Një zbulim i rrallë: Vjersha e panjohur e Xhelal Koprënckës del në dritë pas më shumë se një shekulli

Një zbulim i rrallë: Vjersha e panjohur e Xhelal Koprënckës del në dritë pas më shumë se një shekulli

 

 

Historiani Niko Kotherja zbulon një krijim poetik të firmëtarit të Pavarësisë, botuar në gazetën “Korça” në mars të vitit 1909, dëshmi e angazhimit të tij në lëvizjen kombëtare dhe kulturën e Rilindjes

 

 

 

Një dokument i ri dhe i panjohur deri më sot për Xhelal Koprënckën, firmëtarin e Aktit të Pavarësisë dhe përfaqësuesin e vetëm të krahinës së Skraparit në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912, është zbuluar së fundmi nga historiani i njohur Niko Kotherja në Korçë.

 

 

Lajmi është bërë i ditur nga publicisti Roland Qafoku në faqen e tij në Facebook, duke sjellë në vëmendje një tjetër dëshmi të veprimtarisë atdhetare dhe kulturore të kësaj figure të shquar të historisë sonë kombëtare.

 

 

Bëhet fjalë për një vjershë të botuar nga Xhelal Koprëncka në gazetën “Korça” të datës 20 mars 1909. Kjo gazetë ka një rëndësi të veçantë në historinë e shtypit shqiptar, pasi konsiderohet gazeta e parë e botuar në Shqipëri, me numrin e saj të parë të dalë më 15 dhjetor 1908.

 

 

Krijimi poetik i Xhelal Koprënckës, i shkruar me një gjuhë të zgjedhur dhe me frymë të qartë rilindëse, shpreh gëzimin dhe shpresën që ngjalli dalja e një organi të shtypit në gjuhën shqipe, në një kohë kur lëvizja kombëtare po merrte përmasa të reja.

 

 

Ja vjersha e plotë:

 

Korça lule-lulëzoj

Fletën “Korça” fort të bukur

Që të gjithë na gëzoj,

Për ngahera qoftë e lumtur.

 

Ti, moj fletë, e bukur je,

Mezi të ka Shqipëria,

Se tregim të mirë ke,

Më të faltë Perëndia.

 

Edhe pse e shkurtër, kjo vjershë mbart vlera të rëndësishme historike dhe letrare. Ajo dëshmon jo vetëm ndjenjat e thella atdhetare të Xhelal Koprënckës, por edhe lidhjen e tij të hershme me lëvizjen kulturore dhe përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe dhe të mendimit kombëtar.