Melckë, Nikollarë, Dervishie, një nga zonat më të panjohura, por më të bukura dhe më të virgjëra të Skraparit

Melckë, Nikollarë, Dervishie, një nga zonat më të panjohura, por më të bukura dhe më të virgjëra të Skraparit

 

 

Melcka dhe Nikollara janë dy nga fshatrat më të veçantë të Skraparit, në kufi me Kolonjën, Përmetin dhe Korçën. Është një vend që të jep ndjesinë e një bote të veçuar, ku rruga mbaron, por fillojnë shtigjet e historisë dhe të natyrës. Përmendet që në regjistrin osman të vitit 1432, çka dëshmon lashtësinë e këtij vendbanimi.

 

 

Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, këtu u ngrit spitali më i madh partizan në Shqipëri, i sistemuar në shtëpitë e banorëve të fshatit, një dëshmi tjetër e rolit të rëndësishëm që Nikollara ka luajtur në historinë kombëtare.

 

 

Nikollara ka kanione të famshëm, fatkeqësisht pothuajse të panjohur dhe të pa eksploruar deri më sot, që mungojnë krejtësisht në hartën turistike të Skraparit. Ata janë vazhdim i drejtpërdrejtë i Kanioneve të Osumit, por nuk trajtohen si pjesë e tyre, megjithëse përbëjnë të njëjtën njësi gjeografike.

 

 

Formohen nga i njëjti lumë, kanë të njëjtat veçori gjeomorfologjike, të njëjtën bukuri dhe madhështi. Madje, kanionet e Nikollarës paraqesin edhe disa elemente natyrore më të veçanta se ato që njihen tradicionalisht si Kanionet e Skraparit.

 

 

Kanioni i Nikollarës, që mban emrin e fshatit pranë lumit, nis në këmbët e tij dhe, duke çarë mespërmes Malin e Miçanit, përfundon te Ura e Hazbiut, një urë e varur prej druri, që i shton hijeshinë këtij peizazhi të rrallë.

 

 

Shkëmbinjtë vertikalë, kthesat e lumit, ngjyrat e gurëve dhe qetësia mbresëlënëse krijojnë një peizazh thuajse të paprekur nga dora e njeriut. Jo rastësisht, ato janë propozuar edhe si monument natyre.

 

Arsyeja e vetme pse kanë mbetur pak të njohura është se ndodhen jashtë itinerareve kryesore turistike.

 

 

Natyrisht, mungesa e infrastrukturës rrugore e vështirëson vizitën, pasi për të arritur deri atje duhet të përshkosh për rreth dy orë shtratin e lumit. Por kjo nuk duhet të jetë arsye që kjo pasuri natyrore të mbetet në harresë. Përkundrazi, ajo meriton të njihet, të promovohet dhe të bëhet pjesë e destinacioneve të turizmit të aventurës.

 

 

Në Nikollarë, në këtë fshat të braktisur pothuajse tërësisht, ndodhet edhe Dervishia, një vend i mbuluar nga historia dhe misteri, ndër pikat më intriguese të kësaj zone.

 

 

Sipas traditës dhe disa të dhënave historike, emri lidhet me pronat e dikurshme të Teqesë së njohur të Backës, të administruara nga dervishët. Këtu ka ekzistuar një plantacion me pemë të llojeve të ndryshme, deri edhe me ullinj mesdhetarë, një fenomen që ka habitur vizitorët dhe studiuesit për mënyrën se si është krijuar dhe ka mbijetuar në atë mikroklimë të veçantë.

 

 

Ndërkohë që bëhen përpjekje për zgjerimin e hartës turistike të Skraparit, Nikollara duket se ka humbur padrejtësisht shumë kohë në heshtje.

 

 

Ajo meriton të njihet, të promovohet dhe të vlerësohet si një nga destinacionet më të veçanta natyrore e historike të kësaj treve.

 

 

Edhe vendndodhja e saj është e pazakontë. Nikollara është një lloj “xhepi” gjeografik ku mund të mbërrish me automjet, por rruga përfundon aty. Edhe pse kufizohet me Përmetin, Kolonjën dhe Korçën, lidhjet me këto krahina vazhdojnë vetëm përmes shtigjeve këmbësore, duke ruajtur kështu karakterin e saj të veçantë dhe të paprekur.

 

 

Zylyftar Hoxha

“Orakujt e Tomorrit”