur nga e njëjta dorë.

 

 

Sa më lart ngjitesh drejt Backës, aq më shumë zgjerohet horizonti. Më të gjera bëhen pamjet, më i pastër ajri, më të largëta duken kufijtë e tokës. Ndoshta pikërisht këtu fshihet edhe sekreti i banorëve të këtyre anëve.

 

 

Ata janë mësuar të jetojnë përballë hapësirës, të shohin larg dhe të ecin drejt lirisë. Njerëzit që rriten në këto maja nuk mësojnë vetëm të përballojnë dimrat e ashpër; mësojnë të jenë të fortë në karakter, krenarë në qëndrim dhe të palëkundur në dashurinë për vendin e tyre.

 

 

Nuk është rastësi që emra si Backa, Potomi, Kapinova apo Ujaniku shqiptohen edhe sot me respekt. Vetë lartësia ku shtrihen këto fshatra duket sikur u jep njerëzve një tjetër përmasë shpirtërore. Horizonti që shohin çdo ditë bëhet pjesë e mendimit, e karakterit dhe e botëkuptimit të tyre.

 

 

Janë krahina që kanë nxjerrë burra të mençur, patriotë të vendosur dhe luftëtarë që nuk u përkulën në kohët më të vështira të historisë.

 

 

Personalisht, kam një admirim të veçantë për njerëzit e këtyre maleve. Ata flasin pak, por mbajnë shumë histori; jetojnë thjesht, por me një dinjitet që të fiton menjëherë respektin.

 

 

Backa nuk është vetëm një fshat. Ajo është edhe një trung i madh familjesh, nga i cili kanë dalë e janë krijuar ndër shekuj vendbanime të tjera.

 

 

Pak vetë e dinë se Krasta, Faqekuqi dhe Çemerrica janë formuar në periudha të ndryshme nga fise backallinjsh. Po kështu, familje me prejardhje nga Backa gjenden në Shtyllë, Lubonjë, Thumanë, Kamëz e në shumë vende të tjera të Shqipërisë.

 

Rrënjët e këtij fshati janë shtrirë larg, duke mbartur kudo traditat, zakonet dhe krenarinë e vendlindjes.

 

 

Por madhështia e Backës nuk matet me numrin e banorëve apo me degëzimet e saj. Vlera e saj e vërtetë qëndron në historinë e pasur dhe në kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në çdo etapë të jetës së kombit.

 

 

Në vitet e Rilindjes Kombëtare, Backa u bë një vatër e rëndësishme e lëvizjes patriotike. Teqeja e saj, nën drejtimin e Baba Fetahut, nuk ishte vetëm një institucion fetar. Ajo u kthye në një shkollë të fshehtë të gjuhës shqipe, në një strehë për patriotët dhe në një vatër ku u ushqye fryma e lirisë dhe e pavarësisë.

 

Më pas erdhën vitet e Luftës së Parë Botërore, kur banorët e Backës u përballën me sulmet e andartëve grekë, duke mbrojtur me armë në dorë trojet e tyre me ne krye Lace Backën.

 

 

Edhe në Luftën Nacionalçlirimtare ky fshat dha dhjetëra partizanë, ndërsa shumë prej tyre ranë dëshmorë, duke lënë emrat e tyre të gdhendur përgjithmonë në kujtesën e Skraparit.

 

 

Edhe vitet e socializmit nuk qenë të lehta. Terreni i ashpër malor, dimrat e gjatë dhe mungesa e infrastrukturës e vunë vazhdimisht në provë këtë komunitet. Megjithatë, backallinjtë nuk u dorëzuan. Me punë, këmbëngulje dhe sakrifica, ata ndërtuan jetën e tyre në një nga zonat më të vështira malore të vendit.

 

 

Por Backa nuk jeton vetëm me historinë.

 

 

Ajo është një nga ato mrekulli të fshehura të natyrës shqiptare që ende nuk kanë marrë vëmendjen që meritojnë. Është një destinacion ku peizazhi ndryshon në çdo stinë, ku mali merr ngjyra të reja nga agimi deri në perëndim dhe ku qetësia të flet më shumë se zhurma.

 

 

Në sfond ngrihen hijerëndë Çuka e Frengut, Ostrovica dhe Qafa e Martës. Nga cilado anë t’i afrohesh fshatit, peizazhi hapet si një amfiteatër i madh natyror.

 

Kodrat, pyjet, livadhet, burimet e ujit të ftohtë dhe kreshtat shkëmbore krijojnë një harmoni që të mbush me frymëzim. Në mëngjes mjegulla endet mbi lugina si një perde e bardhë, ndërsa në mbrëmje perëndimi i diellit i vesh malet me ngjyrat e arit dhe të zjarrit.

 

 

Nuk është e vështirë të kuptosh pse kushdo që e viziton këtë fshat largohet me dëshirën për t’u rikthyer. Backa nuk të pret me luksin e resorteve moderne; ajo të mirëpret me fisnikërinë e njerëzve të saj, me sofrën tradicionale, me mikpritjen karakteristike skraparase dhe me bukurinë e një natyre ende të paprekur.

 

 

Ky është edhe synimi i këtij reportazhi: të sjellë në vëmendje jo vetëm historinë e lavdishme të Backës, por edhe pasurinë e saj të jashtëzakonshme natyrore, e cila pret të zbulohet nga turistët, studiuesit dhe të gjithë ata që kërkojnë Shqipërinë autentike.

 

 

Sepse Backa nuk është thjesht një pikë në hartën e Skraparit. Ajo është një copëz e gjallë e historisë shqiptare, një fortesë e kujtesës kombëtare dhe një perlë e fshehur mes maleve të Ostrovicës dhe Çukës së Frëngut.

 

 

Kush ngjitet një herë në Backë, qoftë mik, udhëtar apo turist, nuk largohet i zhgënjyer. Përkundrazi, largohet me bindjen se ka zbuluar një vend ku historia dhe natyra ecin dorë për dore dhe ku çdo gur, çdo lis e çdo shteg ka diçka për të rrëfyer.