Një ëndërr shumëshekullore që po bëhet realitet
Një ëndër për skraparllinjtë që dikur bënin pazarin në Korçë edhe pse për shkak të terrenit të vështirë malor, iu duheshni vjatje – ardhje katër ditë rrugë!…

Po nuk ishte vetëm pazari që i lidhte këto dy krahina. Lidhjet e Skraparit me Korçën janë të shumëfishta, janë historike:
kujtoni luftërat e përbashkëta kundër pushtimit osman, kundër andartëve, kujtoni çetat luftëtare për liri e pavarësi, kujtoni Luftën Nacionalçlirimtre me përbërje luftëtarësh nga të dy krahinat;
kujtoni Lace Backën, Qamil e Qazim Panaritin, Kajo Babienin, Riza Kodhelin që luftonin bashkë dhe mos shkoni më tutje.
kujtoni se se jemi dy krahina etnokulturore të njëjta në zakone, në folklor, në kulturë jetese, në këngë, në dolli, në gjuhë deri në akcente të saj.
Kujtoni se kemi lidhje shumë të thella miqësore dhe familjare për shkak se disa krahina periferike të Korçës, si Lenia, Moglica, Opari, Vakëfet janë një çap larg Zhepës, Grevës, Kuçit, Krushovës, Faqekuqit, Backës, Nikollarës, që i ndajnë Qafa e Gjarpërit, Qafa e Beçit, Qafa e Veshit, Qafa e Martës, Lirëza e Helmësi, Rripat e Staraveckës etj.
Këto krahina për shkak të martesave, janë nip e dajo, siç thotë populli. Ato kanë lidhje të hershme gjaku me njëra-tjetrën.

Qe një rast fatlum, ai i para pak viteve kur gazësjellsi TAP kaloi tubacionet në Qafën e Martës dhe premtoi se do të lidhte me asfalt dy zonat, Korçën dhe Skraparin, që gëzoi të madh e të vogël andej e këtej Qafës Legjendare, kufitare mes dy krahinave.
Por ky premtim nuk u mbajt, natyrisht sepse prekeshin interesat e veta, por edhe sepse marrëveshja që u bë, nuk u ndoq dhe nuk u këmbëngul për t’u zbatuar si nga qeveria ashtu edhe nga pushteti lokal i të dy rretheve.

Qe vërtet një zhgënjim që zemëroi banorët e të dy anëve. Por si duket, shpresa vdes e fundit.
Por më pas u gjet njeë zgjidhje tjetër, investimi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit që, falë edhe këmëbënuljes së deputetit të zonës, Hysen Buzali, i cili i ka “qëndruar në kokë” kësaj pune nga fillimi deri në fund, përfundoi para disa ditësh.
Rruga Çorovodë – Qafa e Martës u asfaltua përfundimisht. Praktikisht lidhja është realizuar, përveç katër kilometrave të territorit të Korçës, deri në Shtyllë.
Përfundimi i këtij segmenti rrugor, shkurton ndjeshëm distancën midis Skraparit dhe Korçës, si dhe sjell avantazhe të shumta sa i takon zhvillimit ekonomik, turizmit, lehtësisë së lëvizjes, e parë kjo edhe në një kontekst rajonal.
Rruga kalon në një prej peizazheve më karakteristike malore të kësaj pjese të Shqipërisë.
Ostrovica, me lartësitë, pyjet, kullotat dhe panoramat e saj, mund të mos jetë më vetëm një emër në hartën e maleve të Shqipërisë, por pjesë e një itinerari turistik të arritshëm.
Dhe kjo është një nga mundësitë më të mëdha që sjell rruga.
Një turist që vjen në Skrapar për kanionet e Osumit, Tomorrin, Kulmakun apo Ujëvarën e Sotirës, mund të ketë tashmë mundësi të vijojë udhëtimin drejt zonave të Korçës përmes një aksi të ri. Në të njëjtën mënyrë, vizitorët që vijnë nga Korça mund të zbresin drejt Skraparit dhe të njohin një tjetër Shqipëri: atë të maleve, fshatrave, historisë dhe traditave.

Vërtet që ky projekt nuk qe i përmasave kombetare, nuk qe projekt i ARRSH-së, sidoqoftë është një arritje për të cilin ne duhet të gëzohemi të gjithë.
Asfalti është vetëm fillimi.
Pas tij duhet të vijnë sinjalistika, mirëmbajtja, promovimi turistik, hapja e pikave panoramike, orientimi i vizitorëve dhe lidhja e kësaj rruge me rrjetin tjetër të destinacioneve të Skraparit e Korçës.
Sepse një rrugë nuk bëhet e madhe vetëm nga kilometrat që ndërtohen.
Një rrugë po hapet. Tani është koha që të hapen edhe mundësitë që ajo sjell.
#Zylyftar Hoxha#
#Admin#Orakujt…#
