Një udhëtim mes peizazheve madhështore të një prej vendeve më të bukura e më domethënëse të Skraparit
Zylyftar Hoxha
Ka vende që nuk i njeh vetëm me sy. Duhet t’i ndjesh me shpirt. Helmësi është njëri prej tyre. Vazhdim I Ostrovicës dhe Qafës së Martës, ai të shfaqet si një fshat që e ka shkruar historinë me gurë, me lisa, me këngë dhe me gjakun e bijve të tij.

Çdo shteg, çdo burim, çdo ah i moçëm duket sikur ruan një rrëfim të lashtë, një amanet brezash.
Rruga që të çon drejt Helmësit ngjitet ngadalë mes pyjeve dhe kthesave, derisa befas të hapet një peizazh që të lë pa frymë. Ajri është i ftohtë edhe në ditët më të nxehta të korrikut. Era sjell aromën e rigonit dhe çajit të malit, ndërsa zhurma e gjetheve të ahut ngjan me një bisedë të heshtur të natyrës me njeriun.

Fshati i vogël i Helmësit ka një bukuri të veçantë, mbresëlënëse. Por zemra e këtij peizazhi është Fusha e Lizës. Një lëndinë e gjerë alpine, e rrethuar nga pyje ahu, ku qielli duket më pranë tokës se kudo tjetër.
Në pranverë ajo mbulohet nga qilimi shumëngjyrësh i luleve të egra. Në verë kullotat gumëzhijnë nga bletët dhe tingujt e këmborëve. Në vjeshtë pylli ndizet me ngjyrat e arta e të kuqe, ndërsa dimri e shndërron gjithçka në një mbretëri të bardhë.

Historia e Helmësit dhe e fushës alpine të Lirëzës mbi fshat nuk është vetëm legjendë. Ajo është histori kombëtare.
Një f hat i vogël me 10 -12 shtëpi mbajti mbi supe një “Shqipëri” të tërë. Në vitin 1944, këto vende u kthyen në një nga qendrat më të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në shtëpitë e fshati u vendos Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Në Fushën e Lizës u mblodh Kongresi i Parë i Rinisë Antifashiste Shqiptare.

Në atë livadh ku sot fryn era e malit, dikur u dëgjuan fjalë që ushqyen shpresën e një Shqipërie të lirë.
Mjafton të mbyllësh sytë dhe duket sikur ende dëgjohen zërat e delegatëve, këngët partizane, troku i kuajve dhe hapat e luftëtarëve që zbrisnin nga shtigjet e Tomorrit.
Nga Fusha e Lizës vështrimi endet larg. Në ditë të kthjellëta shihen kreshtat e Ostrovicës, Qafës së Martës, malit të Miçanit dhe më tej Trebeshinës, Nemërçkës dhe shumë maja të tjera që lidhen me njëra-tjetrën si hallka të një kurore madhështore.

Ndoshta kjo është arsyeja pse kush ngjitet një herë në Helmës nuk largohet i njëjti.
Sepse Helmësi, një copëz e shpirtit të Kollit të Sipërm të Skraparit nuk të fal vetëm bukuri; ai të fal qetësi, krenari dhe ndjesinë se je duke prekur rrënjët më të thella të histories dhe bukurisë shqiptare.
